Berisha premton ndërtimin e autostradës Shkodër-Milot-Tiranë
Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi në Shkodër, deklaroi se autostrada e parë që do të inaugurohet nga qeveria e ardhshme do të jetë Shkodër-Milot-Tiranë.
“Shkodra do të marrë investimet që meriton” – tha Berisha, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të infrastrukturës për zhvillimin e rajonit. Ai premtoi gjithashtu ndërtimin e bajpasit të Elbasanit dhe përmirësime në rrugën Shkodër-Muriqan.
Në fjalën e tij, Berisha kritikoi investimet e qeverisë aktuale, duke përmendur tunelin e Llogarasë dhe autostradën Elbasan-Librazhd si projekte të panevojshme, ndërsa rrugë me trafik të lartë, si Shkodër-Milot, mbeten në gjendje të rënduar.
“Do të pastrojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni” – u zotua Berisha, duke theksuar se lidhjet mes politikës dhe krimit do të ndërpriten me “gërshërët e ligjit”. Ai gjithashtu foli për zhvillimin e teknologjisë së lartë dhe synimin për ta bërë Shqipërinë një superfuqi energjetike në rajon, me investime në energjinë diellore, erës, ujit dhe gazit.
Sipas tij, çdo qytetar që dëshiron, do të ketë mundësinë të vendosë panele fotovoltaike, të cilat do të shlyhen brenda tre vitesh dhe më pas do të mbeten pronë e tyre.
Në fund të fjalës së tij, Berisha siguroi mbështetësit e tij në Shkodër se Partia Demokratike do të realizojë projekte madhore për qytetin dhe mbarë vendin.



