Rrëshqitjet masive të dherave që vazhdojnë prej më shumë se një jave në fshatin Dardhë, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë-Arrëz,
ku rrezikohet një fshat i tërë të përpihet nga masivi i shembjeve, përtej pasqyrimit të kronikave të njëpasnjëshme nga mediat lokale dhe kombëtare, si dhe përpos alarmit të lëshuar nga autoritetet vendore për gjendjen e krijuar dhe pasojat në vijim,
vazhdon të trajtohet si e shurdhët, memece, duke mos marrë vëmendjen e duhur nga instancat përkatëse.
Shtëpi të shembura, banorë në panik, jetë të rrezikuara, familje që kanë humbur gjithçka nga pasuria e tyre, fëmijë që kuturisen në imazhe dramatike, mungesë solidariteti dhe humaniteti nga institucione që paguhen për të ofruar më shumë se aq, janë ngjyra e vobektë e syve të laturisur me të cilën shihet situata nga qendra.
Të sprovuar, banorët e këtyre anëve kanë sfiduar vështirësi të ndryshme të natyrës, madje jetojnë në sintoni me këto vështirësi, duke jetuar dinjitetshëm, ashtu siç e do zakoni dhe kodi moral i këtyre zonave.
Kurrë nuk janë dorëzuar dhe nuk janë përkulur nga tufane natyrore dhe sufurina historike, përkundrazi, kanë qëndruar fort, duke mbajtur të patundur themelin dhe të patjetërsuar korpusin e vlerave që i karakterizon dhe të identitetit të tyre.
Sot, në sytë e këtyre banorëve lexon pezmatimin e braktisjes, nga goja e tyre artikulohen fjalë me nota disfatizmi, shpirti i tyre është në koklavitje me stoicizmin dhe qëndresën shumëshekullore. Janë venitur tiparet e bashkëjetesës së këtyre banorëve me krenarinë e papërkulshmërisë.
Të jetosh me panikun e dridhjes së tokës nën këmbë, është sfida e humbur e njeriut me natyrën, me ligjet e saj, por nuk duhet të jetë beteja e humbur e njeriut për njeriun, ndaj dhe institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë menjëherë, para se të ndodhë ndonjë fatkeqësi me humbje jetësh njerëzore. Oshëtimat e rrëshqitjes së tokës, janë klithma e atyre banorëve për ndërhyrje, për evakuim të menjëhershëm, për rehabilitim të mundësive për të jetuar.
Fëmijët, këtu në fshatin që thërrmohet nga rrëshqitjet dita-ditës, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që lundrojnë në rrjete sociale dhe përjetojnë emocionet e ndërthurjeve të komunikimit virtual me botën reale, janë shumë modestë në kërkesat e tyre; duan shpresë dhe mundësi për të jetuar, për t’u shkolluar, sepse tashmë edhe shkollimi i tyre është ndërprerë, e vetmja rrugë lidhëse është gllabëruar.
Janë skalitur të jetojnë të fisshëm, të kodifikuar në vlera të qënësishme që mbarten nga mosmposhtja e tyre përballë asgjëje, por sot, me sytë nga qielli dhe me buzët e dridhura që si në ofshama lëshojnë tinguj dëshpërues, kërkojnë jo lëmoshë, por i drejtohen fatit të jetë më i mëshirshëm.
Përfaqësuesit e bashkisë janë aty, jetojnë me ata, përpiqen të bëjnë sa të jetë e mundur në administrimin e situatës, japin zgjidhje provizore në funksion të evitimit të ndonjë katastrofe me jetë njerëzish të humbura, por prapëseprapë, mundësitë janë të limituara.
Kryetari Tuci ka kokëçarje të shumta nga kjo situatë, falë dhe sensibilitetit të tij human, kooperon dhe ndërvepron me shumë faktorë, por nuk janë në duart e tij zgjidhjet konkrete. Nuk mjafton predispozicioni i një bashkie, e cila rrëket të japë zgjidhje përtej mundësive të
saj, duhet dora e pushtetit, e mekanizmave të tij, për të ofruar pa e vonuar zgjidhjen e duhur, duke konsideruar standartshëm dhe të barabartë qytetarët e tij.
Dardha, ky fshat i bukur, me premisa të mëdha për zhvillimin e turizmit, me atë çka po përjeton prej pak ditësh, ku rrëshqitjet e formacioneve të tokës e kthyen në fokusin e gjerë të pasqyrimeve mediatike, meriton vlerësimin e duhur të situatës, dhe jo retorikën politike bishtpërdredhëse.
Le të jetë kjo Dardha që nuk e ka bishtin prapa…!
Poligon-al/