Budapesti po bëhet shpejt një nga destinacionet kryesore të udhëtimit në Europë, veçanërisht në dimër kur kryeqyteti i Hungarisë konsiderohet si një ndër më të bukurit.
Duke ofruar një atmosferë komode dimërore me krijime arkitektonike romantike, Budapesti merr një pamje spektakolare Krishtlindjesh. E pasur me kulturë dhe tradita, dimri këtu ndjehet si në përralla e cila tërheq vizitorët nga e gjithë bota në “Perlën e Danubit”, duke shijuar një përvojë magjike.
Tregjet e saj të Krishtlindjeve dhe sheshi, në të cilën ndodhet fusha e patinazhit ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të përsosur të dimrit se bashku me banjot termale, karakteristikë të Budapestit. Më poshtë, ju vijmë në ndihmë më një guidë, e cila ju liston 10 gjërat kryesore që duhet të bëni në Budapest, nëse e vizitoni atë gjatë dimrit:
1.Tregjet e Krishtlindjeve
Tregjet e Krishtlindjeve të Europës Qendrore janë ato që lakmohen më së shumti, por ofertat e Budapestit janë ato që bëjnë diferencën. Duke u zhvilluar nga nëntori deri në fillim të janarit të çdo sezoni, tregjet mirëpresin numër të madh vizitorësh nga e gjithë bota dhe ofrojnë një përvojë autentike të Krishtlindjes Hungareze.
Tregu ‘Squarerösmarty Square’ është një nga më të njohurit në Europën qendrore, si dhe një nga më të vjetrit në Hungari, i famshëm për ushqimet e tij tradicionale hungareze, duke përfshirë langot, tortën e oxhakut dhe salcice lokale, dhe një shumëllojshmëri produktesh të tjera. Ndërkohë, tregu i Krishtlindjes së Bazilikës së Shën Stefanit, e cila ndodhet përpara ndërtesës spektakolare të Bazilikës, me mbi 160 shtëpiza të mbushura me ëmbëlsira, vepra artizanale dhe arti, verë të bërë vetë dhe dhurata tradicionale të Krishtlindjes, tërheq vëmendjen e mijëra vizitorëve nga e gjithë bota.
2.Patinazhi në akull, në parkun e qytetit
Qyteti i Budapestit është deri tani destinacioni më i famshëm i patinazhit në Europë. Vendosur drejtpërdrejt para Kalasë së Vajdahunyad në buzë të City Park, të apasionuarit pas këtij lloj sporti, grumbullohen në sheshin e patinazhit çdo dimër midis fundit të nëntorit dhe mesit të shkurtit. U hap për herë të parë në vitin 1870, dhe ky shesh patinazhi në akull është një nga më të vjetrit dhe më të mëdhenjtë në Europë, i cili gjatë verës është i mbushur me ujë dhe shërben si një liqen për shëtitje me varkë për turistët.
3.Shfaqje e dritave përpara katedrales së Shën Stefanit
Bazilika e Shën Stefanit është me të vërtetë një arkitekturë e bukur, por ajo që e bën atë edhe më të këndshme për syrin është shfaqja shumëngjyrëshe e dritave që zhvillohet atje gjatë gjithë vitit. Sezoni i dimrit ofron përvojën më të mirë të shfaqjes së dritave, ku tregimet fetare dhe fabulat recitohen nën shoqërinë e dritave dhe muzikës. Animacionet 3D verbuese rrezatohen në pjesën e përparme të ndërtesës, duke krijuar shpesh iluzionin se po lëviz ose po bie. Shfaqja e dritave zhvillohet çdo gjysmë ore nga ora 16:30 deri në orën 22:00 gjatë dimrit.
4. Spa dhe banjot termale
Budapesti me të drejtë njihet ndryshe dhe si “Qyteti i Spa-së”, falë 118 burimeve të tij natyrore termike që shpërndajnë 70 milion litra ujë terapeutik çdo ditë. Banjat turke këtu janë mrekullisht të bukura, të njohura në të gjithë botën për përfitimet e tyre relaksuese dhe medicinale. Të zhyteni në banjot e famshme të Széchenyi gjatë dimrit është një përvojë se papërsëritshme.
5. Shtëpia e Operës Shtetërore Hungareze
Projektuar nga arkitekti i njohur Miklós Ybl, Shtëpia e Operas Shtetërore Hungareze, e cila u përfundua në 1884, mbetet saktësisht e njëjtë si kur u ndërtua më shumë se 130 vjet më parë. Ndërtesa mbresëlënëse është bërë një thesar ikonik kombëtar. Çdo vit mijëra vizitorë, nxitojnë të gjejnë një biletë për të shijuar një shfaqje brenda shtëpisë së operës. Admiruesit e baletit dhe operës janë tërhequr në këtë lokacion për shkak të shfaqjeve me cilësi të lartë të shfaqjeve përfshirë “Arrëthyesin”, “La Boheme”, “Billy Elliot”, “Flauti Magjik” dhe “Tosca”.
6. Tramvaji i dritëve
I mbuluar me mbi 39,000 drita, “tramvaji i dritave” të Krishtlindjeve në Budapest, ose Fényvillamos, është vënë në veprim në të gjithë qytetin nga ora 17:00 çdo mbrëmje përgjatë dhjetorit dhe fillim të janarit. Një risi e cila, sigurisht që i tërheq vizitorët në frymën e Krishtlindjes. Tramvaji 50-vjeçar Ganz UV qarkullon kryesisht në tramvajin e linjës 2, por funksionon me linja të tjera në pjesë të tjera të qytetit.
7. Lundrimi përgjatë lumit Danub
Lumi Danub shtrihet në zemër të Europës nga Gjermania në Detin e Zi, dhe Budapesti është një nga vendet kryesore. Ekstremisht i populluar si në muajt e verës ashtu edhe në dimër, turistët nga e gjithë bota lundrojnë në lumë për të shijuar pamjet e peizazheve si ndërtesa e Parlamentit, Kalaja e Budës, Statuja e Lirisë dhe ishulli Margaret, të cilat mund të shihen të gjithë nga lumi. Nëse qëndroni në Budapest vetëm për disa ditë, mënyra më e mirë për të eksploruar gjithë qytetin është të merrni një nga lundrimet dimërore të lumit Danub i cili zgjat disa orë dhe shtrihet nga njëri skaj i Budapestit në tjetrin.
8. Vende të ‘’rrënuara’’ të cilat janë shndërruar në lokale
Ndërtesat e rrënuara të Budapestit, ofrojnë vende interesante dhe unike që janë perfekte për të shijuar një pije dhe për të parë qytetin në të njëjtën kohë. Ndërtesa të ndryshme, të shkatërruara dhe hapësira të jashtme janë shndërruar në zona me bare dhe restorante që shërbejnë ushqime dhe pije me çmime të arsyeshme gjatë gjithë vitit.
9. Rruga Andrassy dhe Rruga e Modës
Të bësh blerje në Budapest gjatë dimrit është një përvojë magjike. Jo vetëm që do të keni mundësi të vizitoni butikët më të mirë, por edhe do të shijoni frymën e Krishtlindjes në bulevardet e dekoruara bukur. Andrassy Avenue dhe Fashion Street janë dy nga destinacionet e saj më të njohura për blerje dhe turistikë në çdo kohë të vitit. Duke u shtrirë midis Sheshit të Heronjve dhe Sheshit Elizabeth, Andrassy Avenue ‘strehon’ Gucci, Ralph Lauren, Louis Vuitton, Burberry dhe Rolex. Dyqanet këtu janë zakonisht të hapura nga ora 10 e mëngjesit deri në 9 pasdite në muajt e dimrit.
10. Kalaja Buda dhe Várkert Bazár
Buda Castle dhe Várkert Bazár janë ‘’xhevahire në kurorën’’ e Budapestit. Kështjella ikonike Buda është një ndërtesë e fuqishme, e bukur dhe imponuese që mbikëqyr qytetin, ndërsa Kalaja e Kopshtit, ose Várkert Bazár, bashkon artin dhe natyrën me një përzgjedhje të bareve dhe restoranteve në natyrë. Të dy vendet ofrojnë koncerte, shfaqje teatrale dhe baleti gjatë gjithë vitit, por sezoni i dimrit shënon përiudhën më të bukur falë organizimeve që bëhen për festat e fundvitit.