Deputeti i Partisë Demokratike në Shkodër, Bardh Spahia, ka qenë sot pranë banorëve të Thethit, ku situata është tensionuar pas përplasjeve me policinë. Sipas tij, ndërhyrja policore është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, i cili ka rrethuar zonën dhe banesat që banorët nuk duan të shemben.
Në një prononcim për mediat nga vendi i ngjarjes, Spahia ka deklaruar se “po konstatojmë një terror të vërtetë të shtetit të Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit dhe mbarë Dukagjinit”.
Ai shtoi se skena të tilla nuk janë parë në këtë zonë që prej përplasjeve me forcat serbe, duke i cilësuar pamjet si të papranueshme për një shtet demokratik. “Është hera e parë që në gjithë këto vite Thethi dhe Dukagjini përballen me një dhunë të tillë, me një terror shtetëror të paarsyeshëm, të paargumentuar,” u shpreh deputeti i PD.
Më tej, Spahia e cilësoi këtë veprim si një përgjegjësi ekstreme të kryeministrit, të cilin e akuzoi se ka tradhtuar banorët. “Edi Rama si një besprerë tipik, pasi u dha fjalën banorëve dhe u bëri thirrje emigrantëve të investonin në këtë zonë, sot i dhunon dhe u shkatërron kursimet dhe investimet e një jete të tërë,” tha ai.
Deputeti demokrat e cilësoi aksionin e qeverisë si një hakmarrje të pastër ndaj Thethit, një zonë që sipas tij e refuzoi qeverinë në zgjedhjet e 11 majit. “Është një terror i paprecedentë shtetëror dhe një tradhti e mirëfilltë ndaj qytetarëve që për shkak të paaftësisë së shtetit për t’i pajisur me certifikata pronësie, ndodhen sot në këtë situatë,” deklaroi Spahia.
Në fund, ai bëri thirrje për reagim qytetar: “Thirrja ime është të reagojmë fuqishëm në mbrojtje të të drejtës, në mbrojtje të pronës.”
Spahia:
Po konstatojmë një terror të vërtetë të shtetit të Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit dhe mbarë Dukagjinit.
Këto pamje nuk i ka provuar kjo trevë e kjo zonë këtu qysh prej horrlive dhe përplasjes serbe.
Është hera e parë që në gjithë këto vite Thethi dhe Dukagjini përballët me një dhunë të tillë, me një terror shtetëror të paarsyeshëm, të paargumentuar.
Kjo është një fakt një përgjegjësi ekstreme e Edi Ramës vetë, i cili si një besprerë tipik, pasi i dha fjalën se do t’i lejonte madje u bëri thirrje të investonin emigrantët e shumtë të kësaj treve në këtë zonë, i dhunon sot dhe i hedh në lumë investimet dhe kursimet e një jete të tërë të këtyre qytetarëve të ndershëm, të cilët me shumë mund dhe sakrifica mundohen të jetojnë në kushte ekstremisht të vështira.
Është një terror i paprecedentë shtetëror, i cili është edhe një hakmarrje e mirëfilltë e Edi Ramës karshi Thethit, i cili e refuzoi qartazi në zgjedhjet e 11 majit.
Edhe njëherë, është një besprerje, një tradhti e mirëfilltë e Edi Ramës ndaj qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi të tjera dhe nga paaftësia e shtetit për t’i pajisur me certifikatë pronësie, janë në këtë situatë.
Thirrja ime është të reagojmë fuqishëm në mbrojtje të të drejtës, në mbrojtje të pronës.



