Ti, poezi, je tançka pahet tuj shndrit me aurorën teme të shpirtit

Nga Albert Vataj

Këndon krejkund muzika zafill, në fëshfërimën hollake të gjetheve, në rrapëllimën e zemëratës së reve, në puhizën e lehtë të pendëve të një zogu, në fërgëllimin e kurmit të një pasioni, në britmën rrënqethëse të një nëne, në hapin e ndrojtur të një ikanaku nëpër terr.

 

Ti je aty, ku të tjerët nuk të shohin, nuk të ndjejnë, s’të prekim dot, e megjithatë, ledhatare beh me fjalën tande të purpurtë, shkundullitëse je me virrmën që ngjeth, ngasëse me t’amëltat tinguj që flakëron, ti poezi. Jë gjithçka në azgjënë e trajtës. Je ajri kur frymëmerr një kraharor që zbohet prej buçimave të thekshme. Je qielli i yjëzuem e hanëplotë, në rrugëtimin zemërthyem të një yryshi të ndërkryem.

 

Atje ku s’ka asgjë, ai krijon, ajo lind. Bzan, ku heshtja rranjëzon një gjëndje të amullt, të trishtë, të ndërkryme. Ma t’thuktit za, ndigju faqe kësaj toke, ia nep. Hesht me vetminë, nën qiparis, përmbi krrakamë korbash e natash që terri i ther. Frymën përgjon teksa në ty, gjimon nji za, që heshtjen vret.

 

Poezia, kalamendje në dalldinë rrapëllitëse të nji çasti pror.

Ju ka ndodh me u gjind i shtangun, ndërsa rrekesh me shëmbëlly gjithçka e gjithkah që shpërfaqet para andjes tande rastësore, si një përfytyrim i vagullt, si një përsiatje në jetësimin e cakut ku pahesh tjetërsi me vedin. Si pa kuptu ke humbun drejtpeshimin me realitetin dhe turravrap e kërkoni atë në një dimension etern. Rrahjet e zemrës kanë shtu revanin, tue u kredh në yshtjen e një hazdije t’ndërkryme. Limfa ju vërshon nëpër vena si llava në damarët e tokës, tue gatit nji shpërthim të mnershëm.

 

Nuk ngihesh me frymë, anipse ballas të është ngasun nji horizont, përmasat e të cilit vetëm dëshirimi i zotnimit mundet me i vu nën fre. Mendimet t’uturijnë në autostradat e stuhishme të nervurave trunore, sinjale drite dhe zjarrin marrin e japin në këtë ngulm për të përshku çastin e andje, si përshkimin e galaskive ende të pazbulume.

 

Nga buzet, prej shpuzës që përflaken, zvargen tinguj dhe pëshpërima të nënzëshme, t’cilat vetëm n’shfrimin e nji puthje pasiononte munden me u shu zjarmie që i djeg. Nëpër gishta, rrufe mendimesh mprehin shigjetimet që shpërndajnë terrin e ngurimit. Prej syve t’shkëndijnë dritëza magjepsëse ku përthyhet një gjendje meditative që eshket prej densitetit dhe kërkon sumbulla vese me shue etjen.

 

Asht një përhumbje qi guxon me depërtu thellë në pranin tande mish e shpirtë, si magjë e ngjizjes së shkreptimave krijuese, për me nxjerr prej adej shkulme drite përfytyrimesh hyjnore, qi kaplon njaja gjendje e vetvetishme, e cila mbytet prej hezitimit dhe rutinores.

 

Je gjend picak kësaj mësymje ti zotkrijues. Ju ka goditun një ndjenjë, e cila tue t’përshku me një rrymë t’tanin gjithsi je, mundet me u kthy n’nji shndritje që s’pahet po ndihet, n’nji melodi qi t’përkund si ninull n’prehna t’ngroht e miklime amësore sysh, qi t’kotin n’paqtim e tamëltat t’i bajnë krejt çastet ku cyt.

 

Asht poezia, njajo goditje, njajo gjendje e amullt ku gjegjesh i përhumbun me e kap njeriun në toksoren e tij t’hyjshme. Asht gjithçka qi vjen me t’mrekullu, me t’dhan t’tjer sy me pa botën, tjetër zemër me ndi ritmin e dëshirës që t’bulon në buzë si nji puthje tinzare.

 

Albert Vataj

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...