Pas denoncimit të zhdukjes prej 6 ditësh të Irfan Domnorit, Ambasada Shqiptare në Podgoricë ka bërë me dije se atleti shkodran ndodhet në Burgun Hetues në Spuzhë, pasi është dënuar me 10 ditë burg.

Sekretarja e Ambasadorit, Teuta Kalaj ka telefonuar miken e Domnorit, Elida Jorgoni, njëherazi ajo që bëri të ditur zhdukjen e tij, duke i siguruar se është në mbikëqyrjen e shtetit shqiptar, por nuk ka dhënë motivin se përse është arrestuar.

Denoncimi i Elida Jorgoni, mike e Irfan Domnorit

Atleti shqiptar pas gjestit të të cilit “lëvizi” qeveria e Malit të Zi duke miratuar ligjin për simbolet kombëtare, e që i hapi rrugë përdorimit të flamurit shqiptar lirshëm, ishte zhdukur pa asnjë gjurmë prej 6 ditësh. Irfan Domnori prej datës 26 dhjetor nuk kishte kontaktuar me asnjë nga familjarët dhe miqtë e tij, ndërsa në banesën e tij në Shkodër nuk ndodhej as biçikleta me të cilën ai udhëtonte.

Të gjitha këto detaje, së bashku me thirrjen për të kërkuar të vërtetën, i bëri të ditur ekskluzivisht për Shqiptarja.com Elida Jorgoni, mike e Irfan Domnorit, që i bashkon një shoqatë atdhetare. Në nëntor, Irfani u dënua me 300 euro gjobë nga autoritetet malazeze dhe u dëbua për një muaj nga Mali i Zi pasi ngriti flamurin shqiptar në Ditën simbolike të Gështenjës në Krajë, gjest që solli edhe miratimin e ligjit në Kuvendin malazez.

Në një komunikim më herët me Shqiptarja.com, Elida Jorgoni, tha se e kishte takuar për herë të fundit Irfanin më 26 dhjetor në Shkodër. Aty Irfani i kishte shprehur dëshirën e tij për të qenë në Ulqin për një ekspozitë, por se kishte frikë të udhëtonte me biçikletë nga rreziku i ndonjë aksidenti në rrugë. Nga ai moment e deri më sot, telefoni i tij rezultonte i fikur. Siç tregon Elida Jorgoni, Irfan Domnori nuk kishte bërë asnjë njoftim në punë për mungesa.

“Irfani shkoi në Mal të Zi për festën e Gështenjës më 16 nëntor, dhe kur mbaroi festa po vinte në Shkodër. Gjatë rrugës, para doganës e ndali makina e policisë dhe e futën brenda dhe ja morën gjobën padrejtësisht kur ky nuk kishte as avokat me vete. Erdhi në Shqipëri dhe i mbaroi afati 1 mujor, më 16 dhjetor. Unë me datë 26 isha në Shkodër dhe isha me të për një aktivitet dhe ai tha që dua të shkoj në Ulqin për një ekspozitë të fotografisë. Por është pasdite tha dhe e kam problem për t’u kthyer sepse nuk fle dot në hotel, dua të fle gjithmonë në shtëpinë time.

Dhe po kërkoj një shokë të shkoj me makinë, të vemi e të vimë. Kam shkuar edhe me biçikletë por më kanë thënë të mos shkoj me biçikletë, se mund të më godasë ndonjë makinë vetëm nëpër rrugë jashtë qytetit se jam i pambrojtur. Ai është elektricist në zyrën e telefonatave me turne që pret telefonata për defektet në të gjithë rajonin e Shkodrës. Unë mendoj se ai nuk do të shkonte vetëm me biçikletë, se më tha se nuk shkoj.