Druhena, se duhena njaq fort, ndijm me zjarr yjesh, e jetojmë me andrra zogjsh

– Ti je si një lele, i tha dhe buza ju dridh. U ndi n’faj. Rrxoi syt përdhe, thue se kishte pranue me bjerr vedin n’andjen dhe padurimin, për me i than njato fjalë qi kishte kohë qi i përtypte nëpër mendime. Edhe ajo, krejt n’flak ishte ndez, ban be se i kishin hedh mbi njat hir nji perde t’ngjyme n’nji perëndim pranvere.

N’njata dekika pritjeje dhe duhije, kur guxuen me u pa sy m’sy, si tue dasht me pranu fshikullimën e nji pendimi, krejt rretherreth i’u ba se kishte shterrue bota fryme, e drita e njatij vezullimi ku shikjoheshin mes vedi, kishte la tanç’ka, kishte sos me nej njaty me ta, n’kyt moment.

Nejtën njashtu si mbi gaca, her tue u pa, e her tue e ndi gjëmimin e frymëmarrjeve t’tyne. Zoti u kishte lidh gjuhën e fik hovin. As nuk kishin fjalë me than, as hapa me hedh. Kishin mbet njashtu t’ngrim, si n’shastitjen e nji hutimi, si n’feksjen e beftë t’nji shkreptime moti.
E ma n’fund, mes njasaj heshtje qi kishte kaplue tançka, e njatij padurimi qi murue i kish si nji mallkim, dikush foli, jo, jo, mërmëriti. Kurrnjeni nuk e kuptoi se cili deshti me than diçka e s’mujti, por tw dy besuen se patën me than ma shumë se me hesh n’njata minuta idili.
E… vasha, tue shkund polenin e flakërimës, shqiptoi me germëzim nji fëshfërimë:
– Faleminers!

I ra kjo fjalë prej gjuhët, e buza i çili sa pak, njaq sa nji drandofille qi del prej gonxhes, e don me diftue se n’ag hirin e vet, e me iu dhan duhis së aromës, petalet me i shpërfaq e punilat me i hov n’er me nektarin dhe solemnitetin e stolisjes s’vet.

– M’fal! -tha, ai si pahiri, e t’tjera fjalë i’u zvargën nëpër buzën qi i digjte.
Ndoshta kishte njaq shum’ me than, sa e vetmja gja qi mujti me gërmëzu, ishte njajo qi kishte mendu para se me marr guximin, e me i fol vashës qi i kishte trazu gjumin e pshtjellue mendjen.

– Mos druj, tha ajo, e mori me u afru prej tij.
– Un’ e di fort mir’ se… e la në mes një pend heshtje qi kolovitej n’er si vel anijet.
– Kisha me t’than njaq shum’, tha djali, njaq sa s’po muj. Ndoshta për fajin tand, e për drojen teme, se je njaq e bukur, un’ s’mundem jo me than gja, por as me u ngi me frymë. E megjithatë, tash jena njaq ngat njani me tjetrin, njaq sa e kam dëshiru dhe andrru n’shum’ mnyra, por jo njikshtu, si tash.
– Po, si i tha vasha?

– Paj s’po di, se si, por diqysh ndryshe, por jo ma bukur se njikshtu.
Tue nej krejt përball tij, ajo lypi nëpër këto fjalë t’pakuna e frymë t’potershme, e gjeti dikund në copëzat e heshtjes qi përzinte këto tinguj zjarmi e andjeje, e tha.
– Kam prit tesh sa koh, se ma thu naj fjalë.

– Megjithëse syt e tuj m’kan than njaq shumë, njaq, sa nuk e di, nëse ke me mujt me mi than ndoj herë, më tan njat dritë e qiell, me tan njat pasion e zjarm.

– M’ke lan pa vu gjum n’sy mu dhe vedin. Jena trazu nëpër andrra e vetëm këna njeh nadjeve e ngrys muzgjeve, si dy t’pavendosun, si dy t’penduam, si dy… qi e kan t’pamujtun me besue se marrin frymë n’krahnoret e njani-tjetrit, e shihen me shkreptimat e zjarmit t’zemrave qi vuejn padurimit e gazmimit.

Djali kishte rrxue vështrimin përdhe e ndigjonte fjalët e saj e rrahjet e gjëmimta t’zemrës, pa mujt as me fol as me u pa sy-n’sy.

– Ani, vazhdoj ajo, ti mos thuej asnji fjalë, se tançka ti don me than un’ e di bash mir’.
– Kurrnji gojtari, ma shum’ se andja jote për mue, nuk i thot ma amël e ma me zjarm njato fjalë, se sa heshtja dhe bukuria jote, se sa njajo droje e njaj hutim, qi m’pëlqen bash fort.
N’se ti don me m’than vetëm nji fjal, e me besue n’te si nji bekim, ti ma thuaj kur të mundesh, por un’ po marr guximin me ta than njitash…
– T’du, t’du bash fort!

I tha këto fjalë, e tue i zgjat dorën, lypi t’tijen dhe mbasi e përpjeku me pulitje e drithërimë, e tërheku prej vedit, e njashtu si nëpër turr e shkujdesje e puthi n’faqe.
– Ikim tash, ikim.

– Ku? tha djali, me fjal t’përzime n’hutim e n’padutim, e ma fort i’a shtërngoi dorë,
– Njatje ku shkojnë zogjt, i’a priti vasha.
– Ku shkojnë veç zogjt, kur kanga i deh e kraht i valviten n’er.
Shtrin krahët, e… fluturuan.

Nga Albert Vataj

TE TJERA

spot_img