Fshati Fishtë në Zadrimë po përjeton një rilindje të jashtëzakonshme kulturore, turistike dhe ekonomike, ku eshte kthyer në destinacion të lakmuar për vizitorë vendas dhe të huaj. Ky vend i bekuar me natyrë, histori dhe traditë mori famë që me themelimin e Mrizit të Zanave, një fermë-restorant që u bë simbol i turizmit të qëndrueshëm dhe i ushqimit autokton shqiptar. Sot, falë këtij suksesi, e gjithë zona po pasurohet me bujtina dhe guesthouse të reja, duke ofruar një përvojë autentike dhe të paharrueshme për vizitorët.
Së fundmi, Mrizi i Zanave publikoi në rrjetet sociale një video të veçantë, ku mjeshtri i madh i skenës shqiptare, Reshat Arbana, reciton vargje të At Gjergj Fishtës, duke promovuar jo vetëm veprën e poetit, por edhe bizneset e reja në Fishtë: bujtinat mikpritëse, xhirot me kuaj, kuzhinën tradicionale dhe turizmin kulturor.
Kjo video është një ftesë e hapur për të vizituar një prej perlave më të çmuara të veriut. Fishta sot është shtëpia e dy shtëpive muze, një qendre muzeale, rezidence për artistë, shtigje për ecje, ballkone panoramike dhe sheshe pushimi për meditim dhe lexim, të gjitha të ndërtuara me respekt të thellë për trashëgiminë e At Gjergj Fishtës. Kjo është vepra më e madhe natyrore dhe kulturore e ngritur në nder të një shkrimtari në të gjithë Shqipërinë.
Për një përvojë të plotë në Fishtën magjepsëse, Ferma Nardi dhe Zadrima Guide ofrojnë ture me kuaj, ku mund të shijoni natyrën, historinë dhe shijet unike të kësaj treve të bekuar. Për më shumë informacion mbi turet, mjafton të shkruani në faqet zyrtare të Ferma Nardi ose Zadrima Guide.
Fishta ju pret me zemër hapur, aty ku historia, natyra dhe mikpritja bëhen një.