Ndrek Prela, gjashtë dekadat e roleve të vogla që u mëkoi shpirtin e tij të madh

Nga Albert Vataj

Ndrek Prela është një zë jo i potershëm në kujtesën e artit skenik shqiptar. Por emri dhe vepra e tij e dallojnë lehtësisht nga gjithë ajo galeri e pasur e artit tonë të skenës dhe kinemasë. Plaku i pakët nga shtati, me sytë e thellë por vezullues, me zërin si pëshpëritje gjëmuese, erdhi për të mbetur ai që do të ngulitet thellë në kujtesë.

Ndrek Prela u lind në Tivar më 20 mars 1920. U shua më 14 tetor 2011 në qytetin e Shkodrës. Mjeshtër i roleve dytësore, të cilave u dha jo më pak rëndësi dhe forcë aktoriale. Ai kaloi fëmijërinë e tij në Argjentinë, ku babai i kishte emigruar për arsye ekonomike dhe që andej familjarisht do të zhvendosej në Shkodër.

Ndrek Prela bëri debutimin e tij në skenë në Shkodër në fund të viteve ‘40 dhe shpejt u bë një nga aktorët më të popullor. Ndrek Prela është i pranishëm thuajse në të gjitha veprat skenike të trupës së dramës së teatrit të Shkodrës, me role të ndryshme e të larmishme.

Në vitin 1963 debuton dhe në kinematografi me një rol dytësor tel filmi “Detyrë e posaçme”, për të vazhduar më pas me filma të tjerë, si “Komisari i dritës”, “Në fillim të verës”, “Në pyjet me borë ka jetë”, “Emblema e dikurshme”, “Balonat”, “Qortimet e vjeshtës”, “Militani”,

“Balada e Kurbinit” etj. Ndonëse atij i’u besua rolet e dyta, Ndrek Prela i skaliti ato me përgjegjësi të lartë artistike. Ishin ato role, personazhet dhe karakteret që jetësoi ai, të cilat shërbyen krijimit të atij profili që nuk ka të dytë. Tiparet karakteristike fizike, jo më pak zëri i tij tejet i veçantë e dallojnë dhe bëjnë të spikasë mes dhjetra e qindra aktorëve që pasuruan artin skenik shqiptar.

Gjyshi tek filmi “Komisari i dritës”, xha Rizai tek “Në fillim të verës”, Xhiko tek filmi “Në pyjet me borë ka jetë”. Jeta e tij skenike ishte e pasur dhe e larmishme. Fadil Kraja kujton se Ndrek Prela ka luajtur mbi 400 herë rolin e Gjelosh Nikës tek “Fisheku në Pajë”, mbi 150 herë rolin e Ramiz Çulës tek “Çështja e Blertë”.

Në teatër, Ndrek Prela dha një kontribut të vlertë. Aktroi me një ndjeshmëri të lartë, derdhi këtë lëndje ndjesor në shpirtin e çdo rili që e përfaqëson përfshirjen tërësore në gjithë komponentet përmbyllës të një prurje skenike! Në teatër më shumë se në sheshxhirimet ai krijoi dhe profilin e tij artistik dhe të veçantë. I skaliti, u dha botë, i mëkoi jetë e kujtesë nga e tija.

Te pavdekshme mbeten shprehjet e tij: “Duajeni artin… Sepse sa më shumë që ta doni atë, aq më pak punë do të kenë gjykatësi e polici.” “Duhet të mbetesh në mendjet e njerëzve dhe në përcjelljen e gjeneratave… Duhet t’u dhurosh vlerat e roleve dhe shenjat semiologjike të artistit”

Për të kishte qenë e shkruar që të bëhej aktor. Ndoshta askush nuk kishte menduar ndonjë lidhje me skenën apo filmin, por rastësia nuk është gjithmonë e tillë, së paku, në rastin e aktorit. Në shtëpinë e familjes Gera, nip në të cilën ishte Ndreka, organizoheshin karnavalet e Shkodrës. Dhe… ndoshta këtu ka qenë dhe lidhja e parë e padukshme e aktorit me profesionin e tij. Ndoshta…

Çfarë më ka thënë Ndreka… “Unë jam msu me folë gjithmonë me letra përpara, çfarë ka shkruar Fadil Kraja, Gorki, Ibseni, Molieri, Ndrekë Luca… Unë nuk kam mendu asnjëherë se kam ba ndonjë punë kushedi se çka. Vetes nuk i kam njoftë ndonjë meritë. Veç, ama, kam punu me mish e me shpirt. Kjo asht e vërteta. Kjo asht merita që kam.

“Me ju thanë të drejtën dëshirën për t’u bërë aktor nuk e kam pasë ndonjëherë… Ndoshta ju duket çudi, por as nëpër mend nuk e kam

Role të Ndrekës në teatër: *”Shtatë shaljanët” (roli i Ndrekës), *”Trumbetjerja”, *”Tragjedi optimiste” (në rolin e marinarit), *”Kunora e Nurijes” (në rolin e Hoxhë Kobures), *“Lagjja e varfër”, *“Plaku i maleve” (në rolin e Sadriut), *”Familja e Adamit”, *”Këneta” (në rolin e inxhinier Mborjes), *”Fisheku në pajë” (në rolin e Gjelosh Nikës), *”Përkolgjinajt”, “Çështja e Blertës” (në rolin e Rahmi Sulës) etj.

Role të Ndrekës në film: Aktori Ndrek Prela interpretoi në 13 filma. Filmi i tij i parë është “Detyrë e posaçme”, 1963, ku ishte në rolin e një ndihmësmjeku, – që siç thoshte vetë – ‘vetëm të shëroja nuk dija’. Pastaj me kalimin e kohës merr pjesë tek filmat: “Vitet e para”, 1965; “Këneta” (lundërtari), kushtuar Avni Rustemit (fotografi),

“Komisari i dritës”, 1966 (gjyshi i Shkabajve); “Operacioni “Zjarri”, 1973; “Shpërthimi”, 1974; “Në fillim të verës”, 1975 (babai plak i Verës, Riza Kora); “Në pyjet me borë ka jetë”, 1978 (plaku Xhiku); “Emblema e dikurshme”, 1979; “Balonat”, 1979 (në rolin gjyshi i Dritës); “Ditët që sollën pranverën”, 1979; “Qortimet e vjeshtës”, 1981; “Flaka e maleve”, 1982; “Militanti”, 1984; “Balada e Kurbimit”, 1990 (njëri nga kurbinasit).

Modestia e tij është një vlerë e shtuar e këtij përsonazhi. Ndërsa është pyetur për rolet e gjyshit-plakut, ai mësohet të ketë shtuar: “-E kjo puna e plakut më mbeti “trashëgim” qysh në rolin e parë që pata. Mandej vazhdimisht gati të thuash më kanë ndjekur pleqtë. Pleqtë ose dhe burra të pjekun. Po unë i kisha qejf veç. I kisha qejf, edhe si ju thashë u mundojshim me mish e me shpirt me krijue diçka të re që

shpeshherë s’ma kanë mbushë mendjen, mua vedit. Bile jo një herë më ka ndodhë me ardhë e me m’përgëzue njerëzit. “Faleminderit”, – i thoshja atij që më përgëzonte, po thosha me vete krejt në dyshim: “Ky s’kupton kurrgja!” Unë s’e di se kam ba ndonji send!

Kjo ndoshta, sepse kam qenë shumë kërkues ndaj vetes, kam qenë shumë kërkues edhe ndaj të tjerëve, “i kam mërzit” si thojmë na, i kam ba me lujtë mendsh.

Pjesë e asaj begatie të shpirtit të aktorit Ndrek Prela është edhe dashamirësi, mirënjohja, vlerësimi.

-Unë kujtoj gjithmonë aktorë si Adem Kastrati, një aktor i madh për mua, me të vërtetë i madh. Komunikonte mirë, ishte i sinqertë, pa lojna. Gjithmonë, Vitore Ninon, që gjithmonë ka interpretuar e kurrë nuk ka “luejtë”, Violeta Sekujn, Bep Shirokën, Ymer Balën, etj. Kanë qenë partnerë që e ndihmoshin partnerin e frymëzoheshin dhe kam punuar me dëshirë me ta, mësohet të ketë thënë Ndrek Prela.

-Me regjizorët unë nuk kam qenë ndër aktorët që jam afruar shumë. Nuk i kam kërkuar ndonjëherë në jetën time rol ndonji regjisori, kurrë. Kam pasur dëshirë që të më jepej një iks rol, p.sh. ….,

nuk më është dhënë, mua nuk më ka ardhur mirë, sepse e shihja se kisha mundësi me e ba, po prapë nuk më ka mbetë hatri. Më asht dhanë një rol tjetër e jo ai që dëshiroja, e unë prapë jam munduar të baj punën time, të aktorit.

Ndërsa për kinematografinë Ndreka ishte i mendimi ajo asht e bukur! Por teatri, për mua, asht ma i bukur! Mendoj se asht ma i bukur, sepse teatri të jep mundësi ta fillosh rolin dhe ta çosh në rritje deri në kulm, pa ndërprerje. Kurse kinematografia, mendoj se copëzohet, nuk jep mundësi, duhet me kenë shumë-shumë i kujdeshëm për të kapë çastet kulminante, pa nji pregatitje paraprake.

Në kinematografi dihet, tashti xhirohet një aspekt; mbas dy orësh një aspekt tjetër jete… Por, edhe në kinematografi aktori duhet të jetë sa më i sinqertë, me një fjalë duhet të interpretojë dhe jo të ‘lozë’. Interpretimi asht e vetmja rrugë për në kinematografi mendoj, loja gjithmonë dështon.

Jeta e aktorit dhe e veprimtarisë krijuese ishte e bukur, por edhe vështirë. “Në një film me Rikard Ljarjen, kujtonte ai, përnatë në orën tetë shkonim në hotel e hanim bukë e rrush, se nuk na qitte hesapi i rrogës… megjithëse u tha se kjo punë do të shikohet… etj., etj.

Një aktor si ai nuk mund të mos kishte diçka për të ndarë qoftë edhe në formën e një këshille për të gjithë ata që kanë lidhur ëndrrat e tyre me artin skenik. “Do t’u këshilloja atyre, që të ndjekin gjithmonë rrugën e interpretimit e jo të lojës. Interpretimit të sinqertë me zemër, e jo në sipërfaqe, sepse me atë interpretim ndihmojnë edhe partnerin, kurse loja, partnerin nuk e ndihmon aspak. Ata duhet të lexojnë me vëmendje monologun e Hamletit në tragjedinë “Hamleti”, aktin e tretë, skenën e dytë, ku dhe janë këshillat që Hamleti u jep aktorëve. Mendoj se, ai është mësimi më i mirë fillimisht për aktorët e ri. Ta lexojnë me vëmendje!”

Roli i fundit për Ndrek Prelën do të datonte më 1975. I fundit sepse mbushi moshën. “E nxorën në pension, sepse “mbushi moshën…”, shkruan një miku i tij. E nxorën në atë kohë kur teatri kishte nevojë më shumë se kurrë për të, sepse ishte e pamundur të zëvendësohej një artist kaq i madh. Përsëri nuk bëri zhurmë.

E dinte se herët a vonë do të kujtohen për të. Siç u kujtuan… pas 9 vjetësh. E thirrën, madje e lutën të interpretonte Rahmiun tek “Çështja e Blertës” dhe i përloti të gjithë spektatorët me lojën e tij shpirtërisht të mbarsur.

E thirrën gjithashtu tek “Franku i V-të” dhe ai erdhi sërish befasues. Dhe këto ishin të fundit kontribute që ai dha në artin skenik shqiptar, për t’u larguar nga skena dhe sheshxhirimet, por duke mbetur përgjithmonë një zë miklues për dëgjimin toën të ëndjeve, për të mos ikur kurrë prej adhurimit që patëm dhe kemi për gjyshërit, të cilët ai i pavdekësoi me gjithçka të veçantë që mëkoi ai.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...