Kreu i grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla u pyet pak momente më parë në emisionin “Kjo javë” për emrin e presidentit të ri pas shkarkimit të Ilir Metës.
Balla nuk ka preferuar të thotë një emër, por deklaroi se duhet të jetë një person me qasje proamerikane.
“Unë dua të them shkurtimisht që Ilir Meta ka humbur të drejtën të jetë më presidenti i Republikës. Presidenti e ka shndërruar Presidencën si një seli të opozitës. Dua ta them shkoqur dhe troç, nuk mund të jetë Ilir Meta një person president kur Shqipëria të hapë negociatat’, tha Balla, por gazetarja Nisida Tufa këmbënguli për një emër.
“Nuk është një pjesë e këtij momenti. Kushtetuta ka sanksionuar qartë si zgjidhet presidenti i Republikës. Shqipëria duhet të ketë një president me qasje proamerikane”, deklaroi numri 2 i PS-së.
Kujtojmë se prej disa javësh tashmë, me kërkesë të deputetëve të PS-së, kanë nisur procedurat për shkarkimin e Metës.