Kur Shtjefën Palushi (Tefa), tregonte si do ishte Shkodra në komunizëm

Nga Duro Mustafai

 

Shtjefën Palushi ishte i njohur, jo vetëm në Shkodër, por në tërë Shqipërinë. Natyra a Perëndia e kishte bërë atë njeri me pamje jo fort të bukur. Po jo i bukur dhe i shëmtuar ishte edhe filozofi i madh i antikitetit grek, Sokrati. Madje, Shtjefni tallej shpesh edhe me pamjen e tij, njëlloj si filozofi grek… Në redaksinë e gazetës “Drita”, ku shpesh botonte karikaturat e tij, ashtu si edhe tek “Hosteni, ai solli atë ditë nja dhjetë karikatura. Të gjitha ishin me tema shoqërore. Por ndërmjet tyre edhe një karikaturë-portret me fytyrën dhe trupin e shëmtuar të vetë autorit. Redaksia i pranoi për botim të gjitha karikaturat, me përjashtim të karikaturës, ku shfaqej portreti i tij.

 

-Po këtë pse nuk e botoni?,- bëri sikur u zëmërua Shtjefni.
– Pse nuk e sheh sa e shëmtuar është ajo?,- i thanë
-E shëmtuar?!,- po ajo, jam unë, kështu më ka bërë Perëndia. Dhe shpejt do bënte korrigjimin… “Kështu më ka bërë natyra, more shokë. . Ju doni realitetin, apo….? Çfarë të bëj unë, të them që s’jam unë, e të paraqes një tjetër pikturë, duke thënë se ky, është portreti im, e ky këtu, jam unë? Ndërkohë, të gjithë shpërthyen me të qeshura, e bashkë me ta edhe Tefi, të cilit si mbeti gjë tjetër veç të paloste portretin-karikaturë të tij, ta fuste në çantë e të largohej.

 

Shtjefën Palushi kishte dhuntinë e një piktori karikaturist të talentuar, po kishte edhe mençurinë e artistit të humorit, që me një fjali e batutë, të bënte të qeshje, por të vinte edhe në mendime. Prandaj Shtjefni kishte fituar dashurinë e njerëzve edhe për karikaturat e tij interesante, botuar në shtypin e kohës, po sidomos për batutat e mençura që lëshonte në biseda mes miqsh, që përhapeshin me shpejtësi, ashtu si edhe ato të humoristëve të tjerë shkodranë, do të vinin në Tiranë e nëpër Shqipëri. Batutat e Shtjefnit ishin të shumta e të ndryshme, të fushave shoqërore e politike.

Ato kishin brenda kripën dhe piperin djegës. Sado indirekte, kuptohej që goditnin mënyrën e jetesës socialiste, kuadrot dhe njerëz me përgjegjësi. Por kur merrej vesh se autor i tyre ishte Shtjefën Palushi, organet e partisë nguronin të merrnin masa ndëshkimore. “Atë e ka dënuar natyra, thoshin, ç’ta dënojmë edhe ne. Vetëm le ta këshillojmë”.E në këtë mënyrë Shtjefni kishte fituar statusin e njeriut të pa prekshëm. Kështu ndodhi edhe në atë ditë të nxehtë vere, në mes të Shkodrës. Shtjefni shkon tek një akulloreshitës dhe e pyet se sa kushtonte kazani me gjithë akullore që qëndronte mbi karrocë.

 

– Po ç’të duhet gjithë kjo akullore, mor Tef,- i thotë shitësi,- se mund të jenë këtu nja njëqind kaushë.
-Edhe më shumë më duhen, po ti më thuaj, sa para do?
-I gjithë kazani me akullore bënë gjashtëmijë lekë,- i thotë shitësi,- me mendimin se aq para nuk duhet të kishte Tefa në xhep. Gjashtëmijë lekë ishte rroga e një mësuesi. Po Shtjefni nuk e zgjati, i jep paratë shitësit dhe e urdhëron. “Njitash jepi popullit akullore pa para”. Dhe vetë zuri një hije peme në trotuarin përball shitësit që të shikonte si do reagonin njerëzit.
Ditë më parë kishte dëgjuar në format e arsimit politik që: “në komunizëm njerëzit do të hanin sipas dëshirave e do të punonin sipas mundësive”.

 

Tani Shtjefni, sipas parafytyrimeve të tij, desh të realizonte i pari këtë objektiv të largët. Po shitësi i akullores do të gjente belanë, se të gjithë ata që shkonin rrugës, kur merrnin vesh se akullorja jepej gratis grumbulloheshin atje. Bezdia më e madhe ishin fëmijët, të cilët shtynin, ulërinin e thërrisnin me të madhe: “Edhe mua, edhe mua”. Kur e ndjenë veten të ngopur, nisën të qëllonin njëri-tjetrin në fytyrë e në trup. Ndërkohë, në këtë lojë do të përfshiheshin edhe të rriturit. Kjo skenë zhurme e përleshjeje me akullore tërhoqi vëmendjen e të vetmit polic që bënte rojë pranë kafes “Arra e Madhe”. I revoltuar, polici iu vërsul me sharje akulloreshitësit.

– Çfarë jeni duke ba, mor hajna, se shqetësuat tanë Shkodrën?! Shitësi shpjegoi se këtu akullorja për herë të parë jepet pa para, e kjo solli gjullurdinë.
– Si the, si the? Akullorja jepet pa para? Po ku jemi na, në komunizëm?
-Jo, jo, shoku polic, akullorja shitet, po shoku Shtjefën e bleu të tërë, e më tha “Jepi popullit akullore pa para”. Ja, Shtjefni është atje, te trotuari shoku polic. Më mirë bisedoni me të.

 

Dhe polici ashtu bëri. Pa e larguar inatin për atë që kishte ndodhur, iu afrua Tefës me pyetjen: -Po ti, mor Tef, çfarë po banë, ushqen Shkodrën me akullore dhe ata para syve të tu bëjnë gjullurdi? Pa më thuaj, kush të mësoi dhe pse e bëre atë që nuk e ka bërë askush?
Shtjefni me gjakftohtësi do të përgjigjej: “Desha të di, si do të jetë Shkodra në komunizëm, shoku polic”.

Polici, inatosur për përgjigjen tallëse desh ta merrte lidhur përpara për në rajonin e policisë, por hoqi dorë, duke menduar se Tefën askush nuk e dënon. Atë e ka dënuar Natyra, e Perëndia. E, këtë e di e tanë Shkodra, siç ma thanë ta dija edhe unë. Këtë e mësova rastësisht gjatë një shërbimi si gazetar, në Shkodër. Ma tregoi korrespondenti i rrethit të Shkodrës në ato vite, kolegu e miku im, Rifat Dajti. Tefa vdiq fare i ri, ai u nda nga jeta në moshën 42- vjeçare.

 

Autori Shkrimit, Duro Mustafai
Me rastin e 70 -vjetorit të lindjes së tij, Presidenti i Republikës e dekoroi atë me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...