Shumë qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova kanë zgjedhur që të largohen drejt perëndimit për një jetë më të mirë. Por ka edhe nga ata që kanë marrë vendimin për tu kthyer në vendlindje dhe për të ushtruar zanatin e tyre në atdhe.
I tillë është rasti i Ali Aliaj, një destilator që la Gjermaninë për tu kthyer në Kosovë dhe për të zhvilluar pasionin e tij për pijet.
Në një intervistë për emisionin “Vizioni i Pasdites”, Aliaj tha se është larguar nga Kosova që në vitet 1990, në disa shtete, e ku pas zhvendosjes në Gjermani filloi punë në një fabrikë për prodhimin e alkoolit.
Aliaj shton se rakinë e ka pirë që në moshën 5 vjeçare.
“Rrugëtimi i m është i ngjashëm me të gjithë atyre të Kosovës që në vitet ’90 ikëm në Perëndim. Fillimisht kam ikur në Zvicër, duke bërë çdo punë e më pas jam transferuar në Portugali e më pas në Gjermani ku edhe fillova tek prodhimi i alkoolit. Në fshat kemi bërë gjithmonë raki e unë si fëmijë e ndiqja procesin dhe babi më ka dhënë që në moshën 5 vjeç një gotë e nuk e kam lënë deri më sot.
Rakia është një alkool që është kthyer në pije tradicionale. Rakinë gjermanët e kanë pëlqyer shumë, sepse ka qenë edhe shumë më e fortë nga sa ata ishin mësuar”, tha ai.
Aliaj më tej shton se ai ka studiuar në Gjermani për destilator, ndërsa vendimin për tu rikthyer në atdhe e mori pasi babai i tij ndërroi jetë.
“Në Gjermani jam takuar me një destilator ku më çoi në një fabrikë dhe mësova si destilohej. Aty kam punuar ku kam mësuar dhe më pas kam studiuar për destilator.
Pas vdekjes së babit, shtëpia mbeti vetë dhe mendova pse ta lë këtë pasuri, natyra jonë është e pasur me erëza dhe fruta e mendova që këto që prodhoj ë Gjermani ti prodhoj edhe në Kosovë. Makineritë i kemi moderne, i kam marrë në Gjermani”, tha Aliaj.