Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sqaruar zyrtarisht nisjen e hetimeve për ish-presidentin Ilir Meta.
Në një reagim për mediat, SPAK sqaron se hetimi ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga ish-deputeti opozitar, Halit Valteri. Ky i fundit më 07.06.2022 depotizoi një kallëzim në drejtim të Metës dhe drejtuesve të LSI-së për pastrim parash, fshehje të ardhurash, mospagim të taksave dhe korrupsion aktiv.
“Nisur nga interesimi i shumë gazetarëve pranë SPAK, lidhur me një kërkesë që SPAK i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Nuk kemi ndonjë informacion tjetër për të dhënë. Hetimet vazhdojnë”, deklaron SPAK.
Pas lajmit për hetimin e Ilir Metës nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka ardhur dhe reagimi i vetë ish-presidentit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Meta shkruan se “Spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve”.
Mes të tjerash ish-presidenti ka publikuar edhe një shkresë, ku SPAK i kërkon informacione Drejtorisë së Gjendje Civiles, mbi gjeneralitetet e Metës.
“Meqënëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më! Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më!” shkruan Meta.