“Vajza me trëndafil” e Anita Take himni i këngëve

E kam takuar për herë të parë para tre vjetësh në një promovim libri të një poeti pogradecar në qytetin e bukur të Pogradecit. E thjeshtë, e dashur, e sinqertë, korrekte, këto ishin impresionet e mia për këngëtaren e mirënjohur Anita Take.

Jeta e saj sipas rrëfimit ka qenë shumë interesante. Emërimi i parë si soliste përkon në Filarmoninë e Shtetit. Kushdo që dëgjon emrin e Anita Takes, menjëherë emocionohet.

Zëri i saj i bukur dhe brilant, ka lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës shqiptare, pasi ajo në çdo dalje që ka bërë në skenë ka ngritur peshë spektatorët të cilët e kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës me duartrokitje frenetike.

E qetë, e ëmbël, e sigurt, gjithmonë me një buzëqeshje në fytyrë, kështu e gjen gjithmonë Anitën. Në çdo bisedë me shoqet e saj, ajo kurrë nuk e ngre zërin, kurrë nuk lëvdohet, kurrë nuk lëndon njeri.

Karakteristikat e saj si njeri dhe si këngëtare, merren si shembull tek çdo femër. Anita është një emër i veçantë që është gdhendur në historinë e muzikë shqipe, pasi në gjithë jetën e saj skenike me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella tek dëgjuesit e radios, tek spektatorët e skenës, apo tek teleshikuesit.

Ngjitja në skenë

Ishin vitet e para të çlirimit. Ende pa u shëruar plagët e luftës, edhe kënga po merrte rrugën e saj. Sigurisht në atë kohë këngëtaret ishin të pakta dhe njiheshin me gishtat e njërës dorë. Pikërisht një nga këngëtaret e para shqiptare ishte dhe Anita Take.

Ajo u ngjit në skenë pikërisht në vitin 1949, duke lënë gjurmë që në daljen e saj të parë. Zëri i saj melodioz, thjeshtësia në skenë, dëshira për të përcjellë art të mirëfilltë e bënë atë që në këtë dalje një këngëtare të dashur që për çdo ditë spektatorët e donin shumë e më shumë.

Duhet theksuar se ajo u lind në një familje që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj muzikës. Ndaj ajo me daljen e saj në publik, i dha një atmosferë tjetër familjes së saj duke i bërë më të ndjeshëm ndaj muzikës, dhe ndaj artit.

Anita dhe Agim Prodani

Jo vetëm që u ngjit në skenë që në moshë të re, por ajo njëkohësisht pati një tjetër fat. Njeriu i saj i jetës do të bëhej një ndër kompozitorët shqiptarë më të shquar të të gjitha kohërave, themeluesi i muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Dhe kjo lidhje nuk ndodhi rastësisht.

Agimi pa tek ajo një këngëtare me të ardhme, ndërsa Anita tek Agimi, pa njeriun e sigurt, kompozitorin e aftë, intelektualin e sinqertë që mund të çante çdo dallgë të jetës. Netëve të vona kur mbaronin nga puna në Estradë, Agimi e shoqëronte për në shtëpi.

Kjo zgjati disa muaj, ku kështu lindi një dashuri e sinqertë që vetëm dy artistë si ata dinë ta vlerësojnë dhe ta respektonin. Dhe lidhja e tyre e sinqertë i dha shumë shpejt frytet.

Me ndihmën e tij dhe me talentin e saj Anita brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër u bë këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë. Ata i gjeje të dy kudo, në punë, në skenë, në pazar, në vizita miqësore.

Një çift ideal dhe një marrëdhënie e rrallë në çift. Të dy bashkë ata u bënë protagonistët e muzikës së lehtë shqiptare duke thyer shumë tabu të kohës dhe duke dhënë shembullin e tyre në drejtim të artit, por dhe të marrëdhënieve në çift.

Estrada e Tiranës

Estrada e Tiranës u hap si një zhanër i ri i humorit dhe këngës. Ishte një eksperiment që i dha shumë shpejt frytet e veta. Në këtë tempull të artit shqiptar, ku kanë dalë sa e sa aktorë të humorit dhe këngëtarë të muzikës së lehtë Anita formoi personalitetin e saj si këngëtare.

Në regjimin komunist Estrada e Tiranës, ishte ndër Institucionet më të realizuara të artit shqiptar. Aty ajo mësoi se çfarë është disiplina në punë. Rregullat e një koncerti, marrëdhëniet epror vartës, përmirësimi i zërit, sakrifica, mposhtja e vështirësive. Natën e parë të shfaqjes së parë, i ndodhi diçka shumë e hidhur. Nëna i kaloi një paralizë. Por në punë duhej të shkonte.

Ashtu mes lotëve u paraqit në punë. Dhimbja ishte e madhe për një vajzë të re si ajo. Në korridor hasi me drejtorin Gaqo Avrazi. Njeriu më i nderuar. Ai e pa me lot në sy dhe me tualetin e lehtë të shpërndarë.

E pyeti përse qante dhe Anita mes lotëve tregoi sikletin. Ai i dha leje duke i thënë “shko afër nënës, se ne kemi dhe këngëtarë të tjerë”.Ajo e mban mend si asnjëherë këtë ditë për shumë arsye ku veçon se kishte nënë së.murë por dhe se mbetet hera e parë që ajo nuk shkonte në punë.

Për 40 vjet rresht ajo s’ka munguar më kurrë nga ky Institucion. Pra 40 vjet mes skenës një rast i rrallë që në botë pak kush mund ta ketë. E respektonte maksimum punën dhe ky respekt ja shpërbleu dhe asaj.

Ajo gjatë kësaj kohe për 40 vjet i ka kënduar lirikave të dashurisë por në shumë koncerte duhej të këndonte dhe këngë popullore qytetare. Duke pasur në krah Agimin ajo se ka ndjerë kurrë mungesën e këngëve të reja, duke e rritur për çdo ditë repertorin e saj të mrekullueshëm.

Fondi i Radio -Tiranës

Ky fond për të mbetet fondi i artë. Vetëm ky Institucion i kishte të regjistruara pjesën më të madhe të repertorit të saj. Edhe sot e kësaj ditë radio Tirana herë pas here vendos këngë nga repertori i saj. Por ajo megjithatë ndjehet e paplotësuar për vetë faktin se këngët e aj nuk ka mundur ti bëjë albume.

Në gjithë karrierën e saj ajo ka bërë vetëm një CD me 20 këngë, të cilat janë nga perlat e krijimtarisë virtuoze të Agim Prodanit. Dhe ajo jo më kot zgjodhi këngët e bashkëshortit për këtë CD.

Kryesorja është se me këto këngë brilante ajo çonte në fund një dëshirë të tij, por nga ana tjetër plotësonte dëshirat e mijëra fansave të saj që këto këngë i quajnë si margaritarë në gjerdanin e margaritarëve të krijimtarisë së Agimit dhe të të kënduarit të Anita Takes. Shumica e këngëve të CD janë lirika të dashurisë,por dhe këngë popullore qytetare.

Marinela dhe koncerti recital

Ishin vitet e fundit të monizmit. Në Shqipëri kishte ardhur me një koncert recital këngëtarja e mirënjohur greke Marinela. Kënga e saj la shumë gjurmë tek populli shqiptar. Me këtë koncert indirekt ju dha hapësirë lirisë së këngës. Kënga mori hov të madh.

U harruan dënimet e Festivalit të 11-të. Hapësirat morën përmasa të pabesueshme. Ne u impresionuam shumë nga kjo këngëtare. Ishte një shembull për të gjitha këngëtaret. Kënga ka tjetër mision, ajo del mbi ideologjitë dhe mëritë.

Ajo i bashkon njerëzit. Anita u befasua nga ajo këngëtare. Biseduan me Agimin për një koncert recital. Diskutimi zgjati 6 muaj. Ranë në ujdi të bënin një koncert recital.

Anita sapo kish mbushur 50 vjeç dhe ishte në pension. Punuan ditë e natë për këtë recital. Një punë titanike. Nuk ishte e paktë të sillje një risi në muzikën shqiptare.

Bëhej fjalë për recitalin e parë në Shqipëri. Pas shumë pune koncerti recital u bë gati. Ishte i pari recital në Shqipëri. Të gjitha shfaqjet u bënë me ftesa. Salla ishte e tejmbushur. Duartrokitje të tilla si kishte dëgjuar kurrë në jetë. Kjo risi në muzikën shqiptare u mirëprit.

Në vendin tonë në drejtim të muzikës po frynte një erë e re. U rikthyen dhe njëherë këngët intime të dashurisë. Recitali u dha plot 86 herë vetëm në Tiranë. Shqipëria po hynte në rrugën evropiane të muzikës. Akulli u thye. Marinela kishte dhënë një leksion që bota shqiptare e muzikës e përqafoi.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...