Policia Rrugore siguron pajisjen inteligjente, kapen ‘mat’ me qindra shoferë

Në shërbim të Policisë së Shtetit është vënë nje tjetër pajisje inteligjente.

Kjo e fundit njoftohet se do të pasohet shpejt edhe me një flotë prej 10 mjetesh të tjera, me pajisje për matje të shpejtësisë dhe identifikues shkeljesh të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i plotë:

Policia Rrugore

Shtohen pajisjet logjistike bashkëkohore dhe mjetet inteligjente, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore.

Një tjetër pajisje inteligjente në shërbim të Policisë së Shtetit, e cila do të pasohet shumë shpejt me një flotë prej 10 mjetesh të tjera, me pajisje moderne per matje shpejtësie dhe identifikues shkeljesh të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Prej të mërkures, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore ka në përdorim një pajisje bashkëkohore, lexues automatik targash, krahas makinës inteligjente POLISCAN, radarëve automatikë dhe dronëve të cilësisë së lartë.

Si rezultat i përdorimit të kësaj pajisjeje, e cila është e vendosur në një automjet të shpejtë të Policisë Rrugore, dhe përdoret në të gjithë territorin e vendit, gjatë këtyre ditëve janë evidentuar 758 automjete që kishin nga 3 deri në 15 masa administrative të pashlyera.

Drejtuesit e këtyre automjeteve, pasi janë ndaluar nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, pas sinjalizimit të Njësisë Operacionale, kanë shlyer masat administrative.

Njëkohësisht janë evidentuar me dron 234 automjete që kanë kryer parakalime të gabuara dhe janë ndëshkuar me masa administrative të ndryshme.

Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve janë evidentuar, nga makina inteligjente Poliscan, 966 raste të tejkalimit të shpejtësisë, në të gjitha akset rrugore në vend, shkelje për të cilën, ndëshkimi varion nga masë administrative deri në pezullim të lejes së drejtimit dhe heqje të pikëve nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, që kanë masa administrative të pashlyera, të kryejnë menjëherë pagesat e papaguara, pasi kontrollet në të gjitha rrugët do të jenë akoma më intensive.

Njëkohësisht Policia Rrugore apelon për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët urbane dhe interurbane monitorohen nga punonjësit e Policisë Rrugore, që kanë tashmë në dispozicion më shumë pajisje bashkëkohore, për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img