Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për partinë e re të Jozefina Topallit, me të cilën pritet të hyjë në zgjedhjet e 25 Prillit.

 

Në bashkëbisedimin me gazetarët, u pyet nëse një lëvizje e tillë i dëmton demokratët dhe u përgjigj duke thënë se me apo pa maskë, qytetarët e kuptojnë se kush po përpiqet të shtyjë largimin e Ramës, ndonëse mbetet e paqartë a i referohet drejtpërdrejtë ish nënkryetares së demokratëve.

 

“Sapo folëm për një proces që ka përfshirë demokratët në një mënyrë të hapur dhe pa asnjë përjashtim dhe demokratët ndihen krenarë e kanë arsye të ndihen. Po vendosim një standard të ri. Absolutisht nuk mundem dhe nuk dua të paragjykoj askënd që është në opozitë me Edi Ramën dhe do të ndihmojë me largimin e Edi Ramës, por çdo kush që bën të kundërtën, pavarësisht si apo sa mundohet ta fshehë e ka të pamundur sepse qytetarët e kuptojnë dhe nuk janë budallenj.

 

Cdo kush që do të ndihmojë në largimin e Edi Ramës ka qenë dhe është i mirëpritur. Ka patur dhe do të ketë të gjithë hapësirat në dispozicion. Cdo kush që mundohet të heqë shenjën e barazimit midis dikujt që i ka hapur kaq shumë plagë vendit si Edi Rama në këto 7 vite e gjysmë plagë ekonomike, plagë papunësie, emigracioni, shëndetësi në kolaps, arsimi në ditën e vet më të zezë, rinia në largimin më masiv të 20 viteve të fundit dhe në anën tjetër ka pasur një opozitë që është përballur me të gjitha format dhe mënyrat, cdo kush që vendos shenjën e barazimit i shërben të parës, pra qeverisë.

 

Megjithatë ftesa ime ka qenë dhe mbetet për këdo. Nuk kam pse flas me emra se nuk është cështje indivcidësh, sidomos brenda PD të cilët kanë patur një jetë politike, mundësitë dhe shanset për të kontribuar si dhe vlerësimin e demokratëve. Kjo është një cështje për jetë a vdekje për ndryshim. Kush ndihmon në sjelljen e ndryshimit, pra për largimin e Ramës është i mirëseardhur. Kush përpiqet me apo pa maskë ta zgjasë qoftë dhe një orë largimin e Ramës, qytetarët e kuptojnë qartë dhe përgjigjen jua kanë dhënë e do vazhdojnë t’jua japin”, tha Basha.