Infeksioni që prek të vegjëlit te goja, duart dhe këmbët është rikthyer gjatë kësaj periudhe sipas specialistëve. Mjekja pediatre Sonila Brati shprehet se ky infeksion viral ka shtuar numrin e pacientëve që kanë nevojë për trajtim.
“Ka një rikthim të këtij virusi, e kemi hasur fillimisht në 2021-in dhe tani është rikthyer në periudhën e Qershorit. Kemi shtim të rasteve, fëmijë që paraqiten tek ne që kanë temperaturë, elementë në pjesën e brendshme të gojës, të pëllëmbëve të duarve, këmbët. Është një infeksion viral.”
Përveç temperaturës disa shenja të tjera të virusit ngjitës që prek kryesisht fëmijët e çerdheve dhe kopshteve janë mungesa e oreksit apo dhe rënia e imunitetit.
“Mund të japë dhe në formë diarreje, pacienti paraqitet shpesh herë i lodhur, ka mungesë oreksi, vështirësi në të ushqyer dhe në pjesën më të madhe të rasteve merret nga kolla, teshtima, puthjet, përqafimet, lodrat e përbashkëta. Trajtimi me ibuprofen ose paracetamol që të kalojnë simptomat.”
Specialistët theksojnë se ky infeksion zgjat rreth 7 ditë ndaj u rekomandojnë prindërve të mos i dërgojnë të vegjlit në çerdhe apo kopsht, për shkak se përhapet lehtësisht tek fëmijët.