Llahtaria/ 26 TË VDEKUR PRESIN FATMIR MEDIUN TE DERA E SHTËPISË

NGA BLEDI MANE

Rënkonin të zvarritur rrugëve të Tiranës së Re dhe lebetisnin qarkullimin e makinave duke krijuar kaos dhe panik.

Ndaluan si fillim poshtë hijeve të pemëve afër shkollës “Petro Nini”, pyetën ca të gjallë të lemerisur për adresën e shtëpisë dhe vazhduan çapitjen drejt digës së Liqenit.

Plot 26 kufoma që ishin ngritur nga varret e Gërdecit kishin vendosur të takonin ish ministrin e mbrojtjes që u bëri gjëmën. Donin me patjetër të takonin atë që mban të fshehur ngjarjen dhe nuk shkon të ballafaqohet me ta në gjykatë por fshihet qysh prej vitit 2008 e madje edhe sot sapo mori vesh lajmin u struk sërish.

Fatmir Mediun e kërkojnë sot kokallat e skeletëve të 26 burrave, grave dhe fëmijëve që megjithëse të vdekur nga tragjedia nuk gjejnë dot paqe nën varret e tyre. Të lodhur, të ofenduar nga pritja e mosndëshkimit vendosën të bëjnë rrugën e gjatë të mundimshme drejt Tiranës për ti shkuar në shtëpi fatziut Fatmir.

Kryeqyteti u tkurr, u tremb, u lebetit tek shihte kokalla skeletesh, kafka me zgavrat bosh të syve, rënkime nga plagët e pambyllura ndërkohë që viktimat ecnin mes vapës derisa gjetën adresën e shtëpisë së familjes Mediu dhe me kockat e holla të gishtave të duarve pa mish e pa gjak trokitën njëherësh. Dera u hap pakëz, edhe vetë dera dridhej nga tmerri bashkë me zërin e një djaloshi strukur brenda:

-Kush jeni, kë kërkoni? pyeti mekja e zërit të djaloshit
-Duam babain tënd, njëzëri u përgjigjën kufomat

-Nuk është babi këtu, ka ikur në Dhërmi për pushime, nuk e di kur vjen!-u përgjigj djali i tmerruar ndërsa kufomat u plasën në korridorin e pallatit dhe bashkë me zhurmën e kërcitjes së kockave u dëgjua ofshama e zbehtë por këmbëngulëse:

-Do rrimë këtu te pragu i shtëpisë natë e ditë derisa babai yt Fatmir Mediu të na kërkojë falje.

Djali matanë derës vështroi edhe një herë i lemerisur ndërkohë zëri i drobitur i një të vdekuri iu lut të gjallit:
-Të lutem më jep pak ujë se jam lodhur…

Ishte zëri i viktimës më të pafajshme, zëri i fëmijës 7 vjeçar Edison Durda që vdiq duke luajtur në Gërdec. Po e pret edhe ai Fatmir Mediun aty te dera e shtëpisë!

* Shkrimi është marrë nga facebook-u i autorit

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...