Aktori kosovar, Adem Mikullovci, vdiq të martën në moshën 81-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga bashkëshortja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale. Mikullovci ka luajtur në qindra role në projekte të ndryshme filmike.

 

Përveç si aktor, ai mbahet mend edhe si delegat i Kuvendit të Kosovës në kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut, 1990, me të cilën Kosova është definuar si republikë.

 

Në vitin 2017, Mikullovci është zgjedhur sërish deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Lajmin e trishtë e jep deputeti Behgjet Pacolli. “Sot, pas mesnate, miku dhe kolegu im Adem Mikullovci ndërroi jetë! E lehtë i qoftë Toka e Kosovës dhe Zoti e mëshiroftë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe miqve të tij”, shkruan ai.

 

Adem Mikullovci u lind në vitin 1939 në Vushtrri, Kosovën dhe bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës(tashmë Teatrit Kombëtar i Kosovës).

 

Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd në vitin 1968, ai u kthye në Prishtinë dhe filloi punën në teatër. Prej atij viti e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.

 

Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj. Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjës”(Çajupi), “Mosha e bardhë”(D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”(dramatizim i veprës së autorit Q.Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, stend up komedia”Përgjuesi” etj.

 

Në vitin 2017, në zgjedhjet e 11 Qershorit, ai u zgjodh si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse në vitin 1990 ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.