Turistët nxijnë në vlerësime “Maldivet shqiptare”, nga kostot e tek arroganca, ja çfarë nuk u pëlqen

“Sapo mbërritëm tek hoteli në Ksamil, i prezantuari si menaxher na sqaroi rregullat e hotelit me një ton të ashpër dhe trembës. Mos fusni askënd në dhomë. Mos nxirrni peshqirët jashtë dhome, mos pini cigare në dhomë, qetësi pas mesnate, mos sillni ushqim në dhomë. Në gjithë këto vite udhëtim është hera e parë që has diçka të tillë dhe më dha përshtypjen sikur po hyja në burg.

Pasi dolëm me mikun tim për një shëtitje u kthyen në dhomë për dush dhe një cigare ne ballkon. Na trokitën në derë gati sa nuk e rrëzuan përtokë. Na kapi frika dhe nuk e hapën por në mëngjes na shpjeguan se pas mesnate nuk lejohet drita ndezur dhe as televizori hapur”.

Ky është komenti i Larës, një italiane që pushoi në Ksamil në fund të korrikut dhe qëndroi në një nga hotelet e zonës. I marketuar masivisht si një vend përrallor, Ksamili është bërë epiqendra e turizmit këtë vit por duket se biznesi nuk po arrin të mbajnë ritmin e kësaj kërkese duke lënë përshtypjet më negative.

Ksamili është vendi më i lakuar dhe parapëlqyer i këtij viti ashtu si edhe vendi më i nxirë nga komentet negative të pushuesve të huaj që këtë vit në Shqipëri janë përtej çdo parashikimi optimist.

Renditja e Ksamilit në vetëm një muaj nga rishikimet negative të turistëve ka kaluar nga 3.5 në fillim të sezonit në maj, 2.5 në fund të korrikut dhe aktualisht ka zbritur në 2 në Tripadvisor, platformë globale për vlerësimin e përvojave turistike, që merret si referencë nga shumë turistë para se të vendosur ku të udhëtojnë, qëndrojnë dhe konsumojnë ushqim (Në këtë platformë 5 është niveli maksimal i vlerësimit dhe 1 është minimali).

Lufta në forume dhe rrjete sociale për këtë destinaicon është e ashpër dhe komentet që mund të gjesh janë më ekstremët e mundshëm. Prizzle, një komentues në Tripadvisor në një forum të gushtit ka pyetur nëse do të ishte më mirë të rrinte në Ksamil dhe Sarandë apo të ndryshonte destinaconin për në Korfuz.

“Fillimisht kërkova shumë në interes dhe lexova ku në fund vendosa për disa ditë në Ksamil dhe Sarandë. Jam një udhëtare e vetme dhe tashmë me ato që po lexoj nuk jam më ë sigurt nëse duhet të shkoj në Shqipëri apo të qëndroj më mirë në Korfuz dhe të bëj aty një rezervim pasi fluturimin e kam nga aty” shprehet ajo.

Përgjigjet e komentuesve të tjerë janë të dyzuara. Candela G. nga Argjentina ka komentuar se aktualisht ndodhej në Ksamil dhe eksperienca e saj ishte ndër më të bukurat. Plazhet sipas saj janë magjepse dhe “më beso kam vizituar edhe Jugun e Francës, Greqinë dhe Puglian” -thotë ajo. Sa i takon çmimeve nuk i sheh si abuzivë.

Në TripAdvisor, përdoruesi nën emrin “muratdJ1435FF” e ka cilësuar këtë si përvojën më të keqe të tij. “Përveç detit të mahnitshëm, çdo gjë tjetër është shumë keq. Mos shpenzoni kohën tuaj të vini këtu. Ata gati sa nuk ju bëjnë të paguani dhe ajrin. Tregtarët janë inatçorë” – shprehet ai në një koment që e shoqëron me një faturë. Aty ai nënvizon se një pjatë patate të skuqura i ka kushtuar 4.5 euro dhe ketchup-i më vete, 2 euro.

Përdoruesi tjetër “Dreamer11667707888”, në një koment të 23 korrikut, e përmbledh komentin e tij nën titullin, “E shtrenjtë, e ndotur dhe plot me mashtrues”.

“Mos u besoni videove në internet. Edhe pse apartamentet janë ‘të lira’, ju do të humbni një shumë të çmendur parash në ‘restorante’ (skara me ushqim të shpejtë me cilësi të ulët në fakt). Pothuajse të gjithë këtu do të përpiqen t’ju mashtrojnë, veçanërisht tregtarët dhe shoferët e taksive (këta të fundit vijnë te njerëzit në stacionin e autobusit, duke u thënë turistëve se autobusi është anuluar në mënyrë që ata të mund të paguajnë 30+ € për udhëtim 15-20 minutash). Plazhet janë të mbipopulluara dhe nëse nuk paguani 25 € për shezlong, do t’ju vizitojnë rojet e sigurisë, megjithëse asnjë plazh nuk është privat. Kontrolloni fotot që kam shtuar dhe krahasojini me ato që janë paraqitur në internet”.

Turistë të tjerë propozojnë që pjesa sipër Ksamilit dhe Sarandës është më mirë pasi ke mundësinë që të mos paguash për shezlone dhe të shtrosh peshqirin në pjesë të lira të plazhit. Në Ksamil kjo nuk është e mundur sipas tyre për shkak të dendësisë së shezlonave. Ka nga ata që ankohen që kostoja e një shezloni në plazhet rreth Sarandës është 2000 lekë (18 -19 euro), ndërkohë në Ksamil edhe 40 apo 100 euro. Kjo sipas tyre tejkalon planin e buxhetit edhe të një makine me qira.

Një turist gjerman ka bërë thirrje për sabotim të Shqipërisë. “Mos hajdeni këtu, të shohim sa do rezistojnë pa turistë” shprehet ai lidhur me një forum për Ksamilin.

Shqipëria po përjeton vitin më të mirë historik të turizmit deri më tani. Pjesa më e madhe e të huajve shprehin se kostot e lira janë ato që po i tërheqin tek Shqipëria por teksa një pjesë janë vërtet të befasuar nga çmimet, ka nga ata që shokohen duke pritur që vendi ynë të ishte më i lirë. Beteja në rrjetet sociale dhe forume është e fortë dhe për Shqipërinë dhe sidomos Ksamilin dhe Sarandën që janë kryefjala e këtij sezoni ato do të jenë busulla e orientimit për ata që do të duan të na vizitojnë vitin tjetër.

Ndaj në këtë amulli komentesh ajo që mbetet është reflektimi që duhet të ketë Shqipëria dhe operatorët për të përfituar nga ky moment i mirë dhe për ta kthyer këtë lumë kritikash në masa dhe shërbim më të mirë. MONITOR

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...