“Dritëhijet e qytetit tem”

Nga Abel Brahusha, student

Në kontrast me ujin e rrjedhshëm që Shkodra e ka përreth me bollëk, situata në qytet i ngjason nji kënete me ujë të parrjedhshëm, të ndenjun. Periudha e artë kur ky qytet kishte Statut, e kur shkëmbimet tregtare me Venedikun ishin në pikun e tyne, duken nji kujtim tejet i vagullt. Sot, për shkak të zhvillimeve industriale, nuk bahet ma fjalë për tregti si asokohe por as sundimi i ligjit nuk asht kërkund. Prej një qendre kulturore-politike-tregtare, Shkodra u metamorfozue në nji provincë të harrueme. Sistemet u ndërruen, e Shkodrën, secili u orvat me e eklipsue.

Tue kenë se Shkodra asht qyteti ma i vjetër në Shqipni, me banim të vazhdueshëm prej rreth 5000 vitesh, kjo gja ka ndikue fort në formimin e nji karakteri që krenohet me kyt identitet kaq të lashtë me vlera të padiskutueshme historike. Krahas krenarisë, nji tjetër tipar dallues i shkodranit asht antikonformizmi. Padrejtësitë që i janë ba këtij qyteti dhe deformimi që këto padrejtësi kanë prue ndërhyjnë në psikikën sociale të shkodranit; këtë përdhunim socio-kulturor që i asht ba votrës së tyne nuk mundet me e kapërdi dot kollaj. Nji tjetër element përbashkues për shkodranët asht humori, kajherë edhe i trajtës autoironike. Për me ba humor e ironi me vedin, duhet me kenë mendjehapun, se dikush që e ka mendjen e mbyllun rrjedhimisht edhe qepallat e syve njashtu do t’i ketë përballë problemeve që ka.

Politika asht ajo që ka aftësinë me ba urti të mëdha por njikohsisht edhe marrina ma masive se urtitë. Kandari i veprave politike në Shkodër, qartazi anon kah marrinat. Çdo sistem normal politik nji qendër historike-kulturore e promovon, nuk e rrënon, siç kanë ba sistemet me Shkodrën. Pas 1944, Shkodrës iu dha shqelmi në dukje final. Sistemi i kuq/keq e goditi Shkodrën për shkak të karakterit liridashës që ka, prej se ka kenë jo pak herë vetëqeverisëse përgjatë historisë. Denigrimi kulturor kulmoi në vitin 1972, me Kongresin e Drejtshkrimit. Diktatura e degdisi gegnishten në ma pak se 5% të përbamjes së standardit të ri.

Pas afro pesë dekadash, diktatura u shqelmue përfundimisht, pasojë kjo e ranies së Murit të Berlinit dhe kalimit nga socializëm real në kapitalizëm imagjinar të tanë kampit medemek komunist. Pas këtij ndryshimi drastik, Shqipnia hyni në nji epokë tranzicioni që s’po din me mbarue. 32 vjet pluralizëm fasadë nuk pasuan me ndonji përmirësim për Shkodrën, që u tkurr edhe ma shumë prej mërgimit masiv. Përdorja për qëllime politike të karakterit antikonformist të shkodranëve, e ktheu qytetin në nji top ping-pongut të lojës së shëmtueme PS-PD. Ish-dënimet kolektive përgjatë këtyne viteve tranzicion u zëvëndësuen me këputjen e fondeve dhe investimeve për Shkodrën. I vetmi investim serioz në qytet mund të konsiderohet stadiumi, gjithmonë tue vazhdue loja e ping-pongut mes pushtetit qendror e atij vendor.

Tash jemi nji muej para zgjedhjeve lokale. Loja e ping-pongut asht zgjanue edhe ma tej, me transferime të lojtarëve në ekipe kundërshtare si Luis Figo që la Barcelonën për rivalin e madh, Realin e Madridit. Në sport kjo gja asht normale; në politikë asht normale për kontekstin tonë por s’duhet me kenë, të paktën jo kaq sheshit. Kandidatët organizojnë takime për me bind elektoratin me u ba tifozë me ta. Tifoz në sport të ban pasioni, ndërsa në politikë shpeshherë, parja. Shkodranët janë përpara nji dileme: me zgjedh me ba kompromis me antikonformizmin apo me lanë që kyt tipar të tyne me vazhdue me ia shfrytzue pala tjetër. Për këtë dyzim nuk ka nji përgjigje ekzakte por vetëm zgjedhje të detyrueme kë me lanë kosto oportune.

Qyteti ka nevojë urgjente për investime e punë të mira publike. Shkodra ka potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi por deri tash ka mungue vullneti i palëve për ndryshim. Gjendja e qytetit dhe bashkisë në përgjithësi duhet ndryshue sa ma parë e shpresoj që mbas këtyne zgjedhjeve të hapet nji horizont i ri për për me e afrue Shkodrën sa ma shumë me lavdinë e dikurshme.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...