Lutje për shqiptarët: Peshkun, picën…e femrat, prekini veç me dorë, jo me pirun

Dielli është gjithçka duhet për me qenë i buzëqeshun”

Nga Alma Nikolli

Të pyesësh një gazetar është pak e “mundimshme” sepse fillon të pyet vetë i pari. Të pyet se përse po e pyet. Por do të mjaftojnë vetëm pak sekonda që të kuptoni pse kam zgjedhur të bisedoj me Kronin.

“Jam tepër mirë. Dielli është gjithçka duhet për me qenë i buzëqeshun”, m’u përgjigj Kroni këtë mëngjes, pasi e pata pyetur “Si je?”.

Kron Sadiku është gazetari im i preferuar në Kosovë. Me një mikrofon në dorë dhe një kamera që e ndjek, ai bëhet zëri i natyrës.

Kroni është autor i emisionit “Toka jonë” dhe gazetar i “Ora 7” në Klan Kosova.

Duket se qysh në lindje i është parashikuar fati. Emri i tij e lidh përjetësisht me natyrën. Ai ka emrin e kroit, vendit të dashurisë. “Babi është muzikant. Ka disa kangë shqipe që vendtakim kanë Kronin. Sipas mitologjisë shqiptare simbolizon dashurinë dhe jetën. Edhe ma ka lon Kron emrin. Pa e pyt kërkon”, më rrëfen ai.

Takimi me median e pati rastësor, pasi ai ndoqi rrjedhën e Kronit kur studioi për Bujqësi. Kroni ka bashkuar dy pasionet e tij në një emision që shërben si hapësirë reklamuese dhe përkrahëse për çdo aktivitet bujqësor por edhe si guidë për të njohur Shqipërinë e Kosovën.

Teksa pyet për tokën apo për vreshtat para kamerave, Kroni nuk ka nevojë të imagjinojë ndërsa të intervistuarit flasin, ai di të punojë tokën, të krasisë rrushin apo të ngasë traktorin. Nuk del nga natyra teksa flet për natyrën.

Televizionin e sheh si edukator, ndërsa kolegët i tij i konsideron më të mirët në Kosovë. “Natyrën po e shkatërron industria çdo ditë e ma shumë. Forma ma e mirë për me i eduku njerëzit me e dashtë natyrën edhe me e kuptu rëndësinë e saj për jetën e tyne është televizioni.

Natyra ka nevojë për kujdes, ka nevojë për vëmendje e televizioni i vetëdijëson njerëzit e rrjedhimisht i bën ma të kujdesshëm. Gjithmonë kam pasë qef me punu në “Ora 7”, (emision mëngjesi në Kosovë) se e kam pa çdo mëngjes. Nganjëherë jam vonu për në fakultet t’u i kqyrë. Kam punu në top emisionin e mëngjesit në Kosovë.

Përkrah njerëzve shumë najs e natyralë edhe gazetarëve ma t’mir t’venit. Krejt ata që duan me pasë karrierë të gjatë edhe të suksesshme në televizion ju sygjeroj me qenë shumë natyral. Kur je natyral edhe autentik, i bën njerëzit lehtë për vete”, rrëfen Kroni.
Natyra është kryefjala e jetës së Kronit.

“E dua natyrën” është togfjalëshi me të cilin ka vendosur ta prezantojë veten në Facebook. Por kjo dashuri për natyrën ka rrënjë të thella familjare. Nëse i ati instrumentist e lidh me televizionin dhe muzikën, që e ka ëndërr të realizueshme së afërmi, halla e tij e ka orientuar më herët drejt natyrës. Ajo është Ajtene Krasniqi, shkencëtare që ka zbluluar ilaçin me origjinë bimore kundër bakterit “Escherichia coli”.
“Babi pse nuk po ban jazz ti”?

Kjo është pyetja që Kroni i ka bërë babait të tij Afrim Sadiku, instrumentist i folklorit që luan në sharki. Pas këtyre fjalëve nuk ka vonuar shumë koncert i zhanrit Etno- Jazz i quajtur “Event 55”. Kroni ishte organizator i koncertit të pazakontë që solli disa këngë shqip në një stil modern. Së shpejti orkestra e “Event 55” do të luajë edhe për publikun e Tiranës.

Njeriu më shpirt bukur që ka intervistuar Kroni është një grua. Shirine Ebadi, gjyqtarja e parë femër në Iran. Ajo fitoi çmimit Nobel në vitin 2003, në një garë ku “rivalë” kishte Papa Gjon Pali II si dhe Gorbaçov.

Kroni është gazetar, këndon, ka luajtur futboll në ligën profesionale, herë pas here merret me peshkim, i do fort kafshët dhe së fundmi po përpiqet të gjejë nënën e një ariu vetëm 2 muajsh, gjithnjë “nëse ajo pranon” thotë Kroni me shaka. Ky do të jetë misioni i radhës së “Toka jonë”.

“Sharri ka humb prej nënës, është këlysh dy muajsh. E kanë kërkuar në parkun e arinjve në Prishtinë me e marrë në përkujdesje, por ideja është me e kthy te nëna në natyrë të egër. Krejt dilema e fatit të Sharrit aktualisht është se a do të burgoset apo do të jetojë në pyll. Kjo varet prej dy faktorëve: Njeriut; se sa jemi të gatshëm me ia gjetë të ëmën, dhe në rast se e gjejmë, pastaj do të shohim se sa po e pranon familja”, thotë Kroni.

Kroni milioner? Do të vizitonte botën dhe do të bënte gjithçka për të pastruar Kosovën, duke ja nisur nga biznes riciklimi e deri te fushatat që kanë në qendër ambientin e pastër, për rrjedhojë më të shëndetshëm.
Çfarë është Shqipëria për Kronin? “Shtëpia e krejt shqiptarëve. Jemi rrit t’u e andrru Shqipërinë qysh para luftës. Për mu Shqipëria asht vendi ma i bukur në botë”.

Si pasionant i verës, natyrës dhe ushqimit, Kroni naturali ka një këshillë dhe lutje për ne shqiptarët: “Peshku, pica edhe femnat preken veç me dorë, thot ni thënie polake. I kisha lut krejt shqiptarët mos me i pa ma kurrë t’u honger picë e peshk me thikë e pirun”.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Kroni do ta kishte një pyetje për mua.

Çka e bën një njeri të jetë kandidat potencial për të qenë i intervistuari yt?
Nuk intervistoj shumë. Ndoshta nuk di. Mendoj se nuk di, sepse për ta pyetur dikë duhet ta njohësh, me ditë se për çfarë ta pyesësh. Duhet me ditë pak a shumë ç’pasione dhe ëndrra ka dikush, sa dashuri ka për gjërat që bën dhe me ç’ritëm i bën.

E kjo është e vështirë të zbulohet nga një intervistë, në një intervistë ku i pyeturi thotë gjithçka që do. Unë dua të intervistoj njerëz të vërtetë. Të njohur a të panjohur.

Njerëz që janë energjikë e frymëzojnë. Duhet me më pëlqy vërtetë dikush që ta bëj një bisedë, duhet ta shijoj unë bisedën. Pastaj le ta lexojë e ta shijojë kush të mundet. Të falenderoj Kron, natë të dielltë! Flasim. ? /27.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...