“Kur të hapen letrat do dalin çudira në pasurinë e çiftit Meta-Kryemadhi”

Juristi Romeo Kara, ka deklaruar dje se sfida e reformës në drejtësi do jetë ndëshkimi i Ilir Metës dhe Sali Berishës. Në një intervistë për gazetën “Sot”, ai shprehet skeptik për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Megjithatë ka deklaruar se ai duhet të dalë para drejtësisë. Sipas tij, mjafton që të hapet dosja CEZ-DIA dhe Meta do shohë dyert e burgut.

Nga ana tjetër, Kara është shprehur se po ashtu pasuria do fundosë Metën e bashkëshorten e tij. Juristi u shpreh se kur të verifikohet pasuria e tyre, do dalin në skenë të dhëna marramendëse. Sa i takon Berishës, Kara u shpreh se ai është simbol i destabilizimit dhe kapjes së shtetit.

BE ka vënë kusht luftën ndaj korrupsionit, ndërkohë ju jeni ndër të paktët që keni denoncuar në prokurori dy afera të mëdha, ajo e kontraktimit të CEZ dhe pakti CEZ-DIA. Si e shpjegoni që prej gati dy vitesh këto dosje mbahen në sirtar?

Në lidhje me dy aferat që unë kam denoncuar ligjërisht dhe publikisht dhe që janë mbuluar nga pluhuri në prokurori, unë mendoj se këto afera janë tashmë të zbuluara dhe të paraqitura prej meje në mënyrë të pakundërshtueshme, në të kundërt këto çështje do të ishin pushuar.

Vegjetimi i prokurorisë, e cila fle apo bën pazare me afera të tilla, flet për një mungesë totale integriteti dhe dinjiteti të prokurorisë. Prokuroria po i mban peng këto dosje të nxehta, duke i dhënë mundësi ish-pushtetarëve të përfshirë në to, ta cënojnë procesin e hetimit në çdo aspekt, tek provat dhe dëshmitarët, si dhe tek kalimi i afateve të parashkrimit të veprës penale.

Ky qëndrim i prokurorisë, mbi të gjitha shpreh inkriminimin e plotë të saj dhe varësinë që ajo ka ndaj pushtetarëve të korruptuar të të gjitha krahëve të politikës. Prokuroria ka arrestuar persona për vepra penale qesharake, ndërsa për vjedhësit e krejt pasurisë kombëtare, prokuroria nuk guxon as t’i thërrasë në seancë pyetjesh e jo më t’i arrestojë dhe t’u sekuestrojë pasuritë.

Askush nga politika nuk dëshiron që të hapen këto procese dhe të dënohet Saliu, Iliri etj. Nëse dënohet Saliu dhe Iliri, nuk mund të rrinë pa u dënuar edhe të ngjashmit e tyre në qeverinë e sotme, të cilëve iu ka dalë vetja nga duart. Politikanët tanë mund t’i ndajnë selitë e partive, por i bashkon i njëjti mëkat dhe për çudi të njëjtët oligarkë. Qëndrimi i tyre është mbi të gjitha një pabesi ndaj popullit të tyre që i ka votuar për të mirëmenaxhuar, ndërsa ata vodhën dhe shpërdoruan pikërisht atë që iu ishte besuar.

Kurrë nuk do të vidhte një politikan e qeveritar nëse nuk do të kishte garancinë e prokurorisë dhe gjykatës. Trimëria e tyre për të vjedhur, ushqehet pikërisht nga kjo garanci kriminale e këtij sistemi drejtësie. Përfundimisht mendoj se ka një pakt në heshtje për të mos i trajtuar ligjërisht këto dy afera dhe me sa duket, unë jam për momentin i vetmi person i interesuar për të zbatuar ligjin përsa më sipër. I siguroj të gjithë se unë do t’i shkoj deri në fund, rrugës që kam nisur, pavarësisht çmimit që do të më duhet të paguaj. Unë do ta fitoj këtë përballje me hajdutët e parave dhe të shpresës së këtij populli.

Nëse shkarkohet, a rrezikon presidenti të shkojë për ndjekje penale për mëkatet që ka kryer? Ju jeni ndër ta që e keni paditur.

Nuk besoj se Meta do të shkarkohet, por edhe nëse shkarkohet, është e vështirë që ai të ndiqet penalisht lidhur me dekretimet dhe zhdekretimet e tij. Për t’u shkarkuar duhet ringritur Gjykata Kushtetuese, për të cilën duhet të caktojë tre anëtarë Gjykata e Lartë, tre Kuvendi dhe tre presidenti. Siç shihet kjo do kërkojë mjaft kohë dhe asgjë nuk mund të jetë e sigurt lidhur me kriminalizimin e Metës. Unë garantoj se Meta do ta shohë mirë burgun, kur të merret seriozisht çështja DIA-CEZ. Deri atëherë do të duhet që të presim.

Bashkëshortja e tij dhe vetë Meta thonë se gjithë pasurinë e kanë të justifikuar. Si e shihni faktin që zotërojnë një pallat dhe fëmijët i shkollojnë në Londër?

Nëse realisht çifti Meta-Kryemadhi do të kishin një pasuri të justifikuar, nuk do të shihnim një Monikë të çmendur që bombardon me çizme e molotovë, si dhe një Ilir që nuk e mban zyra dhe ka marrë malet, duke pozuar në lidhje me qen, mace, peka etj. Kur të hapen kartat, besoj se do shohim çudira përtej imagjinatës dhe ky pallati i Monikës do duket fare pa vlerë. Jam i sigurt se pasuria e tyre do të konfiskohet, si një pasuri e vënë me vjedhje, korrupsion, trafik, shpërdorim detyre etj.

Dielli i pasurisë së paligjshme të çiftit Meta-Kryemadhi nuk mund të mbulohet me shoshat e Monikës. Është folur shumë për shitje e rishitje pronash nga kjo familje mafioze, por unë i siguroj edhe ata vetë se është shumë vonë për t’iu fshehur fatit të tyre. Drejtësia nuk do bjerë pre e manovrave të tyre, por me metoda më të thjeshta dhe efikase do ta zgjidhë edhe problemin e pasurisë së tyre. Ata mund t’i çojnë fëmijët për t’i shkolluar në Londër, por edukatën e hajdutit ja u kanë dhënë që këtu, kështu që pak vlen diplomimi i tyre. Uroj që të vijë ajo ditë që bashkë me pasurinë t’u konfiskohen edhe diplomat e blera me paratë tona.

Një tjetër emër që ju keni paditur është Sali Berisha. Si shpjegohet se gjatë 30 viteve nuk i ka hyrë gjemb në këmbë?

Tek Saliu fillon dhe mbaron kjo epokë. Është simboli i këtij sistemi të mbrapshtë politik, arkitekti i këtij sistemi, strumbullari i tij, pengmarrësi i tij dhe i krejt Shqipërisë. Ai erdhi në pushtet jo si një pushtetar i thjeshtë, por si një udhëheqës, si një vizionar që ofronte garanci dhe shpresë për këtë popull. Kjo është arsyeja që pasi manipuloi demagogjikisht këtë popull, ai zbatoi pa mëshirë politika antishqiptare të rrënimit ekonomik, të përçarjes politike dhe të instalimit të pushtetit të tij personal dhe familjar. Edhe dje u përmend në media një prokurore në Durrës që kishte dalë nga studiot e vajzës së Berishës.

Berisha ka arritur të fusë nën një kontroll të paimagjinuar të gjithë sistemin e drejtësisë. Aty qëndron pikërisht një pjesë e forcës së tij. Berisha gjithashtu është i gatshëm që të destabilizojë politikisht vendin nëse i rrezikohet sado pak interesi i tij dhe të gjitha protestat që nga çadra e deri më tani, kanë qenë protesta të urdhëruara dhe drejtuara nga ai. Berisha ka në favor të tij presidentin,pasi ndajnë të njëjtin hall. Berisha ka në favor të tij çdo qeveritar të korruptuar sot dhe sa më shumë t’i lëshohet litari korrupsionit, aq më shumë qetësohet ai. Pra, Berisha është një sistem, është vetë sfida kryesore e drejtësisë dhe e politikës së re. Tek ai ka filluar kjo epokë, tek ai do mbarojë.

A vijon ish-kryeministri të ketë në kontroll gjyqtarë e prokurorë të caktuar?

Patjetër që ai është padroni kryesor i të gjithë sistemit të korruptuar të drejtësisë. Ajo është fidanishtja që ai e ka mbjellë me shumë merak me duart e tij. Pikërisht tek kjo fidanishte dhe tek horrat që ka pas, fshihet shkaku i trimërisë së Berishës, sepse në gen është tjetër gjë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...