HISTORIA TRAGJIKE E MJEKUT TË NJOHUR SHKODRAN, I DIPLOMUAR NË PARIS TË CILIT I …

Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes shkodrane Prelaj, me origjinë të hershme nga fshati i Malësisë së Madhe, prej nga kanë trashëguar mbiemrin, ku i pari i tyre, Matishi, ishte vendosur në qytetin e Shkodrës në vitin 1850-të,

pasi e kishte marrë me vete një austriak që kishte bujtur në shtëpinë e tyre, duke e dërguar tek miqtë e tij, me të cilët bënte tregti në atë qytet. Si mundën të shkollohen dhe të diplomohen tre djemtë e asaj familje, Pashko, Marjani dhe Pjetri, për Teologji,

Filozofi dhe Mjeksi në disa prej universiteteve më të njohura të Evropës, për të ardhur dhe shërbyer më pas në atdheun e tyre, ku për gjysëm shekulli, u persekutuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke përfunduar burgjeve dhe internimeve.

Ashtu si shumë familje të vjetra fisnike shkodrane, kryesisht të besimit katolik të cilat u keqtrajtuan, persekutuan dhe u masakruan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që me ardhjen e tij në pushtet në nëntorin e vitit 1944, ishte dhe familja Prelaj, e cila i’u nënshtrua atij “fati” tragjik.

Doktor Pjetër Prelaj

I pesti i vëllezërve Prelaj, Pjetri, që në moshën 18 vjeçare u dërgua për të studiuar në Francë në fakultetin e Mjekësisë së Parisit, u njoh me bashkatdhetarin e tij, piktorin e madh Ndoc Martini.

MNdoci, jetonte në një papafingo, në periferitë e kryeqytetit francez, të cilën e përdorte gjithashtu dhe për studio. Në një nga vizitat e shpeshta që Pjetri i bënte bashkëpatriotit të tij, ai i propozoi që t’i bënte një portret me ngjyra, me bojra vaji. Teksa Ndoc Martini, po hidhte ngjyrat mbi telajo,

ai kurrë nuk e kishte menduar se ai portret (sot gjendet në Galerinë Kombëtare e Arteve në Tiranë) do të ishte një nga kryeveprat e pikturës shqiptare. Gjatë viteve që Pjetri vazhdoi studimet në fakultetin e Mjekësisë së Parisit, ai mori pjesë në luftë, duke kuruar ushtarët francez të plagosur. Për këtë, para se të kthehej në Shqipëri, ai u dekorua me një medalje ari ”LEGION D’HONNUER” nga ana e shtetit francez.

Pas diplomimit në Mjeksi, në Paris dhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Pjetri u kthye në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Në atë qytet Dr. Pjetri, iu përkushtua profesionit të tij të mjekut, duke bërë që shumë shpejt emri i tij të bëhej i njohur, pothuaj në të gjithë Shkodrën dhe fshatrat e saj.

Pas pak kohësh, duke ndjerë një kënaqësi nga puna e tij dhe me kursimet që kishte mbledhur, ai kërkoi ndihmë arkitektit dhe piktorit të famshëm, Kol Idromeno, që ai t’i bënte projektin e një shtëpie, ku ai do të banonte e cila do t’i shërbente dhe si klinikë mjekësore. Arkitekti dhe piktori i njohur, Kol Idromeno,

ja realizoi Dr. Pjetrit, projektin e shtëpisë, e cila prej shumë vitesh është e njohur në qytetin e Shkodrës, si një nga ndërtesat me arkitekturë të bukur, ku ndihet dora e mjeshtrit të madh. Në atë kohë që mjeshtri Idromeno, projektoi atë shtëpi, ai vinte pas një eksperience projektimi, që kishte bërë më parë si: Kafen e Madhe, Bankën e Shtetit,

Vilën e DR. Shirokës etj. Sipas kërkesës së Dr. Prelajt, kati i parë i shtëpisë u projektua dhe ndërtua për ambientet e punës, ku u vendos aparati Rogner dhe dhomat për vizitat e pacientëve, ndërsa kati i dytë i shërbente për banim. Ajo shtëpi që edhe sot ndodhet në fund të rrugës Gjuhadol, është shpallur “Monument Kulture” dhe ka hyrë në thesarin e artë të arkitekturës shqiptare.

Mbarimi i luftës e gjeti Dr. Prelajn, të transferuar në rrethin e Kukësit, pasi më parë shtetit komunist i kishte sekuestruar aparatin Rogner dhe gjithë literaturën, që ai e kishte blerë me flori në Francë.

TE TJERA

spot_img