Ahengu shkodran, harresa e tij dhe njerëzit e melodisë së parë qytetare

Duke u “rritur” në cilësitë tona muzikore në ditët e sotme, patjetër që vërejmë ato mënyra të mbështjelljes së këngës dhe orkestrimit në përgjithësi, që të bëjnë të mendohesh mirë se në çfarë trashëgimie po lundrojmë. Dikur, përpara viteve ‘90-të, të mësuar nga ideologjia për të shmangur “ndikimet e së kaluarës” i është dhënë goditje edhe “ahengut” sidomos atij shkodran, më i madhi, më i larmishmi në këngë dhe tekste të jashtëzakonshme. Por akoma më i madh, sepse ka nxjerrë edhe këngën qytetare shkodrane që partia në fakt e lejonte, por nuk pranonte se ishte produkt ahengxhinjsh. Në fakt, ishte një notë pexhorative të të thuhej… ahengxhi në atë kohë.

 

Nënkuptohej një njeri që ishte i papunë, i qejfit, i pijes dhe i dasmave, por edhe i qyfyreve dhe batutave… e në fakt Shkodra pikërisht e tillë ka qenë, (përveçse punonte më shumë se të gjithë) dhe është ahengu dhe ahengxhinjtë, që kanë bërë edhe melodinë e madhe qytetare shkodrane. E gjitha kjo, pa dallim religjioni në fakt. Madje, një shumicë e ahengxhinjve ishin të besimit katolik në Shkodër. Në arkivin e Muzeut

Historik të Shkodrës, janë disa punime të shkëlqyera të dekadave më parë për muzikën qytetare dhe po ashtu edhe të periferive të Shkodrës, por me një arsye të veçantë u ndala te një shkrim i Kol Gurashit për arsyen e vetme, që edhe me studimin e disa shkrimeve të tjera të nxirrja emrat e lartë të ahengut shkodran që në fakt në Shkodër shqiptohet shpesh… eheng!

Sot, edhe në sajë të trashëgimisë së madhe, mund të quhet e dobët ngritja në kult e “ahengut” dhe njerëzve të tij të parë dhe të përmendur, për të mos harruar se nga ku rrjedh muzika qytetare shkodrane. Sot në fakt,

nuk organizohet në mënyrë të qartë, me aftësitë e sotme dhe me një krenari të veçantë një lloj aktiviteti që rilevon pikërisht këtë trashëgimi të jashtëzakonshme të Shkodrës. Nuk bëhet fjalë për 10-20 këngë, por me qindra dhe vetëm dasma shkodrane ka një numër ekzakt… që shumë kush e di për 320! Më e bukura e

delirantëve të dikurshëm dhe të sotëm është se ahengun e barazojnë me ekzekutimet e cingarelëve apo romëve në përgjithësi! Janë po ata tipa që sot kultivojnë një bastardim muzikor turbofolk dhe shkatërrues trashëgimie. Gjithsesi, ahengu i Shkodrës është një trashëgimi e jashtëzakonshme që ka dalë nga zejtarët dhe artizanët e Shkodrës, dhe ka edhe figurën e tij në një nga kryeveprat e Idromenos, pasqyrimin e një kritike shoqërore që ai i bën te “Dy Rrugët”.

Ahengu shkodran është një “zbulim” i kohës së Vezirit të Shkodrës ose Mustafa Pashës dhe kjo kohë, e bën pikërisht ahengun të instrumentalizuar me virtuozitet, dhe patjetër i kryesuar nga njerëz që në vazhdim nuk ishin vetëm me “vesh”. Fillimet mbajnë si kujtesë sazexhiun Mehmet Agë Shllakun. Kurse organizimin e ahengut me këngë sipas të dhënave, është bërë në fillim nga Kasem Xhuri që kishte sjellë nga Izmiri disa, duke ia shqiptarizuar melodinë në trajtën e një valleje shkodrane. Kjo ka qenë koha e riformimit të ahengut në Shkodër. Kurse për ta ndarë melodinë nga tingëllimi i përbashkët me Shqipërinë e mesme, është Marku i Krajanjës dhe gjithmonë në drejtim të kalimit në këngë të kërcyeshme shkodrane. Mbas tij vijnë si përpunues Cor Jakova, Seit Hoxha dhe Hila i Files… etj., etj. Ahengu shkodran ka shumë autorë tashmë të këngëve tipike të Shkodrës dhe unë po përmend: Molla Hysejn Dobraçi, me Lif –allah dhe këngë të vjetra,

Nel Moha, me këngën e Oso Kukës dhe Miletit, Hila i Files me “Nji kellef me ar ta çova”, ose “Të due moj të due”, Palok Kurti me “Marshallah bukurisë sate” ose “Në kafaz të kan zaptue” dhe po ashtu edhe Gjon Jubani e Gjovalin Nastasi. Pastaj Nush Pali me “Pranvera me dalë ka fillue”, ose “Nuk ja din kërkush merakut” dhe bashkë me të edhe Selo Shkreli dhe Dash Kasemi, i cili ka bërë edhe përmirësimin e këngëve më të vjetra. Janë Man Karakaçi dhe Januz Shiroka, kurse Gjon Kraja ka pas këngën si të tijën “Iptida du me fillue”, Myrto Lamja me “Moj trandofillja e vogël”, Gaspër Qurku me “Karajfilat që ka Shkodra”, i madhi

Filip Shiroka me “Dallandyshen” si melodi perëndimore. Në shkrimin e Kol Gurashit, Ndre Mjeda përmendet për “Bora po shkrihet, dimni po shkon” dhe kjo ishte një e “ditun e re” si fakt edhe për ata që kanë studiuar mirë historinë e ahengut shkodran, këngës, dhe tekstit të saj. Janë pastaj Meti i Mollasilos me “Vetullën hollë si hana sparit” dhe Kasem Taipi, Hafiz Halit Tophana i njohur me këngën e Vezirit. Mbas tyre vijnë Temo Dushi, Tish Pranushi, Molla Sait Pata, Loro Ashiku, Lluko Banushi, Zef Hil Gega, Lush Gurashi, Gjon Shahini, Osja i Faltores, Kol Saraçi, Nush Pali, Filip Koleka, Ndrek Topçija, Gaspër Leci, Tahir Zhabjaku, Nush Bushati, Xhevat Ulqinaku, Kol Gurashi, Adem Mani, Paulin Pali, Sadik Spahija, Zyber Draçini etj., etj. Por ka pasur mjeshtra të lartë muzike, që më vonë kanë pasur orkestra dhe banda qytetare në Shkodër dhe ata janë: Palok Kurti, Frano Ndoja, kurse violinistë i pari është Kralo ose violinisti i Vezirit nga Berati, Kola i Qorres, Shan Hila, Jak Kakarriqi, Filip Muzhani, Kol Vjerdha,

Gjon Radoja, Kol Kodheli, Ndoc Filja, Engjell Ceka, Pjetër Boriçi, Kola i Mrikës Pjetër Krajës etj. Kanë qenë “sazexhinj apo të zot të tambures në aheng” dhe më vonë në orkestra të ndryshme dhe janë: Mehmet Shllaku, Simoni i Mark Ketës, Ndrek Vogli, Mani i Zigos, Nush Pali, Shan Koleka, Balto Luka, Pjetër Tafili, Shuk Kovaçi, Gega i Mark Gegës, Sul Shllaku etj. Ka pas mjeshtra që i kanë rënë “Bracit” dhe “Mandolit” si: Paulin Pali, Ndoc Bedeni, Tahir Zhabjaku, Karlo Pali dhe Engjell Ceka. Normalisht që ecja në kohë kishte edhe mjeshtra të “klarinës dhe flautit” si: Gjok Saraçi, Gaspër Çurku, Filip Lorja, Xhevat Boriçi, Luigj Ceka, Ndrek Pjetri, Ndoc Kumrija,

Adem Beqiri, Gjon Paci, Kol Tafili, Nush Geci, Gjon Cepi etj., etj. Normalisht që në Shkodër i është rënë edhe “harmonikut” dhe njerëzit e talentit janë: Ali Mehi, Ahmet Efendija, Gjokja i Kovit, Filip Goga, Gjok Pici, Kol Gurashi, Gjergj Stoja, Kola i Cuk Gjelalës etj. Daires i kanë rënë: Temo Daijra, Zef Spalastja, Simon Shpori, Temo Mani, Deli Camuku, Bej Cukja, Abdyl Kopliku etj. Kurse kërcimtarët e njohur në periudha të ndryshme janë: Alla Tania, Rabija, Zymja, Bejqukja, Pjetër Dangevanija dhe Loro Cuceku. Të gjithë këto emra janë në periudha të ndryshme që zgjasin rreth 100 vite edhe janë njerëzit që jo vetëm kanë bërë këngën dhe ahengun, por edhe kanë kontribut në muzikën qytetare shkodrane.

Ahengu i vjetër shkodran fillonte me “Dymdhjet mekamet që janë” ose me “Ça kanë syt e mi që kjajnë” dhe normalisht vazhdojnë me gjashtë këngë të kësaj teme. Pastaj ndërroheshin tonet dhe vazhdohej me afro 54 këngë të tjera. Vazhdohej më vonë me rregull i cili ishte tepër i rreptë dhe vetëm profesionistët e mbanin normalisht me diturinë e tyre të madhe. Në aheng, janë kënduar qindra këngë dhe shumë prej tyre sot janë perla të vërteta. Ahengu shkodran edhe në saj të njerëzve të shumtë të tij, ka sjellë edhe prodhimin e këngës tipike shkodrane, të asaj bukurie muzikore tradicionale që sot vazhdon të këndohet nga të gjithë. Por kjo bukuri ka një prejardhje dhe një vazhdimësi që ka dalë pikërisht nga këto njerëz dhe këto talente, që më vonë krijuan kryevepra të tjera më moderne dhe të kulturës më perëndimore dhe tepër të dallueshme, për të

cilën thonë…Kënga Qytetare Shkodrane…
Në këtë pikë, është në harresë kontributi i madh dhe i jashtëzakonshëm i ahengut shkodran, sidomos i njerëzve të tij. Është një harresë historike dhe e trashëgimisë, e si çdo harresë është diçka negative që duhet riparuar, duke krijuar një model i përsëritshëm skematikisht dhe në melodi e formë si model i muzikës qytetare dhe për më tepër shkodrane. Ajo që më shqetëson më tepër në fakt është se “në Shkodër këto emra nuk kujtohen për pikërisht këtë veti të madhe të qytetit të madh kulturor” dhe kjo nuk është e mirë, aspak e mirë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/ Postuar: 02/02/2012 Nga Besi BEKTESHI

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...