Etilda Gjonaj, fytyra e bukur e kabinetit ‘Rama 2’, është e fundit në serinë e ministrave shqiptarë që bëjnë jetë luksoze me burime të cilat nuk justifikohen prej rrogës apo të ardhurave të tjera.
Prej disa ditësh janë bërë publike faturat e kripura të hoteleve me pesë yje ku ajo flinte nëpër Europë gjatë udhëtimeve zyrtare. Siç tashmë dihet, Gjonaj ka paguar me paratë e shtetit edhe hotele me 700 euro nata. Por ajo nuk është e vetmja nga kabineti qeveritar që shquhet për luks. Le të ndalemi tek disa ministra e ish-ministra që janë ‘kapur mat’ herë me veshje e makina luksoze ashtu edhe me fluturime “business class”.
Elisa Spiropali, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, bëri një kapërcim të madh në pasurinë e saj qysh prej kohës kur sapo kishte marrë drejtimin e Doganave. Në vitin 2018, ajo u pa në Kuvend me një automjet luksoz i markës “Mercedez-Benz GLA 200”. Vlera në treg e kësaj makine është të paktën 54 mijë euro. Spiropali është shfaqur në publik edhe me një çantë të markës së shtrenjtë “Louis Vuitton”, që nga një kontroll i thjeshtë rezulton se kushton 4500 dollarë. Për të mos përmendur pastaj orën me vlerë mbi 3 mijë euro, të cilën Elisa e ekspozonte gjatë një emisioni televiziv. A mund të blihen të gjitha këto vetëm përmes një rrogë deputeti apo ministri? Natyrisht që jo. Burimi i financimit të tyre duhet parë gjetkë.
‘Kanakari’ i Edi Ramës, Gent Cakaj, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, u fotografua pak ditë më parë në Stamboll në një prej restoranteve më të shtrenjtë të kuzhinierit të famshëm Nusret.
Belinda Balluku e cila gjatë kohës kur drejtonte ‘Albcontrol’ pagoi 66 milionë lekë vetëm për të trajnuar dy punonjës të institucionit të saj, është jo pak e dhënë pas akserorëve të luksit dhe veshjeve firmato të cilat bien shumë në sy. Asokohe ajo shpenzoi edhe 61 milionë lekë për të vendosur një pistë vrapi dhe disa pajisje të tjera palestre në ‘Albcontrol’ Pak muaj pasi mori detyrën e Ministrit të Transporteve, ajo filloi rikonstruksionin e godinës së institucionit që drejton. Qindra milionë lekë do të shpenzohen për këtë godinë brenda e jashtë.
Blendi Klosi, ministër i Turizmit, u ‘kap mat’ duke udhëtuar sërish me “business class”. Dihet që çmimi për këto fluturime shkon disa mijëra euro. Zor të mendosh se mund të përballohen me rrogën e një ministri.
Për Sandër Lleshanjn është raportuar në media se ai disponon një vilë të cilën nuk e ka deklaruar në ILDKPI. Sipas këtyre raportimeve Ministri i Brendshëm e ka këtë vilë në Gjirin e Lalzit, një prej zonave më të lakmuara në bregdetin e Adriatikut por faktet e dala deri me tani nuk jane vertetuar plotesisht.
Në luks dhe jetë vanitoze janë të zhytur natyrisht edhe ish-ministrat e Edi Ramës.
Damian Gjiknuri, i cili la mandatin pas tenderit me firmën fantazmë që do të merrte milionat e Unazës së Re, i bënte pushimet në Monte Carlo. Fotografia e tij bëri xhiron në rrjetet sociale.
Për ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, opozita e ka akuzuar për një vilë me vlerë 1.3 milionë euro e cila sigurisht që nuk ndërtohet kurrë me të ardhurat e një rroge. Njësoj si Spiropali, edhe Nikolla shquhej për çantat e shtrenjta, me vlerë mbi 5 mijë euro. E tillë ishte çanta e markës ‘Fendi’ me të cilën ish-ministrja ishte shfaqur disa herë në publik.
Për ish-ministrin e Financave, opozita ka akuzuar se ai shpenzonte mijëra euro për fluturimet çarter. PD ka publikuar edhe faturat sipas së cilave Arben Ahmetaj shpenzoi 40 mijë euro për një fluturim çarter.
Nuk ka një shqiptar normal që të besojë se i gjithë ky luks i ministrave dhe ish-ministrave tanë ka si burim rrogën e tyre apo ndonjë pasuri tjetër të ligjshme. Natyrisht që për të siguruar të gjitha këto të mira materiale, ata i kanë futur duart në arkën e shtetit. Por të gjitha këto duhen faktuar nga organet e hetimit. Deri më tani asnjë ministri i ish-ministri nuk i ka hyrë gjëmb në këmbë.
Shpresa e fundit mbetet nga SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, institucionet e reja të drejtësisë që do të hetojnë korrupsionin tek zyrtarët e lartë. Gjasat janë që ngritja e këtyre institucioneve të bëhet brenda këtij viti. Por derisa ‘peshqit e mëdhenj’ të bien në rrjetën e këtyre institucioneve, ne kemi të drejtën të jemi mosbesues tek reforma në drejtësi.