Pas një rruge veçanërisht të vështirë shoferi i maunes hapi krahun, e ndaloi makinën në anë të rrugës, u mbështet në timon dhe e zuri gjumi. Befas dëgjoi një zë:
– Ju lutem, mund të më ndihmoni?
Ishte një femër shumë e bukur, e tipit Brixhidë Bardo, e cila i tha, që kishte makinën me defekt. Shoferi zbriti nga maunia, u afrua te makina e bukuroshes, i hodhi një sy motorit, diçka shtrëngoi dhe pas pesë minutave makina u ndez.
– Shumë faleminderit! Jeni shumë i sjellshëm, kurse unë egoistja ju prisha gjumin. Më vjen shumë zor! Por ju nuk flini dot në makinë… Shkojmë nga unë, ju do të pushoni… E kam afër shtëpinë.. Nesër mund të ktheheni te kamioni juaj, i freskët dhe i çlodhur.
– Të fle te ju? – mërmëriti ai, pa u besuar veshëve.
– Po, po, – ia priti ajo.
Ata hipën në makinën e saj dhe pas gjysmë ore arritën te një vilë luksoze në mes të një parku të madh. Te dhoma e ngrënies qe shtruar darka e pasur.
– Pa shiko! – iu drejtuar shoferi të panjohurës. – Sa bukur! Ju jeni magjistare e vërtetë!
– Ndoshta! – buzëqeshi tjetra!
Pas darkës ajo e gostiti shoferin me konjak të zgjedhur dhe i tha:
– E shoh, që jeni shumë i lodhur. Ejani, ju kam përgatitur shtratin në dhomën e kaltër.
Atë gati po e zinte gjumi, kur papritur u dëgjuan të trokitura të lehta te dera, ai u ngrit dhe, nën dritën e hënës, që hynte nga dritaret e mëdha, dalloi bukuroshen, që mbante veshur vetëm… një varëse me perla. Ajo iu afrua dhe i përshpëriti:
– Kam frikë të fle vetëm, më hapni edhe mua një vend:
– Natyrisht! – nxitoi të përgjigjej ai.
Vajza iu ngjit pas trupit dhe vijoi:
– Lëviz edhe pak, jam shumë ngushtë…
Ai bëri pak më tutje dhe… u rrëzua nga kabina e maunes… Kishte qenë në ëndërr. Sapo u zgjua!