Fotografi ka lënë gjurmë të çmuara historike, nga periudha e pasluftës së Dytë Botërore e deri në ndërrimin e sistemeve, por imazhet e tij s’reshtin së foluri as në demokraci.
Janë të paktë ata që e dinë se një nga momentet më pikante, që trazoi shtypin e politikën në fund të janarit të ’97-ës, është përjetësuar përmes objektivit të tij. Bëhet fjalë për rrahjen e bujshme të Edi Ramës, sot Kryeministër. Është diskutuar gjatë për të gjetur fajtorët, dikush akuzoi Berishën, të tjerë SHIKun, e mandej ish-kreu i PD-së, hodhi në valle një përplasje pasioni, por si ndodhi që vetë Rama i rrahur, si mos më keq, me grushte e mjete të rënda hekuri, pozoi përballë aparatit?
Ngjarja ka ndodhur në terrin e natës, Kumi kujton ende sot, 22 vite më pas trokitjet e forta në derë që “i trazuan” gjumin dhe përballjen me pamjen mak abre të Ramës mbuluar në gjak, që i kërkonte ta fotografonte. Në rrëfimin e Petrit Kumit, Rama 33-vjeçar nuk shfaqet i frikësuar. Mandej në ikje, “rebeli” i gjakosur e ende i pamjekuar kujdeset të marrë me vete edhe negativët. Jo të gjithë, mesa duket, pasi siç Kumi tregon, arriti të ruajë një prej tyre. I befasuar, ndoshta edhe i tronditur nga gjithçka ndodhi, mjeshtri ndjek me sy largimin e Ramës.
Edi Rama, i rrahur në janar të ‘97
Në makinë e priste një tjetër artist që errësira nuk e lejonte ta diktonte, emrin e të cilit Kumi do ta zbulonte më vonë. Kumi, teksa tregon historinë e fotos, prej së cilës, edhe në rrëfimet e Ramës ka kërkuar të mos përmendet si autor, zbulon se kjo nuk ishte hera e parë që fotografonte Ramën. Pas Kadaresë, ai do të shkonte në Francë për të fotografuar atë që do të ishte Kryeministri i ardhshëm.
Shumica e fotove tuaja, veçanërisht ato që rrëfejnë figurat politike arrijnë të bëjnë bujë e t’i rezistojnë kohës. A ka ndonjë të tillë edhe me Kryeministrin?
Ndoshta po. Kjo lidhet me një ngjarje të largët, atë të rrahjes së Ramës në ’97-ën. Flitet për foto, për të cilat i kam kërkuar vetë Ramës që mos të ma vendos emrin. Kujtoj se kish kaluar mesnata, kur dera trokiti fort. Ishte i gjithi i mbuluar në gjak dhe e hapi derën gati me zor. “Çfarë të ka ndodhur kështu?”, i thashë. Ai kërkonte foto si dokumentim të pamjes, asaj që kishte ndodhë.
Çfarë ndodhi më tej, ishte frikësuar nga ajo çfarë kishte ndodhur?
Jo, jo! Ai trokiti ashtu gati me forcë. “Ma hap derën”, thirri, si të qe shtëpia e vetë.
Kështu, fotot u bënë?
Fotot i realizova. Pra siç thashë, flitej për foto-dokument. Që ai të mund të thoshte: “Shiko si më kanë bërë”.
Ç’ndodhi më pas, qëndroi gjatë?
Nga dritarja, unë vura re se dikush po e priste në makinë. E pyeta se kush ishte në makinë. “S’ka ç’të duhet ty, një shoku im është”, m’u përgjigj. Më vonë mora vesh se kishte qenë artisti Vladimir Myrtezai. Ndenji thuajse dy orë, mandej rreth orës tre u largua. Në fund mori filmat. “Një e kam unë”, i thashë në ikje.
Me Ramën do të takoheshit dhe në 2013-ën, gjatë Panairit të Librit, ndërsa ju botonit albumin “Jeta përmes objektivit”, në faqen 172 të së cilit gjendet imazhi i Ramës me të atin?
Është e vërtetë, m’u drejtua me humor dhe më tha: “Po ti ç’bën këtu?” Kur u bë kryetar bashkie unë i pata thënë: “Shiko, mos më kërko më si ato foto”! (qesh) Pra, njohja me të niste prej kohës ku luante basketboll, të atin e kam pasur mik.