Fiks Fare/ Miliona euro për luksin e shtetarëve, magazinierja: Depot plot, i fryjnë kostot e tenderëve!

Fiks Fare denoncoi abuzimet me tenderët e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, e cila administron vilat dhe rezidencat.

Një “ushtri” prej 203 personash u shërben krerëve të shtetit, nga drejtuesit, kuzhinierët, kamerierët dhe pastrueset personale të tyre. Redaksia e Fiksit shfletoi dhjetëra dokumente të tenderëve, ku kërkohen të blihen mallra cilësorë, me veshje ari, mëndafshi. Por, në realitet, në magazinat e Drejtorisë Qendrore janë mallra skarco, të cilët kanë mbushur ambientet dhe askush nuk i tërheq. Ndërkohë, fiksi shfletoi edhe dokumente për blerje ushqimesh, ku për 2023-shin do të blihen 25 milionë ushqime deti.

Miliona euro për rikonstruksione, enë kuzhine …

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka në organikë 203 persona, të cilët janë në gatishmëri për pushimet, pritjet, përcjelljet e krerëve të shtetit. Kjo drejtori ka nën administrim Pallatin e Brigadave, Pallatin e Kongreseve, 10 vila pushimi dhe Qendrën Rezidenciale në Durrës. Çdo vit, kjo drejtori tenderon miliona euro për restaurime, blerje materiale, ushqime, madje edhe për shërbime luksoze. Fiks Fare hulumtoi dokumentet e tenderëve, ku rezulton se javët e fundit është shpallur fituesi për restaurimin e Vilës Nr.5, në Tiranë. Vlera e këtij tenderi është plot 5 milionë euro. Ndërkohë, e njëjta drejtori ka hapur edhe tenderin “rikonstruksioni i Vilës Nr. 31”, me një fond 1 milionë euro.

Por këto s’kanë qenë shpenzimet e vetme. Drejtoria ka bërë edhe disa procedura për blerje “pajisje dhe materiale elektroshtëpiake”, me fond 2.5 milionë lekë. Në dokumentet shoqëruese, kërkohet të blihen hekur për hekurosje me kaldajë, hekur me avull dore, hekur rul. Gjithashtu makinë akulli, fshesë me korrent dore, fshese profesionale, lavastovilje, sobë me korrent. Lavatriçe dhe tharëse profesionale. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka bërë edhe tenderin “pajisje, enë dhe mjete kuzhine”, me një fond 5.322.984 lekë. Lista e materialeve është shumë e gjatë. Fillon nga një seri pjatash, disa lloje lugësh. Gjithashtu pirunë, thika ëmbëlsirë, mishi, peshku, frutash, shërbimi. Disa lloje gotash, vere e bardhë, konjaku, rakie, shampanje dhe gotë koktejli. Dekantues vere me filtër, shtrydhëse frutash, blender profesional, blender për kafe/qumësht. Gjithashtu edhe shtypëse patatesh apo dhe shampanjere.

Pajisje WC-je origjinale, letra higjienike profesionale!

Fiksi shfletoi edhe dokumentet e tenderit “materiale hidraulike dhe pajisje hidrosanitare për vitin 2023” me një fond 3.2 milionë lekë. Kërkohen të blihen pajisje cilësore, që nga galixhantë, rubineta vaskash, grupe dushi cilësorë, aksesorë tualeti etj. E njëjta drejtori ka bërë edhe tenderin “blerje materiale elektrike për vitin 2023” me një fond 3.7 milionë lekë. Gjithashtu edhe procedurën e blerjes së detergjenteve, produkteve higjieno-sanitare dhe aksesorë në ndihmë të pastrimit vitin 2023. Fondi i këtij tenderi është 7 milionë lekë.
Në dokumentet shoqëruese, kërkohen të blihen detergjentë të ndryshëm, një ndër të cilësive edhe kundër yndyrës. Gjithashtu edhe detergjent për pastrim smërçi të inoxeve dhe hidrosanitareve, peceta pastrimi mikrofibër, solucion kundër mizave dhe mushkonjave, aparat me ultratinguj për insektet dhe brejtësit. Në listë është edhe aromatik ambienti, detergjent për pastrim dhe shkëlqim mobiliesh, solucion dhe aparat për mushkonja, kosh inoksi për ËC, komplet furçe për ËC. Gjithashtu edhe detergjente larës për rroba antibakteral, solucion zbutësh për rroba, perde, mbulesa. Letër higjienike e thjeshtë dhe letër higjienike profesionale. Këto letra të jenë celulozë e pastër. Gjithashtu edhe detergjentë të cilësisë së lartë! Në shtëpitë e pushimit nuk mungojnë pastë dhe furçë dhëmbësh, shampo koke, trupi. Apo dhe solucione për larje gomash dhe automjeti.

Miliona për naftë, 25 mln për peshk, pije alkoolike …

Tenderi i radhës që u verifikua nga Fiks Fare ishte për blerje pajisje kancelarie me vont 4.4 milionë lekë apo dhe tenderi për blerje materiale ndërtimi me fond 8 milionë lekë. Gjithmonë, materialet shkruhen se duhen cilësore! Drejtoria ka bërë tendera edhe naftë për kaldaja me fond 3.1 milionë lekë, naftë për automjete me fond 17 milionë. Benzinë për automjete me fond 4 milionë. Janë bëra tendera për riparime me fond 2.3 milionë, shërbime dezinfektimi me fond 2.6 milionë. Shërbimi i servisit dhe pjesëve të këmbimit për automjete ka një fond 7.3 milionë lekë. Drejtoria ka akorduar një shumë prej 1 milionë eurosh për sistemin e kondicionimit në Pallatin e Kongreseve, rreth 1 milionë lekë për makineri dhe pajisje për vegla pune. Gjithashtu ka bërë disa tendera për mirëmbajtje e impiante të ujit, apo edhe tenderin për larjen e specializuar të ambienteve dhe tapicerive me fond 1 milionë lekë. Ka blerë 60 mijë lekë një pasqyrë.
Të kalojmë te tenderët e ushqimeve dhe pijeve! Drejtoria e Shërbimeve ka blerë 1.5 milionë lekë verë vendi dhe importi, 1 milionë lekë produkte të konservuara. 400 mijë lekë erëza të ndryshme, 3 milionë lekë perime dhe fruta të freskëta. Kërkojnë të blejnë fruta tropikale dhe jo tropikale. Kanë shpenzuar 3 milionë lekë për prudukte bulmeti dhe vezë, 2 milionë produkte mishi. Gjithashtu 800 mijë lekë pije alkoolike. Apo edhe 2.4 milionë lekë pije të ngrohta. 900 mijë lekë po shpenzojnë për fruta të thata, 2.4 milionë lekë për produkte deti, peshk dhe ushqime deti!

1.5 milionë lekë kanë shkuar për produkte ushqimore të ndryshme, 700 mijë lekë për produkte pastiçerie, reçelra dhe marmelata, xhelatinë fruta; pure dhe pasta frutash ose arrash. Qumësht dhe krem, mjaltë, kakao, çokollata dhe ëmbëlsira sheqeri. 3.5 milionë lekë kanë shkuar për pije jo alkoolike.
Por, nuk përfundojnë këtu shpenzimet për krerët e shtetit. 1 milionë lekë janë shpenzuar për aparat fotografik profesional dhe dron. Gjithashtu janë shpenzuar 2 milionë lekë për shërbime në kuadër të udhëtimeve dhe akomodimeve. Apo edhe 1 milionë lekë për regji televizive, 1.8 milionë për shërbime me tënda dhe çadra me qira, 4 milionë lekë për shërbime me projektorë, ekrane LED etj. Për lulet kanë shpenzuar 800 mijë lekë, ndërsa 4 milionë për shërbimeve përkthimi. 3 milionë lekë për prodhime broshurash, ftesa, menu etj.

Magazinerja: 1 batanije 500 mijë lekë, i pecetë …

Në dokumentet e tenderëve, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare kërkon materiale të jenë shumë cilësore. Por, ku mbahen dhe magazinohen? Gazetarët e Fiks Fare shkuan te magazina e kësaj drejtorie. “Kam pjata prej 4 vitesh, askush nuk i tërheq. Kam batanije stok. 1 batanije është blerë 500 mijë lekë (të vjetra). Edhe këto batanije nuk i tërheq njeri. Kam peceta. 1 pecetë është blerë 10 mijë lekë (të vjetra). 1 blender (grirëse perimesh, frutash) që kushton 10-15 mijë lekë të vjetra te Çamët, këtu na vjen me 150 mijë lekë. Na kanë sjellë me tender edhe përparëset. 1 përparëse kushton deri në 50 mijë (të vjetra), edhe 1 palë këpucë kopshtari deri 150 mijë lekë. Këto i kam stok dhe s’i tërheq njeri”, thotë ajo.

Më pas i tregon gazetarëve të Fiks Fare cilësinë e mallrave që janë blerë me tendera të ndryshëm nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Fillimisht për peshqirët e dushit. Janë me cilësi e dobët dhe janë të hollë. Tregon edhe robdishamët që janë cilësi e dobët. Shapkat janë prej disa vitesh në atë magazinë dhe sërish nuk I tërheq njeri. Janë edhe uniformat e kameriereve, kuzhinierëve që nuk janë në cilësi të mirë.
Gazetarët e pyesin se aktualisht Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare po bën disa tendera për mallra, kryesisht ato që magazinohen në ato ambiente. Ajo thotë se në janar 2023 është bërë tenderi i fundit i enëve të kuzhinës dhe pajisjeve elektrike. “Nuk e kuptoj përse bëjnë prapë. Unë magazinën e kam plot” thotë ajo. E pyesim nëse ia vlen të marrim pjesë në tenderët e radhës së kësaj drejtorie, na përgjigjet se “ia vlen, nëse sjell një cilësi pak më të mirë se ato që ka në magazinë”.

Pra, ndryshe nga dokumentet e tenderit, magazinat e kësaj drejtorie janë plot! Shumica janë mallra të skaduar që s’i merr askush. Por, skandali më i madh është se këto materiale skarco janë blerë disa herë me shtrenjtë se çmimet e tregut. Madje, magazinierja tregoi se fondet e tenderëve janë fryrë.

Miliona euro mallra, shtetarët pushojnë vetëm disa ditë!

Një nga rezidencat e qeveritarëve është edhe Durrësi, ku krerët e shtetit shkojnë disa herë në vit. Fiksi shkoi në këtë rezidencë për të pyetur se sa pushojnë krerët e shtetit. Atje janë shtëpitë e pushimit të krerëve të shtetit, Kryeministrit, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, etj. Gazetarët e Fiks Fare takojnë magazinieren e cila thotë se Kryeministri mund të vijë vetëm 1 herë në vit. “Sa herë që vjen, shoqërohet nga kuzhinieri, stafi i vetë. Ushqimet i merr me vete. Gatuajnë në vilë”, thotë ajo.

Ndërkohë, për Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, tregon se ka ardhur vitin e kaluar rreth 2-3 herë. E njëjta procedurë, ku krye parlamentarja ka shkuar me stafin e saj; kuzhinierë, kamerierët.
Në atë rezidencë ka shkuar vitin e kaluar edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili po vitin e kaluar u emërua në atë detyrë. Në 2022 ka shkuar rreth 4 herë. Fiksi shkon te Vila e Presidentit, ku bisedon me punonjësit. Ata janë çdo ditë të javës në punë, përveç të shtunë dhe të diel. Janë gjithë vitin. E pyesim se përse vila e Presidentit nuk është mirëmbajtur, na thotë që para se të vijë Presidenti ambientet lyhen. Por sërish ka lagështirë pasi nuk banon njeri. Pavarësisht se Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka bërë me dhjetëra tendera për luksin e krerëve të shtetit, vila e Presidenti ka moblilje të vjetra. Tapete shumë të vjetra, setet e filxhanëve, gotave, nuk ishin të plota.
I kërkojmë të shkojmë edhe te vila e Kryeministrit, por rruga është e bllokuar.

***

Magazina e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare

Fiksi – Ja vlen? Çfarë materialesh sjellin këta, nga i marrin?
Magazinierja – S’është se sjellin ndonjë material cilësie. Absolutisht …
Fiksi – As elektrike? Po këto enët e kuzhinës?
Magazinierja – Enët e kuzhinës? Prapë enë kuzhine?
Fiksi – Po.
Magazinierja – Hajde me mua, hajde …. shih se çfarë cilësie ka në magazinë. Këtu ka enë kuzhine kapicë, çfarë kanë marrë. Atëherë këto janë enë kuzhine që këto kanë sjellë. Thjeshtë është tani para 2-3 muajsh, që ne i kemi marrë!
Fiksi – Po tani u mbyll tenderi i kuzhinës, që ishte diku tek 70 milion, që po kërkonin…
Magazinierja – 50 milion i kishim ne këto. Këtu nuk është se sjellin cilësi, absolutisht. Po flasim bashkë.
Fiksi – Po këto të hotelerisë? Peshqirë e këto? Çfarë materialesh janë?
Magazinierja – Nuk ka cilësi. Hajde të të tregoj çfarë cilësie, që të kesh një ide se si janë. Turke janë edhe kineze. Turke, kineze. Kaq. Shihe se çfarë cilësie janë këto për shembull. Peshqirët.
Fiksi – Skandaloze?!
Magazinierja – Thjesht po të tregoj materialet dhe ti mund të shohësh. Mund të t’i kërkojnë edhe me logo ëëë.
Fiksi – Çfarë logo është kjo?
Magaziniere – Drejtoria e Shërbimit Qeveritar.
Fiksi – Me qëndisje.
Magaziniere – Me të qëndisur. Këtu një blender dore, që të gjithë e përdorin në shtëpi dhe mund t’a marrësh 20 mijë lekë (të vjetra) , këtu n’a ka ardhur 130 mijë lekë (të vjetra). Jo më shumë sesa në Janar. Po flas për enët e kuzhinës.
Fiksi – Po.
Magazinierja – 1 gotë rakie 6 mijë lekë. E kuptove? Të tregoj poshtë unë ty, të shohësh kompletet e filxhanëve të kafes edhe të çajit, 100 mijë lekë (të vjetra). Te kinezja dhe turkja jemi! Janë skandal domethënë. E mendon ti, që kjo copë, kjo pecetë është 10 mijë lekë (të vjetra)!
Fiksi – Një pecetë?
Magaziniere – Kjo, vetëm kjo!
Fiksi – Çfarë janë këto?
Magaziniere – Pjata, pjata. Këto janë, që siç kanë ardhur këtu janë. Nuk i kam lëvizur fare.
Fiksi – Prej sa kohësh kanë ardhur këto?
Magaziniere – Kanë nja 4 vjet. Në janar po të them, të gjitha çfarë pe poshtë kanë ardhur në janar. Të gjitha, të gjitha, të gjitha! Dhe tani kanë bërë prapë tender, që nuk kanë marrë akoma ato poshtë. Këto janë përparëse. Uniformat janë dhe kanë ardhur nga 72 mijë lekë (të vjetra).
Fiksi – Kjo?
Magaziniere – Po!
Fiksi – Po kjo as beze tamam nuk është?
Magaziniere – Ja, 72 mijë lekë. Ja të të jap edhe një palë këpucë 130 mijë lekë (të vjetra). Janë këpucë punëtori.
Fiksi – Kineze?
Magaziniere – Po kineze pra t’a thashë. Se turke e kineze është këtu. Ja shihe këtu, enë kuzhine vazhdoj t’i kem. I sheh ti shapkat? Shapkat që ti mund të shkosh ku të duash dhe këto janë 70 mijë lekë, janë turke. Edhe vazhdojnë të … Shih sa shapka kemi këtu. Shihe edhe vazhdojnë kërkojnë prapë i bëjnë stoqe këtu. Këto nuk i marrin.
Fiksi – As për këto rezidencat?
Magaziniere – Nuk i marrin, ja ku i kam unë dhe nuk i kanë marrë.
Fiksi – Po si e bëjnë tenderin dhe nuk i marrin? Për çfarë i bëjnë?
Magaziniere – Po s’ka gjë.
Fiksi – Këto rrinë thjeshtë këtu në magazinë.
Magaziniere – Po!
Fiksi – Po nuk kthehen më këto?
Magaziniere – S’kthehen më. 500 mijë lekë (të vjetra).
Fiksi – 500 mijë lekë kjo?
Magaziniere – Po. Bëjnë tenderin dhe ja ku i kemi prapë. Këtu do jenë. Dhe me enë kuzhine të thashë 2-3 muaj ka që e kemi bërë. 50 milionë. I marrin edhe unë i marr i bëj kapicë këtu. Kaq!
Fiksi – Po detergjentet, cilësia?
Magaziniere – Zero, zero mi! Mos të të them që nuk erdhën fare. Unë po të them cilësinë mos e merr …. Të them unë pastaj. Ju e dini vetë, por ti e pe vetë se çfarë cilësie vjen këtu. As cilësi e parë, tek e dyta. Tek cilësia e dytë, edhe fare, fare jo se ato shkojnë nëpër vila.

Shkojmë në Rezidencën Qeveritare, Durrës

Fiksi – Kam ardhur për punën e një tenderi për ushqimet.
Magazinierja – 5 vila janë për qeveritarë. Kryeministri dhe ministrat. Ata kanë kuzhinierët e vetë dhe bëjnë ushqimet e veta. Kur vijnë ata, që rrinë 2-3 ditë marrin ushqimet e veta. Edhe gatuajnë brenda në vilë.
Fiksi – 5 vila janë gjithsej?
Magazinierja – Vila mi! Është Kryeministri. Kryeministri vjen 2 herë në vit ose 1 herë sa ti vij. Kur vjen ai ka eskortën e vetë. Ka kuzhinierin, ka kamerierin. Ai njëherë në vit vjen a s’vjen. Kush e han ushqimin këtu?
Fiksi –A vjen njeri tjetër përveç (Kryeministrit)?
Magazinierja – Kryetarja e Kuvendit, Presidenti, kaq! Edhe ministrat kuptohet tek vilat kaq. Ata vijnë a nuk vijnë një herë në vit, më shumë vijnë gjatë sezonit të verës për ca ditë. Kanë ushqimet e veta.

Shkojmë te vila e Presidentit

Punonjës gjelbërimi – E Presidentit ajo aty!
Fiksi – Kjo këtu? Po e Kryeministrit?
Punonjës gjelbërimi – Është andej.
Fiksi – Kur është hapur vila këtë vit?
Roja i gardës – Po hapet çdo ditë kjo për t’u mirëmbajtur.
Fiksi – Stafi i kuzhinës vjen vet ëëë?
Punonjëset e vilës – Po, po kur vjen Presidenti. Vjen edhe kamerier edhe për kuzhinën. Këtë vit që kaloi erdhi nja 3 herë Presidenti.
Punonjësja e vilës – Kjo ka nevojë për ajër të pastër.
Fiksi – Po pra shumë erë e rëndë këtu.
Punonjësja e vilës – Ikën, ikën ajo se e bën ai bojaxhiu edhe këtë këtu edhe pas televizorit.
Fiksi – Po shumë era lagështirë vjen këtu.
Punonjësja e vilës – Po s’ke ça i bën se mbajnë edhe tapetet e vjetra. Se nuk kemi edhe dyer më të rregullta, që të hapen.
Fiksi – Vini për ditë ju?
Punonjëset e vilës – Po, po çdo ditë.
Fiksi – Çdo ditë?
Punonjësja e vilës – Jo çdo ditë, të shtunë e të diel e kemi pushim. Dhe ditët e festive.

***

Lista e disa tenderëve të vitit 2023 nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare

• Rikonstruksioni i Vilës Nr.5 – 5.000.000 euro
• Rikonstruksioni i Vilës Nr. 31 – 1.000.000 euro
• Pajisje dhe materiale elektroshtëpiake – 2.5 milionë lekë
• Pajisje, enë dhe mjete kuzhine –5.3 milionë lekë
• Materiale hidraulike dhe pajisje hidrosanitare – 3.2 milionë lekë
• Blerje materiale elektrike – 3.7 milionë lekë
• Blerje e detergjenteve- 7 milionë lekë
• Blerje pajisje kancelarie – 4.4 milionë lekë
• Blerje materiale ndërtimi – 8 milionë lekë
• Naftë për kaldaja – 3.1 milionë lekë
• Naftë për automjete – 17 milionë lekë
• Benzinë për automjete – 4 milionë lekë
• Riparime – 2.3 milionë lekë
• Shërbime dezinfektimi – 2.6 milionë lekë
• Shërbimi i servisit për automjete – 7.3 milionë lekë
• Kondicionimi i Pallatit të Kongreseve – 1 milionë euro
• Larje e specializuar e ambienteve – 1 milionë lekë
• Blerje pasqyre – 60 mijë lekë
• Verë vendi dhe importi – 1.5 milionë lekë
• Produkte të konservuara – 1 milionë lekë
• Erëza të ndryshme – 400 mijë lekë
• Perime dhe fruta të freskëta – 3 milionë lekë
• Produkte bulmeti dhe vezë – 3 milionë lekë
• Produkte mishi – 2 milionë lekë
• Pije alkoolike – 800 mijë lekë
• Pije të ngrohta – 2.4 milionë lekë
• Fruta të thata – 900 mijë lekë
• Peshk dhe ushqime deti – 2.4 milionë lekë
• Ushqimore të ndryshme – 1.5 milionë lekë
• Produkte pastiçerie – 700 mijë lekë
• Pije jo alkoolike – 3.5 milionë lekë
• Aparat fotografik – 1 milionë lekë
• Shërbime në udhëtime – 2 milionë lekë
• Regji televizive – 1 milionë lekë
• Tenda dhe çadra me qira – 1.8 milionë lekë
• Projektorë, ekrane LED – 4 milionë lekë
• Shërbime përkthimi – 4 milionë lekë
• Prodhime broshurash – 3 milionë lekë

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...