Si e shiti Berisha detin pas financimit të fushatës nga grekët

Debati për kufirin detar mes Greqisë dhe Shqipërisë sa vjen edhe bëhet më i zjarrtë. Dje ka pasur shumë reagime në politikën shqiptare dhe atë greke, ndërsa nuk ka mbetur pas as kryedemokrati Lulzim Basha. Gazeta kontaktoi me ish-kryetarin e Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, një ndër personat që ka reaguar ashpër sa i takon paktit të 2009 mes Greqisë e Shqipërisë. Madje Spahiu u shkarkua nga posti në KLD pikërisht për shkak të akuzave të shumta të tij ndaj grekëve.

 

Në një intervistë për gazetën SOT, ai ka hedhur dritë mbi atë se çfarë po ndodh tani me çështjen e detit dhe atë se çfarë ka ndodhur në 2009. Spahiu ka treguar për gazetën arsyet se përse Berisha e shiti detin. Sipas tij, ish-kryeministri, para zgjedhjeve të 2005 kishte arritur një pakt me 6 pika me grekët, të cilin do e zbatonte nëse ata e sillnin në pushtet. Sipas Spahiut, grekët financuan fushatën dhe lobuan përmes Nikolas Geixh që Berisha të fitonte zgjedhjet.

 

Spahiu ka treguar se si më pas u plotësua plani 6 pikësh, ku përfshihej dhe shitja e detit. Nga ana tjetër, ai ka treguar se kryeministri Rama nuk do e ripërsërisë atë që bëri Berisha, ndërsa shprehet se gjetja e gjuhës së përbashkët me grekët do të jetë shumë e vështirë. Sipas Spahiut, Berisha ka kryer krim me paktin e 2009 dhe duhet të ndëshkohet. Spahiu ka analizuar dhe deklaratën e kryeministrit grek për zgjerim me 12 milje, të cilën e cilëson kontradiktore.

 

-Zoti Spahiu, debati për kufirin detar mes Greqisë dhe Shqipërisë është rindezur. Si e shihni faktin që Greqia në kulmin e tensioneve me Turqinë kërkon marrëveshje me ne?

 

Janë disa faktorë që Athina po rindez debatin në këto momente: E para për të demonstruar se nuk ka tendencë të njëanshme kundër Turqisë, por se Greqia e ka axhendë me gjithë vendet fqinjë Shqipëri, Itali, Turqi për demarkacionin. E dyta sepse kjo çështje rrit elektoratin e Nea Demokracisë nëpërmjet debatit nacionalist. E treta sepse në Shqipëri po afrojnë zgjedhjet dhe nënshkruesi i marrëveshjes së 2009 Lulzim Basha, pretendon të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë!

 

-Kryeministri grek këmbëngul te zgjerimi me 12 milje. Si e shihni deklaratën e tij, pasi ka shumë interpretime mbi zgjerimin me 12 milje bazuar dhe te konventat?

 

Kjo deklaratë është totalisht kontradiktore. Në thelb kryeministri grek kërkon atë çfarë edhe Gjykata Kushtetuese Shqiptare ka arsyetuar në vendimin e saj kur prishi marrëveshjen e dy qeverive Berisha-Karamanlis: Demarkacioni detar Shqipëri-Greqi të ndahet sipas Konventave ndërkombëtare dhe jo duke dhuruar pjesën shqiptare siç e bëri Sali Berisha kryeministër me firmën e Lulzim Bashës ministër i Jashtëm. Greqia sapo ka përfunduar marrëveshjen për kufirin detar me Italinë. Ata i janë përmbajtur marrëveshjes së vitit 1977 për shelfin kontinental, që ka parim vijën e mesme të korrektuar. Kjo është shumë mirë të aplikohet dhe në bisedimet me ne.

 

-A ka gjasa të ripërsëritet një skenar si ai i 2009, por këtë herë nga qeveria “Rama”?

Jo nuk ka asnjë mundësi që të përsëritet. Kjo për tre arsye: 1- Edi Rama ishte palë paditëse në gjykimin kushtetues 2011 për marrëveshjen Berisha-Karamanlis. 2- Edi Rama shkarkoi Ditmir Bushatin nga ministër i Jashtëm për shkak të bisedimeve me Greqinë; 3- Edi Rama do shkatërrohej politikisht në vitin e tij elektoral nëse i fal Athinës 12 milje det.

 

-Si e shihni rolin e Turqisë në këtë mes? A ka ndikim te negociatat Shqipëri-Greqi?

Jo nuk ka asnjë ndikim Turqia në debatin Shqipëri-Greqi. Në 2011 ndikim kishin SHBA, të cilat u garantuan imunitet gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që kërcënoheshin nga Berisha për ta lënë marrëveshjen në fuqi. Vetëm ndërhyrja amerikane bëri të mundur prishjen e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese.

 

-Ju u shkarkuat nga posti i nënkryetarit të KLD me argumentin se keni dëmtuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Pse sipas jush Berisha dhe Basha firmosën paktin në 2009?

 

Sepse në 2005 Partia Demokratike erdhi në pushtet sipas një marrëveshje me Greqinë, e cila financoi fushatën e Berishës nëpërmjet greko-amerikanit Nikolas Geixh. Marrëveshja e Partisë Demokratike-Athinë përmbante 6 pika: 1- Delimitimin e kufijve Shqipëri-Greqi në detin Jon;

 

2- Hapjen e 6 varrezave të ushtarëve grekë në jugun e Shqipërisë; 3- Hapjen e shkollave greke në disa fshatra minoritarë; 4- Lejimin me ligj të ndryshimit të kombësisë nga shqiptare në greke të ortodoksëve shqiptarë nëpërmjet vendimeve gjyqësore; 5- Marrjen e një ministrie në qeveri nga minoriteti grek (Ministri Spiro Ksera); 6- Koalicion qeveritar me partitë e minoritetit grek.

 

Berisha dhe Basha e mbajtën premtimin dhe i plotësuan të 6 pikat e marrëveshjes!

-Si shpjegohet që prokuroria mbylli hetimet dhe nuk u ndëshkua askush mbi marrëveshjen e 2009?

 

Sepse prokuroria kontrollohej në atë periudhë nga qeveria Berisha. Nuk guxonte asnjë prokuror të prekte kryeministrin Berisha, i cili ishte në kulmin e fuqisë së pushtetit të tij. Unë personalisht e denoncova dy herë në prokurori marrëveshjen e detit dhe më pas Kuvendi ngriti komision hetimor për shkarkim me motivacionin: “Kreshnik Spahiu shkarkohet nga funksioni i zv/kryetarit KLD për kapërcim kompetencash në dëm të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-greke dhe ndërhyrje anti-ligjore në çështjen e delimitimit kufijve detar Shqipëri-Greqi.

 

Tonet nacionaliste të artikuluara nga zv/kryetari KLD Kreshnik Spahiu kanë ndikuar në bashkëjetesën vëllazërore të emigrantëve shqiptarë me popullin grek”. Ambasada Amerikane bëri një raport të veçantë, i cili u publikua më pas nga wikiliks, ku thuhej: Kreshnik Spahiu një nga zyrtarët më të rrezikuar fizikisht për jetën nga kërcënimet e Sali Berishës. Më pas unë dorëzova peticionin me 50.000 firma kundër ndryshimit të kombësisë dhe fitova çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

 

-A mendoni se do gjendet gjuha e përbashkët apo mund të kemi tensione mes dy vendeve?

Jo nuk do gjendet një gjuhë e përbashkët sepse qeveria Rama mban raporte të mira me SHBA dhe Turqinë. Në këto kushte qeveria Rama do e largojë palën greke me duar bosh për të marrë rol protagonist dhe merita para zgjedhjeve.

 

-Ju në rrjetet sociale keni deklaruar se Greqia po shpreson që në zgjedhjet e 2021 të fitojë Basha. Mendoni se kreu demokrat do shkojë sërish te e njëjta çështje?

Basha ka shkuar dhe është i detyruar t’i qëndrojë pazarit me Greqinë. Ata financojnë miliona euro që Basha dhe koalicioni PD-PBDNJ të vijë në pushtet. Greqia dhe Nea-Demokracia janë aleati kryesor që mbështesin bërjen e Lulzim Bashës kryeministër. Firma e Bashës për delimitimin e detit Jon vlen për Athinën trilionë euro burime gazi dhe nafte në territorin që tenton të rrëmbejë Greqia me nënshkrimin e tradhtarit, i cili vetëm të riciklohet në pushtet ka bërë sërish pakt me djallin.

 

-Berisha vijon këmbëngul se pakti i 2009 ishte më i miri. Si i shihni qëndrimet e tij?

Si jurist e kuptoj qëndrimin e Sali Berishës. Kështu ndodh gjithmonë me të pandehurit ose me ata që rrezikojnë burgun: “Legjitimojnë krimet e tyre si veprime normale”. Sipas Kushtetutës konsiderohet krim dhe tradhti kombëtare kush tenton të cenojë integritetin territorial dhe kufijtë e Shqipërisë. Athina është avokati kryesor i Partisë Demokratike. Pazari i klientit me avokatin në këtë rast është shumë i lartë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...