Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj dhe kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana i dha sot çelësat e shtëpisë të moshuarës Besnike, e cila jeton në Maminas. Të moshuarës iu dëmtua banesa nga tërmeti i vitit të kaluar.

Para se t’i jepte çelësat të moshuarës Rama iu ka bërë një vërejtje inxhinerëve që kanë ndërtuar shtëpinë. Kreu i qeverisë iu ka thënë se ullukët nuk i kanë vendosur mirë në çati dhe se projektit i mungon një element, thyerja me ngjyrë.

Biseda:Arbana: Zonja është e ve dhe invalide. Dhe duke ju referuar edhe vendimit të Këshillit Bashkiak që kemi në sistemin e pikëzimit kemi nisur shtëpinë e parë për zonjën.

Rama: Ndërtuesi kush është? Ju jeni firma. E para ato ullukët nuk lihen që të rrjedhin aty. Ato duhen përfunduar me rrjedhje siç është projekti dhe e dyta unë jam bojaxhi, mungon një element i projektit.

Projekti ka një thyerje me ngjyrë. Jemi dakord, të them akoma apo i dini vetë detajet e tjera, se shoh edhe detaje. Bukur shumë janë por ullukët të shkojnë sipas projektit, që të mos bjeri ujë atje sikur po bien gjyma nga çatia edhe ngjyrën.