KISHA TEK ARRA MADHE DHE HISTORIA E SAJ E VEÇANTË NDER SHEKUJ

Nga Pjerin Mirdita, Kisha e Zojës Rruzare, te Arra e Madhe.

Origjina e Kultit dhe e Festës.

Kulti i Zojës Rruzare është një ndër kultet më të përhapura të Virgjërës Mari. Ai është një ndër përfaqësimet më të rëndësishme dhe tradicionale, me anë të cilit Kisha Katolike nderon Marinë, ku Virgjëra me Krishtin fëmijë në kraharor, paraqitet me një vello bojëqielli dhe kurorën e Rruzares së Shenjtë në dorë. Origjina e Zojës Rruzare daton në vitin 1208, me shfaqjen e Marisë Virgjër Shën Dominikut, në manastirin e parë nga ai themeluar në Prouille, Francë.

Ndërsa festa zyrtarizohet gati 3 shekuj më vonë nga Papa Piu V, dhe njihej me emrin “Zoja e Fitores”, në kujtim të përjetshëm të fitores së “Lidhjes së Shenjtë” kundër flotës osmane në Betejën e Lepantos, në vitin 1571.

Më pas Papa Gregori XIII e ktheu atë në festën e “Zojës Rruzare”, sepse të krishterët ia njihnin fitoren ndërmjetësimit së Marisë Virgjër, së cilës ata i ishin lutur gjatë luftës, nëpërmjet Rruzares së Shenjtë. Kisha Katolike e kremton festën e Zojës Rruzare në datën 7 tetor të çdo viti.

Mbi historinë e Kishës së Zojës Rruzare dhe Kuvendit Françeskan te Arra e Madhe.
Mbi historinë e Kishës së Zojës Rruzare dhe Kuvendit Françeskan te Arra e Madhe.

Të dhënat historike na dëshmojnë se françeskanët në zonën e Arrës së Madhe janë vendosur nga gjysma e dytë e shek. XIX. Ishte pikërisht Atë Tomë Marcozzi i pari që vendoset në këtë zonë, duke blerë një shtëpi private dhe duke ndërtuar pranë saj një kapelë të vogël në vitin 1887. Pasi ndërtoi kapelën, Atë Toma filloi të rregullonte shtëpinë, së cilës i dha trajtën e kuvendit.

Megjithëse kishte shumë kundërshti, duke patur parasysh edhe rrethanat historike, në vitin 1893 Atë Toma arriti të pagëzonte një këmbanë në emër të Zojës Rruzare dhe e vendosi atë mbi një kompanjel druri. Pas vdekjes së Atë Tomë Marcozzit, në vitin 1898 u emërua Komisar Gjeneral Atë Agustin Zubac, nën drejtimin e të cilit u bë bashkimi i Urdhërit françeskan dhe kështu ai ishte i pari Komisar Gjeneral i të gjitha misioneve françeskane në Shqipëri.

Në vitin 1906 u emërua provinciali i parë i Provincës Françeskane Shqiptare, Atë Lorenc Mihačević, i cili kishte vendosur provincialatin te Arra e Madhe.

Nën drejtimin e tij hapësira zgjerohet më tej dhe bëhet e mjaftueshme dhe mjaft e përshtatshme për ndërtimin e një kishe dhe zgjerimin e rezidencës. Themelet e kishës së re u hodhën në vitin 1914 nga Atë Pal Çurçija, që atëherë ishte Kryetar i Kuvendit dhe Atë Vinçens Prennushi, i cili ishte kujdestar, ndërsa projekti i Kishës ishte realizuar nga Atë Gjergj Fishta.

Muret e kishës u ngritën 2 metra, por për mungesë fondesh dhe si pasojë e Luftës së Parë Botërore ngelën ashtu deri në vitin 1931. Në këtë vit, Kryetari i Kuvendit, Atë Severin Lushaj me bamirësi të ndryshme arriti t’i ngrinte muret deri në gjysmë. Pastaj në maj të vitit 1933, punimet do t’i vazhdonin dy guardianët që erdhën pas tij, Atë Tomë Bicaj e Atë Pal Dodaj. Në drejtimin e Atë Tomë Bicaj u plotësua ndërtesa, u ngrit kompanjeli i lartë 28 metra dhe u vendos këmbana.

Më 7 tetor të vitit 1934 u bekua Kisha e re, me përmasa 18.80 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, me një presbiter 10 metra të gjatë dhe 6.70 metra të gjerë. Kisha iu kushtua Zojës së Rruzares së Shenjtë. Pas Atë Tomë Bicajt, drejtimet e punimeve i mori Atë Pal Dodaj. Ai punoi altarin e madh, 2 kapelat anësore, lidhi Kuvendin me Kishën, ndërtoi sakristinë e korin dhe bëri disa stoli të brendshme. Gjatë punës ndihmuan shumë dhe besimtarë të zonës, të cilët u kujdesën jo vetëm për ecurinë e punimeve, por edhe për materialet e nevojshme për përfundimin e ndërtimit të Kishës.

Ardhja e komunistëve në pushtet dhe “Revolucioni Kulturor”.

Pas marrjes së pushtetit nga qeveria komuniste, një valë e egër shkatërrimi dhe persekutimi do të binte mbi komunitetet fetare dhe klerikët, si përfaqësues të tyre. Për Klerin Katolik Shqiptar, padyshim që ishte periudha më e vështirë në histori. Në shkurt të vitit 1967, pas fjalimit programatik të diktatorit E.Hoxha, “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, në mënyrë anti-kushtetuese, Shqipëria u shpall i pari dhe i vetmi vend ateist i Botës.

Çdo praktikë fetare ishte e ndaluar, si për klerikët ashtu dhe për besimtarët, ndërsa pjesa më e madhe e objekteve të kultit u shkatërrua, apo iu tjetërsua përdorimi. Kështu, më 19 mars të vitit 1967, në Kishën e Zojës Rruzare u kremtua mesha e fundit në qytetin e Shkodrës.

Pas përfundimit të meshës të gjithë meshtarët dhe françeskanët që banonin në Kuvendin e Arrës së Madhe u detyruan ta lironin atë. Kuvendi bashkë me Kishën u sekuestruan nga shteti.

Pasi u mbyllën dhe u bastisën nga komunistët, Kisha i kaloi në përdorim Fabrikës së Trikotazhit, e cila gjendej aty pranë dhe shërbeu si depo kripe, ndërsa kompanjeli i saj u shkatërrua.

Kuvendi për disa vite shërbeu si shtëpi për jetimë, derisa me kalimin e kohës institucionet shtetërore e braktisën plotësisht, duke e lënë ndërtesën të shkatërrohet. Vala e persekutimit kundër Urdhërit Françeskan ishte mjaft e egër. Janë në fakt 14 françeskanë shqiptarë të vrarë ose të vdekur nga torturat në burg, 32 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 27 në punë të detyruar.

Ndërsa 8 prej tyre janë pjesë e grupit të 38 martirëve të fesë, të cilët u shpallën të lum nga Selia e Shenjtë, më 5 nëntor të vitit 2016 në Shkodër.

Rihapja e Kishës dhe themelimi i Famullisë së re të Zojës Rruzare.

Nëntori i vitit 1990 ishte muaji i ngjarjeve të mëdha në Shqipëri, pasi u kremtua mesha e parë publike, pas 23 vitesh që feja ishte e ndaluar. Ajo u celebrua në Varrezat Katolike të Rrmajit më 4 nëntor. Pak ditë më vonë, më 6 nëntor, pasi banorët e zonës e kishin pastruar dhe rregulluar me shumë përkushtim, u kremtua mesha e parë në Kishën e Zojës Rruzare. Kremtimin e udhëhoqi Dom Ndoc Nogaj, i cili në prill 1991 rithemeloi “Veprimin Katolik të Rinisë” dhe në nëntor të po atij viti “Shtypin Katolik Shqiptar”.

Duke qenë se ishte paramenduar rihapja e Kuvendit Françeskan dhe rikthimi i pronës Provincës, në vitet në vazhdim u kryen shumë punime të rëndësishme restauruese, duke i kthyer edhe një herë hapësirës identitetin e mëparshëm. Kështu, me datë 28 nëntor të vitit 1999, Shkëlqesia e Tij, Imzot Angelo Massafra ofm, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës, shpalli zonën e re pastorale me qendër Kishën e Zojës Rruzare dhe Kuvendin. Përgjegjës i saj u emërua Atë Flavio Cavallini. Ndërsa 2 vite më vonë, më 7 korrik 2001, zona shpallet përfundimisht “Famullia e Zojës Rruzare”, te Arra e Madhe, ku famullitar i parë i saj emërohet Atë Marjan Lumçi.

Më 14 janar të vitit 2000, françeskanët më në fund hynë në Kuvendin e ri të Arrës së Madhe, që përsëri u bë guardianat. Për një periudhë kohe aty ishte edhe Kuria e provincialit, pastaj u kthye kuvend për françeskanë me kushte të përkohshme, e më në fund Seminari i vogël Françeskan. Në një periudhë, Arra e Madhe u bë shtëpi filiale e Kuvendit françeskan të Gjuhadolit (2006-2015), e pastaj përsëri guardianat.

Sot Kuvendi i Arrës së Madhe shërben si guardianat, shtëpi formimi për seminaristët dhe konvikt.

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...