SKANDALI, SPONSORI I VLLAZNISË PRITET TË KANDIDOJË PËR DEPUTET

182

Fakti që Vllaznia është përdorur politikisht këto 8-9 vitet e fundit është mëse i qartë nga të gjithë.

Kthetrat e politikës nuk po e lënë rehat Vllazninë as tani duke bërë që kjo skuadër të vijojë të lëngojë siç ka ndodhur në këto 8-9 vite. Mbajtja peng nga politika dhe mos hapja e dritës jeshile për një privatizim të mirëfilltë ka bërë që kuqeblutë të jenë një skuadër e cila të vetmin objektiv të kishte mbijetesën për vite me radhë.

Tashmë e njëjta gjë po ndodh edhe tani. Burime shumë afër sponsorit të Vllaznisë Alban Xhaferri i cili ka lënë të gjithë në hije duke drejtuar ai klubin bëjnë me dije se po shfrytëzon klubin Vllaznia për të qenë një prej kandidatëve për deputet në qarkun Shkodër me njërën nga forcat politike ndër më të rëndësishmet.

Natyrshëm që listat e kandidatëve për deputet nuk kanë dalë ende por tashmë burime të sigurta pranë sponsorit Xhaferri bëjnë me dije se ai mund të jetë një prej kandidatëve për deputet. Në fakt të kandidosh për deputet për të përfaqësuar Shkodrën është një ambicie që mund ta ketë kushdo pavarësisht vlerave apo mundësive që ka ai person ose jo por është skandaloze që dikush si në rastin e Alban Xhaferrit të përdor dhe të shfrytëzojë Vllazninë për t’u katapultuar si kandidat për deputet.

Madje në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë Alban Xhaferri është prezantuar si përfaqësues i një partie politike duke i thënë madje se do jetë ai kandidati për deputet i pari në listë në qarkun Shkodër. Është totalisht e papranueshme kjo sjellje e Xhaferrit i cili nën hundën e kryetares së bashkisë ose me bekimin e saj dhe të ndonjë përfaqësuesi tjetër politik po luan këtë lojë me emrin e Vllaznisë për të qenë një prej kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Vllaznia nuk mund të jetë kurrsesi një leckë e politikës për ta përdorur në këtë lloj mënyre sepse do të ishte e turpshme. Kjo prapavijë e kandidimit të Xhaferrit është përgatitur tashmë nga ana e tij edhe me burime njerëzore dhe gjitha kapacitetet e tjera, e gjitha kjo në kurriz të emrit të Vllaznisë, klubit emblemë të Shqipërisë që politika po e shkatërron nga viti në vit.

/STAR PLUS TV/