Naim Kryeziu, futbollisti i parë shqiptar kampion në Itali

Naim Kryeziu është shqiptari i parë që është shpallur kampion në një kampionat elitar të Europës, pikërisht me Romën gjatë edicionit 1941-1942. Kryeziu shënoi 6 gola në këtë kampionat dhe i dha titullin e parë ekipit verdhekuq, nga 3 që Roma regjistron në historinë e Serie A. Ashtu si Riza Lushta, edhe Naim Kryeziu lindi në Kosovë (Gjakovë), më 4 janar të vitit 1918. Ishin kohë të vështira në Kosovë, ku serbët kishin pushtuar vendin…

RRËFIMI – “U vendosa në Tiranë, ku ishte vëllai im, i cili ishte oficer dhe vazhdova shkollën. Aty fillova të luaj futboll dhe 15 vjeç unë isha në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa 18 vjeç në Kombëtaren e Shqipërisë. Shqipëria ishte prej kohësh nën ndikimin italian: qeveria kishte thirrur në Tiranë profesorë të edukimit fizik për organizimin sportiv.

Ata më panë duke luajtur dhe njëri prej tyre, duke qenë tifoz i Romës, dërgoi informacionin në klubin roman. Unë nuk kisha një pasaportë, por pas pushtimit konsiderohesha italian si gjithë të tjerët. Vendosa të shkoj në Romë dhe menjëherë hyra në lidhje me një menaxher të Romës për një provë.

Unë dija vetëm disa fjalë italisht dhe i kërkova një miku, i cili ishte duke studiuar në universitet, për të më shoqëruar mua. Ne patëm marrë një taksi për të arritur në zonën Testaccio, ku kam bërë një stërvitje të shpejtë. Unë kisha një gjuajtje të bukur dhe kam qenë një atlet i mirë, e kur vërshoja nga krahu, isha i papërmbajtshëm.

Midis Masetti-t, Donatit dhe Amadei-t bëra një figurë të mirë dhe në fund të lojës një drejtues më çoi në rrugën ‘Via del Tritone’, ku kishte selinë kompania. Aty më bëri të nënshkruaja kontratën time të parë. Nuk mund t’u besoja sytë e mi, m’u duk sikur preka qiellin me dorë.

Debutova pothuajse menjëherë në kampionat në ndeshje kundër Barit ku luante shoku im Lushta. Kemi fituar 4-2. Stadiumi në Testaccio ishte i plotë si në ditët më të mira, spektatorët i binin me këmbët e tyre tribunës me ndenjëse druri duke prodhuar një zhurmë të papërmbajtshme.

Në një moment unë vërshova nga krahu, bëra një kros të bukur dhe Panto, sulmuesi argjentinas, shënoi një gol krejt të lehtë.

Kështu unë u ndala në Romë për të vazhduar. U dashurova pas këtij vendi dhe nuk desha të largohem për asnjë arsye: unë fillova të ndihem me të vërtetë italian…

E të vije e të luaja në Itali ishte vërtet një ëndërr e mrekullueshme, sidomos me kombëtaren e saj. Por vetëm shoku im Lushta u thirr të luante me të…” – ka rrëfyer Naim Kryeziu, në një intervistë të rrallë të tij në vitin 2001, dhënë gazetarit Matteo Patrono.

TIRANA – Naim Kryeziu e nisi futbollin në javën 2-të të Kampionatit të 4-t të futbolli shqiptar në vitit 1934, nën fanellën e skuadrës së Elbasanit, kur ende nuk i kishte mbushur 16 vjeç. Është 22 prill 1934, ndeshja Elbasani-SK Tirana 0-5 dhe ky nxënës nga Kosova, krejt i panjohur, i cili quhej Naim Kryeziu, shfaqet si qendërsulmues i Elbasanit krahas emrave të shquar të Jolldashve e Biçakëve me shokë.

Kur mbërrin viti 1936 del vendimi për mospjesëmarrje të nxënësve në Kampionatin Kombëtar, çka e pengon atë të marrë pjesë në dy Kampionatet më të fortë të Shqipërisë së asokohe, atë të viteve 1936 dhe 1937

. E megjithatë, ai është aty, si një protagonist krejt origjinal, i cili nuk merr pjesë në Kampionatin Kombëtar, por i cili thirret për të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të kohës. E thërret Sportklub Tirana, por gjithmonë e thërret edhe Vllaznia e Shkodrës.

E thërret trajneri Samo Singer në ndeshjen themeluese të 5 marsit 1936 nën fanellën e Kombëtares së sapolindur të Shqipërisë. Këtu qëndron dhe forca e madhe e talentit të tij, teksa ia arrinte që të shkrihej në harmoni me shokët e tjerë, me të cilët i takonte të luante rrallë. Ka qenë janar 1937 dhe papritmas në Shqipëri vjen një skuadër italiane!

Ky është klubi i parë i futbollit italian që vjen në Shqipëri. Është Zardi i Imolas që hyn në histori si klubi i parë i futbollit italian, i cili luan një ndeshje në Shqipëri. Dhe befasia e madhe e futbollit Sportklub Tirana – Zardi i Imola-s 5-1! Golat u shënuan nga Mirdita, Lushta, Kryeziu, H.Begeja, Gurashi!

Në ndeshjen tjetër është përsëri fitore e Tiranës, kësaj radhe 2-0. Kur mbërrin 1938, ky është viti i madh sportiv i Naim Kryeziut. Ndeshja e madhe me Barin dhe prania e dytë e Conte Ciasno-s. Dhe gjithçka në vitin kur Italia ishte shpallur Kampione e Botës.

Kjo ka qenë ndeshja kur ata që sot quhen menaxherë, përveç emrit të Riza Lushtës, shënuan edhe emrin e Naim Kryeziut. Është 26 prill 1938 në Shallvaren e Tiranës. E doemos 2-0 për Barin e Serie A të Italisë.

KAMPION – Kryeziu është një protagonist i një finaleje të jashtëzakonshme, historike, një ndeshje nostalgjike, në fund të fundit. Kjo, sepse për herë të fundit për një ndeshje kampionati, futbolli shqiptar do të shihte nën fanellat e tij së bashku dy futbollistët më të mëdhenj të viteve ’30: të paharrueshmit Riza Lushta dhe Naim Kryeziu të Kosovës. Në atë finale Kryeziu shënon 2 gola she shpallet kampion në Shqipëri.

Madje Naim Kryeziu, me 7 gola ishte dhe kryeshënuesi i këtij kampionati, i ndjekur nga një 17-vjeçar, emri i të cilit është Loro Boriçi, i cili shumë shpejt do të jetë bashkëlojtar i Kampionit të Botës, Silvio Piola, te Lazio të Romës. Ndërsa Riza Lushta, i cili kishte braktisur shkollën për futbollin, bëhet kampion i Shqipërisë për herë të katërt.

NDESHJA E FUNDIT – Një muaj më vonë, më 28 nëntor 1939, organizohet një tjetër ndeshje e madhe, jashtë kampionatit, po në Shallvare të Tiranës, e gjykuar nga gjyqtari italian i Serie A, i mirënjohuri Bruno Manghi.

Është një ndeshje që luhet për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por… nën fashizëm! Vllaznia fiton bujshëm 3-1 si në një akt të dytë të fundores (finales) së 30 shtatorit për Kampionatin. Kjo është ndeshja e fundit e Naim Kryeziut në Shqipëri.

ROMA – Luan 9 kampionate të Serie A, rekord absolut për një shqiptar , dhe bëhet kampion i Italisë, i vetmi shqiptar sot e kësaj dite. Me 9 kampionatet e tij të Serie A, ai arkivon 2 mbi Lushtën, e pra, nëse Lushta është fitues i Kupës së Italisë me Juventusin më 1942, Naim Kryeziu është kampion i Italisë me Romën, po më 1942.

Kishin qenë bashkëlojtar të Sportklub Tiranës së tyre dhe papritmas shfaqen si kundërshtarë. Ka qenë Java 22-të e Serie A, ndeshja Roma-Bari e 10 marsit 1940, një duel spektakolar i një goli po të këtillë të Lushtës.

Ajo ishte Roma 1942, skuadra që stërvitej nga i mirënjohuri Eraldo Monzeglio, por që shpejt kalon në duart e hungarezit Alfred Schaeffer. Shkaku është krejt i veçantë: Monzeglio stërviste në tenis Musolinin dhe vetvetiu ai e dorëzon Romën.

Ajo është një Romë, e cila që në fillim të Kampionatit 1941-1942 nxiton për të shpalosë synimet e saj. Shfaqet për herë të parë në krye të renditjes qysh në javën e dytë, teksa fitonte 2-1 me Bologna falë golit të Naim Kryeziut në minutën e 83-të.

Një javë më vonë, Roma fiton 2-0 me Juventusin e ndërsa Kryeziu e Lushta janë përballë njeri-tjetrit, Naimi shënon golin e parë. Në javën 10, Roma, Triestina dhe Venezia kanë nga 13 pikë secila dhe shkëputja bëhet në javën e 13-të, më 18 janar 1942, ditë kur Roma fiton në Milano 2-0 me Ambrosiana-Inter. Naim Kryeziu ka ndeshjen e tij të shkëlqyeshme, duke qenë autori i të dy golave. Është 2-0, e gjitha një kryevepër “kryeziane”.

Pas një jave, ndonëse Kryeziu shënon të vetmin gol, Roma humbet nga Genoa dhe zbret në vendin e tretë mbas Venezias e Torinos. Është një krizë e papritur, por skuadra gjen forca për të rifilluar fitoret. 1-0 kundër Fiorentinës, po prapë humbje kur nuk pritej, 2-4 në Milano nga Milan, edhe pse përsëri gol i Kryeziut.

Një javë më vonë, Roma rifillon të fitojë: 2-0 me Atalantën, 1-0 në Venezia, 7-0 kundër Ligurias, ditë kur Lazio i Silvio Piola-s me shqiptarin tjetër në 11-tësh, 20-vjeçarin Loro Boriçi, fiton 2-1 në Genoa duke i hequr çdo mundësi skuadrës genoane që të afrohej në majë të renditjes.

KAMPION NË SERIE A – Kampionati mbërrin ndërkaq, te 90 minutat e fundit dhe Roma ka 40 pikë përballë 39 të Torinos dhe 38 të Venezia-s. Është 14 qershor 1942, dita kur Roma proklamohet për herë të parë kampione e Italisë. Mjafton 2-0 kundër Modenas në Romë, humbje e Torinos 0-2 në

Firenze dhe e Venezia-s po kaq nga Lazio. Kryeziu ka luajtur 23 nga të 30 ndeshjet, titullar i padiskutueshëm, e çka është më me vlerë, ka shënuar 6 gola tejet të rëndësishëm, gola kthese në ecurinë e Kampionatit, ndër më të fortët në historinë e Italisë. Një shqiptar bëhet për herë të parë Kampion i Italisë.

Emra të famshëm përmban ndërkaq, 11-shi tip i kësaj Roma ’42, ku posti i krahut të djathtë të sulmit roman mbetet gjithnjë pronë e Naim Kryeziut: Masetti, Brunella, Andreoli, Donati, Mornese, Bonomi, Kryeziu, Capppellini, Amadei, Coscia, Panto. Dhe mbi ta trajneri hungarezi Alfred Schaeffer. Për Romën, ky titull do të mbeste i vetëm për bukur 41 vjet, sepse titullin e dytë ajo do ta fitonte vetëm më 1983!

FUNDI I KARRIERËS – Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në sezonin 1947-1948 ai u transferua te Napoli (ku luajti në Serie A dhe B), dhe më pas në sezonin 1953-1954 tek ekipi i kategorisë së katërt, Torre del Greco, ku dhe ai la futbollin në moshën 35-vjeçare. Gjatë karrierës së tij në Itali, Kryeziu, në 330 ndeshje, shënoi 73 gola, 50 prej tyre në Serie A (15 në B).

Gjakovari Naim Kryeziu ishte i dyti futbollist shqiptar pas Riza Lushtës që luajti në Serie A italiane, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të fashmëm gjatë 10 sezoneve (1939-1953) me dy nga klubet me të adhuruara në Itali, Romën dhe Napolin, teksa në vitin 1963 pati fatin të jetë për disa ndeshje edhe trajneri i Romës, i pari shqiptar dhe i vetmi shqiptar që drejtoi një skuadër në Itali.

Flamuri shqiptar përkrah emrit të Kryeziut (apo Krieziu siç njihet në Itali) është ndër tre më të famshmit e huaj (dy të tjerët janë argjentinasit Enrike Gonzales Guaita dhe Arturo Kini Luduenja) që kanë luajtur për Romën e viteve 1927-1945,

pra në një histori thuajse 18-vjeçare të skuadrës kryeqytetase, periudhë në të cilën fitoi vetëm një titull, atë të edicionit 1941-1942. Shqiptari edhe sot mbetet një nga ikonat e Romës, përshirë edhe kampionë bote të tillë, si Bruno Conti, Rudi Fëler, Francesco Totti e të tjerë.

Më 19 mars 1940 debuton Naim Kryeziu në ndeshjen “e çuditshme” Roma-Bari 4-2, duke pas “kundërshtar” shokun e tij të Sportklub Tiranës, i cili quhej Riza Lushta!

Dhe për Kryeziun ndarja nga jeta vjen plot 70 vjet më pas, në të njëjtin muaj të ndeshjes së parë të tij: mars 1940-mars 2010! U nda nga jeta në moshën 92 vjeçare. Shpesh ky është fataliteti i pashpjegueshëm i jetës së njeriut…

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...