Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për shumëçka, që nga ndryshimet e mundshme në parti, tek një përgjigje për Lulzim Bashën.
E pyetur për deklaratën e presidentit Ilir Meta para zgjedhjeve, që do të kthehet në krye të LSI në përfundim të mandatit të kreut të shtetit, duke theksuar se kushdo është i mirëpritur për t’u kthyer në LSI, për të kontribuar në forcimin e demokracisë.
“Nuk mund të flas për këtë, nuk e kam diskutuar, di të them se LSI mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë për të forcuar demokracinë dhe për të rikthyer demokracinë në shoqërinë shqiptare që ka qenë e brishtë këto vitet e fundit”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi iu përgjigj kryedemokratit Lulzim Basha i cili e cilësoi presidentin Ilir Meta pjesë e trekëndëshit të Bermudës, duke e grupuar me Berishën dhe Ramën. “Për mua asgjë e re nga fronti i lindjes”, u shpreh Kryemadhi.
Lidhur me konfliktin e brendshëm në PD mes Bashës dhe Berishës, Kryemadhi nuk preferoi të komentonte duke deklaruar se LSI ka pasur gjithmonë angazhim të qëndrueshëm. Ajo tha se nuk ka rëndësi raporti që LSI ka sot me PD por situata ku ky kuvend po e çon Shqipërinë.
“Ajo që dua të theksoj, është se nuk kanë rëndësi marrëdhëniet e LSI me PD. Në parlament sot ka një tango teatrale që po rrit borxhin drejt falimentimit të shtetit për të vazhduar me marrëveshje pa transparencë. Sot jeta e shoqërisë shqiptare nuk artikulon për gjëra të rëndësishme për ekzistencën e të rinjve”, tha ajo.