Edhe “gabi” hyn në krizë

Vitet e fundit, dyqanet e mallrave të përdorura lulëzuan në masë, por duket se periudhës së artë për këtë biznes po i vjen fundi. Në 2018-n, shqiptarët shpenzuan rreth 36 milionë euro për këpucë dhe rroba të përdorura, por tendenca e importeve ishte në rënie.

Tregtarët e vegjël thonë se fitimet në këtë biznes janë minimale. Arsyeja kryesore për rënien e biznesit të rrobave të përdorura janë firmat e mëdha që konkurrojnë me çmimet e lira. Edhe në botë, tendenca e mallrave të përdorura ka qenë në rënie. Vlera e tregut përllogaritet në 4 miliardë dollarë.

Luljeta është një tregtare e re në tregun e rrobave të përdorura. Ajo e nisi këtë biznes vetëm një vit e gjysmë më parë, megjithatë thotë se nuk ka ndër mend ta vazhdojë. Muajin e ardhshëm, ajo do të lirojë ambientin dhe aktualisht po kërkon një blerës potencial për të shitur mallin në dyqan.

Pas viteve me rritje dhe në zgjerim të vazhdueshëm, tregtia e rrobave të përdorura u tkurr me gati 20% në vitin 2018.

Luljeta thotë për “Monitor” se vendosi që ta hapte këtë biznes, nisur nga përvoja e dyqaneve të tjera të të njëjtit lloj, në një zonë të rrahur nga kalimtarët, pranë kryqëzimit të Komunës së Parisit. Në këtë zonë numërohen disa dyqane të cilat tregtojnë mallra të përdorura,

veshje dhe këpucë, në një distancë të afërt me njëri-tjetrin. Shumë pranë Luljetës, një tjetër zonjë, Sonila, 35 vjeçe, zhvillon të njëjtin aktivitet. E pyetur për ecurinë e biznesit, ajo thotë që në tre muajt e fundit, shitjet kanë qenë më të ulëtat që kur ka hapur dyqanin për herë të parë.

Arsyeja kryesore për rënien e shitjeve, sipas saj, është mungesa e kërkesës. “Njerëzit që vijnë për të blerë këtu kërkojnë ulje të mëdha, që nuk ma leverdis t’i bëj pasi nuk arrij të nxjerr kostot”, – tha ajo. Në dyqanin e saj, klientët janë të pakët. Një kliente tha se kushtet ekonomike e kanë detyruar që të jetë frekuentuese e rregullt e mallrave të përdorura.

Familja e saj përbëhet nga katër anëtarë, ku vetëm njëri prej tyre është në marrëdhënie pune, për pasojë, ajo nuk ka mundësi të blerë rroba të reja. Megjithatë ajo shton se edhe te mallrat e përdorura e ka të vështirë që të blejë rroba apo këpucë. Sipas saj, çmimet janë shtrenjtuar shumë. Tregtarët e vegjël shprehen se çmimi i mallrave të përdorura është rritur prej grosistëve të mëdhenj.

Flori, një i ri tek të 30-at, tregton rroba të përdorura zvicerane në zonën e Institutit Bujqësor. Ai thotë se me dyqanin e rrobave të përdorura arrin të nxjerrë një pagë mujore rreth 45,000-50,000 lekë. Në zonën ku ai punon, Flori shprehet se kërkesa është deri diku e kënaqshme, pasi edhe të ardhurat e njerëzve janë të ulëta dhe janë blerës potencialë të mallrave të përdorura në pamundësi për të blerë rroba të reja në dyqane.

Në 90% të rasteve të klientëve që shkojnë në dyqanin e tij, ai i thotë se i përkasin shtresës së varfër të shoqërisë, ndërsa rreth 10% e tyre janë nga shtresa e mesme.

Ndonëse e enjtja nuk konsiderohet si ditë pazari nga ata që e njohin mirë funksionimin e tregut të mallrave të përdorura, tek ish-Uzina Dinamo ishte një ditë pune normale. Klientët ishin të të gjitha llojeve, sikurse malli i përdorur, i cili në varësi të cilësisë varion nga 50 lekë copa deri te 5,000 lekë për peliçet apo këpucët.

Operatorët në tregun e rrobave të përdorura e blejnë mallin me kilogramë dhe e shesin me copë, duke gjeneruar marzhe të larta fitimi. Çmimi për kilogramë për veshje të përdorura varion nga 400 deri në 2000 lekë. Ola, që administron një dyqan të veshjeve të kategorisë së mesme dhe të lartë në rrugën “Myslym Shyri” thotë se vitet e fundit, shitjet kanë qenë të dobëta. Krahas qendrave tregtare, që po marrin një pjesë të konsiderueshme të klientëve, dyqanet e rrugëve kryesore po ndiejnë konkurrencën edhe të Gabit. Konsumatorët janë gjithnjë në kërkim të çmimeve të lira, thotë Ola.

62% e shqiptarëve nuk blejnë dot rroba të reja

62% e shqiptarëve kanë deklaruar se nuk kanë mundësi që të blejnë rroba të reja. Në Anketën e Cilësisë së Jetës, nga Komisioni Europian, te vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar, jepet një panoramë e cilësisë së jetës së qytetarëve europianë duke u bazuar në disa indikatorë. Pyetësori është bërë për fusha të caktuara të jetës që nga mirëqenia, shëndeti, kushtet dhe orët e punës në shtëpi, aksesi në shërbimet publike etj.

Rrobat e përdorura, pse po bie kërkesa në mbarë botën?

Rritja e së ashtuquajturës “modë e shpejtë” do të thotë që konsumatorët mund të blejnë veshjet e tendencës së fundit sapo ato dizajnohen, shkruan një artikull i BBC, i cili i kushtohet rënies së kërkesës në botë. Shumë prej nesh e kanë si traditë dhurimin e rrobave të përdorura. Tashmë edhe në Tiranë ka vende të posaçme ku mund të lësh rrobat që kërkon t’i dhurosh për bamirësi. Megjithatë, sipas Oxfam, dhurimet në dyqane u rritën me 2% në vitin e shkuar.

Në shumë drejtime, ky është një rreth vicioz. Por vetëm 10-20% e rrobave të dhuruara janë shitur nëpërmjet pikave të bamirësisë si Oxfam. Pjesa tjetër e këtyre rrobave shiten te distributorët, të cilët më pas i kategorizojnë rrobat dhe i dërgojnë në vende si Pakistani apo Malajzia, ku shiten në tregjet e mallrave të përdorura ose produktet riciklohen. Problemi, sipas artikullit të BBC, është se këto vende nuk duan më rroba të përdorura. Në total, tregu global i eksporteve të mallrave të përdorura përllogaritet të jetë rreth 4 miliardë dollarë.

Analiza e të dhënave e Kombeve të Bashkuara nga BBC tregon se zyrtarisht, bizneset që tregtojnë rroba të përdorura kanë shënuar rënie në këto vitet e fundit, si në sasi, edhe në vlerë. Ruanda, Kenia, Tanzania, Sudani i Jugut dhe Burundi, së fundi deklaruan se kanë për qëllim që të ndalin importin e rrobave të përdorura nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë eksportuesi më i madh i rrobave në botë. Sipas të dhënave të Oxfam, Amerika eksporton rreth 575 milionë dollarë rroba të përdorura në vit. Pas saj renditet Mbretëria e Bashkuar me 477 milionë dollarë, Gjermania me 394 milionë dollarë, Koreja me 270 milionë dollarë, Kina me 218 milionë dollarë.

Në listën e top-eksportuesve të rrobave të përdorura renditet edhe Holanda me 197 milionë dollarë, e ndjekur nga Polonia me 162 milionë dhe Belgjika me 139 milionë dollarë. Në fund të klasifikimit qëndrojnë Kanadaja me 126 milionë dhe Italia me 118 milionë dollarë.

Tregtarët që merren me tregtimin e rrobave të përdorura thonë se tashmë biznesi i tyre ka marrë tatëpjetën. Rrobat tashmë janë një biznes ndërkombëtar dhe mund të blihen nga një cep i botës në tjetrin online. Prodhuesit e dinë se konsumatorët janë më të interesuar për produkte me çmime të ulëta sesa për produkte rezistente. Sjellja konsumatore ka ndryshuar së fundmi, pasi ata presin që t’i veshin më pak herë rrobat dhe t’i hedhin.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...