Gazetari Adriatik Doçi në një reagim në llogarinë e tij në ‘Facebook’ ka komentuar çështjen më të nxehtë të politikës, atë të ndërtimit të kullës në mes të qendrës së Tiranës. Doçi ka renditur faktet që do të nxjerrin blof djalin e ish-kryeministrit. Bazuar tek deklarata e fundit e Shkëlzen Berishës ku shprehej se ka rreth 17 vite që jeton me qera dhe nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie pune me qeradhënësit, Adriatik Doçi ka hedhur dyshimet e forta duke i zbardhur kështu skenaret e errëta që fshihen pas një ndërtimi të kullës.
“Besoj se Shkëlzen Berisha është aksioner kryesor në disa prej kullave dhe resorteve në Tiranë dhe bregdet. Besoj se ka bërë qindra milionë euro duke përdorur pushtetin e babit deri në 2013, para të cilat ua ka kaluar për menaxhim disa biznesmenëve të caktuar, të cilët kanë përfituar para, leje dhe prona publike, si gjatë pushtetit të Berishës, ashtu edhe të Rilindjes. Besoj se edhe pas vitit 2013 deri më sot, përdor ‘gojën shpifëse të babait’ për të zhvatur biznesmenë. Besoj dhe ka indicie se është një nga ‘urithët’ e pastrimit të parave në Shqipëri. Shkëlzen Berisha deklaron se ka 17 vite që jeton me qira. Fakti është se Shkëlzen Berisha, në deklaratat vjetore të pasurisë, nuk ka deklaruar prej vitesh shpenzime për qira. Ligji për deklarimin parashikon që subjekti duhet të deklarojë çdo shpenzim mbi 300 mijë lekë. Po marrim deklaratën e një prej viteve, viti 2018. Në formularin e të ardhurave dhe shpenzimeve, Shkëlzen Berisha nuk deklaron shpenzime për qiranë. Deri në vitin 2015, Shkëlzen Berisha deklaron pagesë qirajë për vilën në Lundër, rreth 1 mijë euro në muaj, ndërkohë që kishte vetë kishte dhënë një apartament tek ETC me qira mbi 50 mijë euro në vit.
Çfarë ndodhi që Shkëlzen Berisha nuk deklaron shpenzime qiraje që nga viti 2015, ndërkohë që pretendon publikisht të kundërtën”, shkruan Adriatik Doçi. Ndërkohë nga një vëzhgim i gazetës “Tema” në disa agjenci në Tiranë mbi çmimet e qirasë në zonën rezidenciale Rolling Hills na rezulton se çmimet lëvizin nga 6 deri në 10 mijë euro në varësi të tipit të vilave. “Tre vila të ngjashme me Shkëlzen Berishën afër tij, janë dhënë me qira 7500 euro dhe 8 mijë euro. Vila e Shkëlzen Berishës në emër të Shtufit është me tri kate dhe është maksimumi i tipit të vilës që ekziston për klientët në atë rezidence dhe çmimi i saj mund të shkoj dhe deri në dhjetë mijë euro. Çdo çmim tjetër, sidomos çmimet simbolike që bëhen për të justifikuar qiranë, janë një dëshmi më e fortë e qirasë fals për klientë të tillë. Nga ana tjetër Shkëlzen Berisha ka disa apartamente luksoze në Tiranë, tek Garda, në hyrje të Liqenit, tek ETC, tek pallati ku jeton babai i tij etj. Është e çuditshme se si një njeri që ka kaq shumë prona preferon të jetoj formalisht me qira simbolike sa të mbuloj pronësinë reale”, thuhet në artikull.