Skandalet nuk kanë të ndalur në Policinë e Shtetit. Pas zbulimit nga aplikacioni SKY se drejtues të lartë të policisë ishin vënë në shërbim të bandave duke marrë pagesa mujore prej tyre, sëfundmi është zbuluar edhe një linjë e paautorizuar internet në Forcën e Posaçme Operacionale, e cila dyshohet se është përdorur pikërisht për qëllime të transferimit të të dhënave në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, pak ditë më parë ndodhi një skandal tjetër, që lidhet me marrjen e të dhënave nga sistemi TIMS, ndërkohë që përgjegjës për sigurinë e rrjetit është pikërisht AKSHI, i cili e ka marrë të drejtën prej disa vitesh për të menaxhuar rrjetin, shkruan AlbEu.com.
Pavarësisht kësaj, burime bëjnë me dije se persona të pautorizuar kanë patur akses në këtë rrjet duke parë apo marrë të dhëna edhe nga sistemi TIMS.
Padia
Duket se skandali është bërë aq i madh sa tashmë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka filluar hetimet për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se kanë nxjerrë të dhëna jashtë përmes aksesit të paautorizuar me linja interneti apo edhe me IP të caktuara.
Jo më kot sot, AMP ka kallëzuar penalisht Tiranës Forcën e Posaçme Operacionale, pasi është zbuluar se në këtë strukturë është përdorur një linje e paautorizuar Interneti. Mësohet se kallëzimi është bërë në korrik.
Përdorimi i një linje të paautorizuar interneti ngre dyshime të forta se mund të jetë përdorur për transferim të dhënash. Hetimi është mbajtur top sekret dhe prokuroria nuk bëri komente në lidhje me rastin, ndërsa nuk dihen ende se cilët janë zyrtarët e kallëzuar.
Ky dyshim ka ardhur dhe pas konsultimeve me njohës të mirë të specialistëve të IT-së. Po ashtu ka dyshime se kjo linjë mund të jetë përdorur dhe për hakerim. Kallëzimi i AMP është bërë para se ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri të arrestohej.
Si funksionon
Rregulli dhe ligji e do që sisteme të sigurisë të veçantë, siç janë ato të Policisë së Shtetit apo sisteme të ngjashme që kanë të dhëna sensitive, të jenë në një rrjet të mbyllur pa akses nga jashtë. Por duket se rrjeti i menaxhuar nga AKSHI është bërë “autostradë” ku çdokush që ka patur një IP të caktuar ka mundur të futet edhe në të dhënat e sistemit TIMS duke përgjuar lëvizjet e personave të ndryshëm, gjë e cila është një shkelje e rëndë e ligjit.
Bën mirë që krahas policëve, AMP të shohë hapësirat ligjore që të merret edhe me mënyrën se si AKSHI ka menaxhuar rrjetin duke e bërë një han pa porta. /albeu.com