Sandër Ruçi: Nuk mund të ndalem së shërbyeri qytetit tim dhe artit…

Sandër Ruçi është një nga njerëzit e mëdhenj të humorit shkodran, i cili jo vetëm ka trashëguar dhe jetësuar humorin e madh, që qyteti i tij ka pasur gjithmonë, por që i vetëm, vazhdon të kurorëzojë sukses edhe me “Varietenë”, e cila vijon “Estradën” e madhe që nuk është më. Ai edhe pse jashtë ose më mirë në Amerikë, kthehet, e i vetëm arrin të transmetojë humorin e qytetit dhe talentit të tij, në një pikë të krizës humoristike sot. Sandër Ruçi si mjeshtër i humorit ka mbetur “I fundit i Mohikanëve” në variete si i vetëm.

Ai vazhdon të lartësojë humor qytetar shkodran. Ka shumë “Shoë” të tij dhe nuk dorëzohet, duke qenë libretist, skenograf, aktor shumë planësh, parodist, regjisor i vetëm. “Turbo Show” ose shfaqa e fundit e tij, ishte një sukses në publikun shkodran, me hapësirën e personazheve, tematikave dhe roleve. Gjithmonë kritik dhe i drejtpërdrejtë si në humor dhe jetë, ai arrin të transformojë sallën dhe skenën në një raport të qartë bashkëkohor humori dhe sensibiliteti qytetar.

 

– Pse kthehesh gjithmonë mjeshtër, si arrin të përballesh me të sotmen, dhe për kë kthehesh?

 

Po kësaj rradhe kam ardhur me 12 role. Se unë prej Mirdite jam, e vërejtja më e madhe është “Mirditor asht”. Në fakt, gjak mirditor jam, por babai ka ardhur 20 vjeç në Shkodër, nëna është me breza të largët plotësisht shkodrane, unë po bëhem 64 vjeç në Shkodër, por një pjesë kanë harruar që unë jam dhe amerikan me pasaportë. E kur më pyesin çfarë na premton, a do të vish më, ju them: Ne mirditorët themi “i never no”. Në këtë sens, unë i ndaj në katër kategori.

 

Ata që fillojnë te bexhisteni, vijnë nga Parruca nëpër stola, vijojnë në pedonale, shkojnë te ata që kanë humbur nderin, paratë dhe shëndetin, e janë të rrezikshëm. Janë një pjesë të dëshpëruar dhe thonë: ku po shkon, pse nuk ndalesh mor “shk..atë”? Sikur të thonë “nadja e mirë” apo vjen me pi një gotë. Kategori tjetër është që nuk ju ka thënë kush “puna e mbarë” e kanë pseudonime, kujtojnë se me pseudonime bëhesh dikush. Këta flasin për shkencën, për artin, për shtetet, superfuqitë.

 

Kategori tjetër janë që shohin punën e tyre, por e duan artin, duan sportin. Ka dhe një kategori tjetër që nuk duken, nuk shikohen as dalin, as pretendojnë të kontribuojnë për qytetin. Një palëve vjen Sandri ju prish “gjirizin” në fakt. Sandri ka ardhur të bëjë humorin e tij, qejfin e tij, për të kontribuar për qytetin e vet. Një pjesë duan të më bëjnë të mendoj atë nëse të vij apo jo dhe është një gjë që mund të ndodhë, por nuk munden me më ndalë, sepse “jam i zoti me punu dhe triumfu” dhe nuk kam si ndalem. Unë kam qëllim t’ju shërbej qytetit dhe artit, dhe nuk mund të ndalem. Prandaj vij gjithmonë.

 

– Kush është mundi, sakrifica për të bërë një gjë të tillë Sandër?

 

Nuk është gjë e vogël Besi. Unë përveç se e bëj si detyrim për qytetin, unë vij prej një akademie arti, e cila ka pasur, një “statusquo” të madhe dhe të fortë, unë kam dy tituj të cilët me punë justifikohen. Sepse, kanë tituj njerëz që dalin profesionalisht në pension dhe nuk kanë bërë ende asgjë, kur unë kam bërë 11 premiera vetëm! Duhen sakrifica sigurisht. Pra sakrifica është detyrim moral dhe personal. Kështu mund të jesh dikushi edhe pse nuk janë pak, sepse kam luajtur 93 premiera në estradë. Kam 43 vite aktivitet. Kështu që dashje pa dashje, do të justifikosh emrin dhe titullin. Sepse e merr titullin dhe po e marrin boll, por duhet me dalë në skenë. Duhet përligjur për të thënë publiku “bravo i qoftë sepse e ka merituar”.

– Po mundi dhe sakrifica financiare?

 

Unë dashje pa dashje jo se nuk kam pasur besim te sponsorët, të cilët gjithmonë kanë qenë afër, e më ironizojnë duke thënë se “ne e dimë ku i çon paratë”, duke nënkuptuar artin. Ata jo se kanë qenë dorëlëshuar këtë rradhë, por nuk më kanë lënë mbas dore. Në përgjithësi unë i dal zot vetes dhe shfaqjes time edhe financiarisht.

 

– Ju jeni një njeri i tre kohëve Sandër, i asaj dikur, i kohës sot dhe asaj “now”, çfarë raporti keni me trashëgiminë?

 

Faleminderit, është një kompliment. Kam dalë pra nga një akademi që ka vendosur vulën në artin e humorit dhe emrave që kanë bërë epokë edhe unë prej tyre kam mundur të mësoj. Jam “kollonis” me këtë brezin e dytë. Jam pjekë me epokën e tretë. Duket në skenë dhe shfaqja e fundit ishte prelud i gjithë kësaj, që po thoni. Mua më duket se është maja e “varietesë” pa shitur mend edhe si shqiptare në rrafsh profesional.

 

– E shikon të ardhmen “rozë”, duke pasur shumë skeçe në variete, apo është problematike?

 

Në Shkodër, nuk ma merr mendja se është problematike. Objektivi është të krijojmë sot atë që kanë krijuar dikur, kur është bërë festival estradash dhe Shkodra gumëzhinte me talentet nga më të ndryshmet, në muzikë dhe aktrim. Ka qenë një bazë e fuqishme për të furnizuar estradën. Kështu derivati jam dhe unë. Në këtë sens “ajo”, pra estrada, nuk ekziston, por duhet të ekzistojë një dashamirësi e specialistëve të kësaj fushe, sepse talente ka Shkodra dhe duhen gjetur, përzgjedhur dhe ngjitur në skenë. Edhe me mua hapën fjalë përpara shfaqjes si rëndom, jo ka marrë Nexhon, jo këtë apo atë. Por një regjisor i mirë, kur i vendos në vendet e duhura si të vjetër dhe të rinj, shfaqja merr ritëm tjetër dhe të gjithë këta kishin sukses e varieteja ju dha publikut që na vlerësoi. Kishte dashamirësi dhe unë e deklaroj: se unë për një vit e gjysëm krijoj një shfaqje me të gjitha parametrat e sotëm. Është shumë e mundur.

 

-Në shoqërinë shkodrane, shqiptare, shikon humor, batutë apo nuk është më si dikur?

 

Për hir të së vërtetës, nuk është më si dikur. Në sensin e modernitetit ndoshta ka evoluar, si art, si performancë, pra trupa e “Portokallisë”, “Al Pazar” apo ndonjë tjetër. Por duhet para e madhe. Në retrospektivë Shkodra ka pasur lokalet, vende të ndryshme që kanë pasur të gjitha gaztorët e tyre. Ka dalë Tano Banushi prej tyre. Ata kanë bërë humor e ndoshta kanë qenë nën diktaturë dhe kanë zgjedhur humorin e ia kanë adresuar x apo y, që regjimi nuk kishte çfarë t’ju bënte.

Por kishte humor Shkodra dhe i bërë më me “bonsens” dhe më i hollë. Bie fjala kur u mbyllën kishat e xhamiat Bik Pepa thoshte “natë për natë e pi një gotë venë për me tregu se jena të kshtenë”. Ose kur “siguruam bukën në vend” Biku thoshte “sot për sot bukë e gru janë siguru”. Sot bëhet humor Facebook-u në sensin e demokracisë së shpartalluar, që ka klikimin që ose të bën “horr ose zotni”. Por sot të bësh humor është më vështirë, sepse ballafaqohesh në mënyrë internacionale. Bota, Europa, ka kualitete të mëdha, prandaj duhet pasur kujdes. Shumë kush kujton se nën diktaturë ja kanë ngrënë hakun. Por më fal për shprehjen “kanë dalë si baglat” se në skenë nuk ta ka ngrënë kush hakun. Ai sistem përnjëmend ka qenë diktaturë, por i ka zgjedhur elementët, sepse i kanë bërë punën e vet.

 

– Si e përshkruan si artist dhe qytetar veten Sandër Ruçi. Për ju kush është?

 

Për mua Sandër Ruçi është një djalë punëtor që 15 vjeç, me karakter dhe edukatë familjare, me bonsens qytetar, por dhe rebel sa të duash, i cili do miqtë dhe dashamirët e do popullin, por dhe populli e do Sandrin. Unë e vërej e prek këtë, sepse u bënë shumë e shumë raste. Me plot parametra dhe aksesor, në raport me punën me familjen, me shoqërinë, e me qytetin.

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...