AKOMODUESI 2 POLICIA ARRESTON DY INSPEKTORË TË TJERË TË BASHKISË SË SHKODRËS

595

Arrestohen dy Inspektorë të Zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim dokumentash”.

 

Procedohet në gjëndje të lirë Drejtori i kësaj Drejtorie për veprën penale “Shpërdorim detyre”, dhe pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”. Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Akomoduesi 2” , janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.

 

Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve: G. N. 52 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re Shkodër, ekonomist, inspektor, I. D.49 vjeç, banues në Shkodër, ekonomist, inspektor, për veprat penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”. Si dhe u procedua në gjendje të lirë Drejtori i Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër shtetasin, B. Gj. 41 vjeç, për veprën penale të “Shperdorim detyre”. Keta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, duke qënë në pozicionin e inspektorëve të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër,

 

ku me anë të falsifikimit të dokumentave kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë favorizuar në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në Plazhin e Velipojës, duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli, me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër. Në vijim të veprimeve u procedua pronari i hotelit shtetasi K. L. 27 vjeç, banues në Velipojë Shkodër, për veprën penale “Fshehje e të Ardhurave. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.