Reagimet pas ngjarjes së rëndë në Theth nuk kanë të ndalur. Kësaj here ka folur me tone të ashpra Zef Vladi, bajraktari i Shalës, një figurë me peshë në komunitetin e Alpeve. Ai ka dënuar publikisht sjelljen fyese të inspektorit të IKMT, Fatmir Meta, gjatë ndërhyrjes së fundit në fshatin turistik, duke theksuar se ofendimet nuk janë drejtuar vetëm ndaj një individi, por ndaj gjithë banorëve të Thethit dhe mbarë shqiptarëve.
“Fatmir Meta nuk ka fyer vetëm një person. Ai ka fyer gjithë banorët e Thethit, gjithë Dukagjinin dhe gjithë shqiptarët. Ai nuk ka të drejtë të fyejë njeri ai është aty për të zbatuar ligjin, jo për të përçmuar njerëzit,” u shpreh Zef Vladi.
Ai kujtoi se vetë Kryeministri Edi Rama, ndër vite, u ka bërë thirrje shqiptarëve të rikthehen në vendlindje dhe të kontribuojnë për vendin e tyre një thirrje që shumë banorë të zonave të veriut, përfshirë Thethin, e kanë marrë seriozisht. Sipas tij, është paradoksale që pikërisht ata që janë kthyer për të investuar dhe jetuar në trojet e tyre, përballen sot me arrogancën dhe fyerjet e shtetit.
“Si mund të na thërrasë qeveria të kthehemi dhe të bëjmë për vendin tonë, kur përballë kemi zyrtarë që na shajnë, na poshtërojnë dhe sillen si pushtues?” shtoi ai me indinjatë.
Reagimi i bajraktarit të Shalës është një tjetër sinjal se situata në zonë nuk është vetëm një çështje ligjore, por një plagë që po prek dinjitetin, besimin dhe lidhjen e njerëzve me shtetin. Zëri i malësorëve po kërkon drejtësi, përgjegjësi dhe respekt tri fjalë që duket se mungojnë në sjelljen e disa institucioneve.
Ndërkohë, ende nuk ka asnjë reagim nga qeveria apo Kryeministri Rama lidhur me sjelljen e inspektorit Meta apo me përgënjeshtrimin e fakteve nga Policia e Shkodrës. Heshtja vazhdon, ndërsa tensioni në Theth mbetet i pranishëm.



