Keq Marku Tattoo: Tatuazhe në bunker afër Shkodrës

“Ferri është i zbrazët, të gjithë djajtë janë këtu.” Një nga citimet më të njohura të Shekspirit, duket sikur merr formë në bunkerin më origjinal të Shqipërisë,

ku ‘djajtë’ e tokës janë të pikturuar që në hyrje të tij. Prej vitesh “Keq Marku Tattoo” është shumë më tepër se sa një vend ku mund të ikësh thjesht për të bërë një tatuazh.

Bunkeri është kthyer në një atraksion të vërtetë turistik, sa për tatuazhet që realizohen aty brenda, aq edhe për profilin interesant të krijuesit të tyre, tatuatorit me emër arti Keq Marku.

Albumi i tatuazheve të realizuara nga Keqi është i larmishëm, dhe shkon nga ato më të thjeshtat, tek tatuazhet më impenjative që mund të duan dhe muaj për t’u realizuar. Tek sa në sfond dëgjohet rrok i fortë, e pyesim Keqin përse ka këtë emër arti.

Që i vogël, familjarët i kishin vendosur nofkën Keq ngaqë ishte i praptë. Emri i tij i vërtetë është Pjetër, ndërkohë që miqtë e shumë të tjerë të zonës e thërrasin Pjerin. Nuk të bëjnë habi gjithë këto emërtime për një person që ka ditur të rishpikë disa herë veten e tij.

Shpesh rrugëtimi për të kuptuar drejtimin e saktë që dikush duhet marrë në jetë, kalon përmes shtigjeve të gabuara, dhe këtu parabola që krijohet është nga më të njohurat. E tillë është jeta e Keq Markut, i cili përpara se të kthente dikotominë e të mirës e të keqes në motivin kryesor të tatuazheve e pikturave të tij, iu desh më përpara ta jetonte atë në realitet.

Ishte viti 1985 kur Keqi vendosi të arratisej fillimisht në Serbi, e mandej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe sot, ai mban mend me imtësi datën, madje edhe orën e momentin kur vendosi të linte Shqipërinë. “Ishte 25 gusht i vitit 1985,ora 2 (PM), dy javë përpara se të shkoja ushtar.

Nuk është se kisha ndonjë plan. Ma dha truri.” Shumë zgjedhje konfirmon Keqi kanë qenë zgjedhje të çastit. “Pastaj është si të të marri lapsi. Lapsi nuk më mori fort mirë,”- duke lenë të nënkuptohet dënimin që bëri prej 9 vitesh burg në Amerikë.

Ishte në burg kur nisi të praktikonte bërjen e tatuazheve, dhe ende sot, shumë vite pas, vazhdon jeton me këtë profesion që i ka dhënë emër, dhe që i mundëson të jetojë i lirë, edhe pse për ta bërë këtë iu desh të kthehej në bunker.

Këtë të fundit e hapi në vitin 2000, kur bunkerët ishin ende një relike famëkeqe e së shkuarës komuniste. Për Keqin ishte një mundësi për t’i dhënë një jetë të dytë atij objekti, e bashkë me të, edhe vetes. Nuk vonoi shumë, dhe Keq Marku Tattoo tërhoqi vëmendjen sa të publikut shqiptar, ashtu edhe atij të huaj.

Kudo ku flitej për qindra mijëra bunkerët e Shqipërisë, flitej dhe për bunkerin e Keqit në Bajzë të Malësisë së Madhe, rreth gjysëm ore larg Shkodrës (për hartën kliko këtu). Dokumentaret apo videot e publikuara online për të kanë bërë xhiron e botës, me miliona shikime si në rastin më të fundit të videos së publikuar nga blogeri i njohur Nas Daily.

Tatuazhet veshin trupin e Keqit, dhe pjesën dërrmuese të tyre i ka bërë vetë ai. Një shqiponjë dykrenare me një shpatë në mes, është tatuazhi më i ri në qafë ende i pambaruar.

Atë po e realizon djali i tij i madh që është vetëm 17 vjeç, por që sipas Keqit është gati për t’i trashëguar artin të atit. Baba i katër fëmijëve, tre djemve dhe një vajze, Keqi na thotë me kenaqësi se të katër rendin pas tij, dhe e ndjekin nga afër në bunker kur kanë mundësi.

Një temë e pashmangshme e bisedës është apokalipsi, që është i pikturuar jo vetëm në hyrje të bunkerit, por është njëherësh tatuazh në kurrizin e tij. Nëse origjina e fjalës do të thotë “të zbulosh”, sot ai term njëhsohet me fundin e botës. Keqi është i bindur se fundi do të vijë shpejt, dhe e vetmja mënyrë për t’ja dalë që kjo të mos ndodhë është duke bërë një pakt me djallin.

Por këtu diskutimet mund të vazhdojnë pafund. Keqi del jashtë bunkerit, e na fton të shohim peizazhin poetik përreth me liqenin e qetë, malet ende të pambuluara nga dëbora, e shtëpinë ku jeton me familjen fare pranë. Në bunkerin e Keqit, jo vetëm ferri, por edhe parajsa i përkasin kësaj toke.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...