Socialistëve nuk u mjafton një muaj pushim, mbledhjen e parë të Shtatorit e kryejnë në një kompleks turistik

Si të mos u mjaftonte një muaj i plotë pushime në resortet më ekskluzive të vendit, kryesisht në perlat e jugut, socialistët e nisin sesionin e ri parlamentar me një mbledhje sërish jashtë zyrave.

 

Mësohet se kreu i qeverisë Edi Rama do të mbledhë grupin e tij parlamentar, në një kompleks turistik në qytetin e Elbasanit, ndërsa pritet që të diskutohet axhenda për sezonin e ri parlamentar që do të nisë nga java e ardhshme.

 

Mes temave që pritet të diskutohen janë qëndrimet që do të mbajnë në adoptimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin e ri Zgjedhor, por dhe çështjet e brendshme të kësaj partie, si dhe mbledhja e asamblesë, ku nuk përjashtohet mundësia e vendimeve për ndryshime në qeveri, meqënëse jemi një vit përpara zgjedhjeve.

 

Një mundësi të tillë nuk e përjashtoi gjatë ditës së djeshme kreu i grupit parlamentar të socialistëve Taulant Balla, i cili tha se e drejta për ndryshime në qeveri i takon ekskluzivisht kryeministrit.

 

Një tjetër temë e diskutimeve të sotme pritet që të jetë dhe ajo për organizimin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërkohë që opozita kërkon dhe mbajtjen e njëkohshme dhe të atyre lokale.

 

Vetë Rama e ka mohuar një mundësi të tillë, teksa ka qenë duke folur në seancën e fundit në Kuvend, në fundin e muajit Korrik.

 

“Nuk ka zgjedhje të parakohshme për bashkitë, kryebashkiakët do të vijojnë mandatin e tyre. Unë nuk jam për lista të hapura, por çfarë nuk ndodh deri në fund. Kështu që, kjo fushatë është betejë e juaja”, është shprehur Edi Rama në mbledhjen e fundit me deputetët e tij, para votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend.

 

Një tjetër diskutim i ndjeshëm ditëve të fundit ka qenë ai për pretendimin e Greqisë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon, që derimë tani ka zgjedhur të kalohet pothuajse në heshtje nga qeveria shqiptare. Nuk dihet nëse kjo temë do të jetë pjesë e diskutimeve që do të bëhen sot në mbledhjen e socialistëve, apo Rama do të preferojë siç ndodh në çështje madhore, të thojë veëm fjalën e tij.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img