Kuvendi i Burrave të Shalës kërkon ndaljen e prishjeve në Theth: “Asnjë huaj s’mund të gëzojë asnjë centimetër pa pëlqimin tonë”
Kuvendi i Burrave të Shalës është mbledhur sot për të shqyrtuar situatën alarmante që po kalon kjo zonë, për shkak të aksionit të IKMT për prishjen e ndërtimeve. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe meshtari i zonës, Dom Kastriot.
Anëtarët e kuvendit kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të prishjeve dhe shtyrjen e çdo veprimi që cenon jetën, pronën dhe të ardhmen e banorëve autoktonë të Thethit.
Në përfundim të kuvendit, burrat u shprehën njëzëri se asnjë investitor i huaj nuk mund të gëzojë qoftë edhe një centimetër tokë në këtë zonë pa miratimin e komunitetit. Ata i bënë thirrje qeverisë që të ulet në dialog me banorët, duke theksuar nevojën për zgjidhje të arsyeshme dhe të qëndrueshme, në respekt të së drejtës zakonore dhe trashëgimisë kulturore të zonës.
Zef Vladi: “Kullat tona janë ndërtuar me djersë dhe janë mbrojtur me gjak”
Zef Vladi, një nga banorët e Shalës, bëri apel për ndërprerjen e aksionit të shembjeve, duke e cilësuar të pajustifikueshëm dhe të rrezikshëm për paqen sociale.
“Kam bërë thirrje qeverisë të ndalë këtë aksion. Nuk është e arsyeshme. Gabimet janë bërë, janë parë, por shtëpitë tona nuk janë prekur ende. Ato janë ndërtuar me djersë dhe janë mbrojtur me gjak. Duhet t’i vlerësojmë si shtëpitë tona familjare”, tha Vladi.
Ai solli në kujtesë sakrificat historike për mbrojtjen e trojeve dhe nënvizoi se e gjithë zona e Dukagjinit dhe më gjerë është në solidaritet me banorët e Thethit.
“Kur armiku ka ardhur në Kosovë, shqiptarët kanë derdhur gjak. Edhe ne sot kërkojmë vetëm të drejtat tona. Këto toka janë trashëguar brez pas brezi dhe nuk mund të preken pa dialog. Jemi për paqe, por duam të dëgjohemi. Shteti duhet të vijë e të flasë me ne, jo të shembë. Jemi vëllezër”, përfundoi ai.
Kuvendi i Burrave, institucion i së drejtës zakonore
Kuvendi i Burrave, institucion shekullor në Malësitë e Veriut, funksionon mbi bazën e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ky kuvend merr vendime kolektive në emër të drejtësisë, pajtimit dhe nderit, duke ruajtur identitetin dhe strukturën shoqërore të zonës. Banorët e Shalës kërkojnë që ky institucion të respektohet dhe të përfshihet në çdo proces vendimmarrës që prek fatin e komunitetit dhe trashëgiminë e tij.



