Pjetër Gjini dhe madhështia e humorit të tij

– Momente nga jeta dhe krijimtaria e humoristit virtuoz Pjetër Gjini (18.11.1911 – 30.03.1988), njeri me shpirt të madh, poet, publicist, muzikant dhe përkthyes-

Kafen e Madhe me librarinë (një nga më të mëdhat e qytetit), ku punonte librarja Dritë, e ndante një rrugicë me një konfiguracion të tillë, që zakonisht ishin të shumta e të zakonshme me arkitekturën e këtij qyteti , i cili i kishte traditë.

Libraria ishte me emër në qytet. Kjo falë punës pasionante e të palodhur të asaj librareje, që nuk mërzitej asnjëherë nga pyetjet, ndoshta edhe bezdisëse të klentëve. Me buzëqeshjen që s’i largohej nga fytyra, qetë-qetë, me durim i shpjegonte të interesuarit indikacionet e librit a brendinë e tij, apo çfarë kërkonte ai

Në këtë librari mik i përhershëm, zakonisht pasditeve, ishte Pjetër Gjini. Kur e pashë, nuk e pata të vështirë të sillja nëpër mend shumë histori, ngjarje e situata komike që lidheshin me të si autor dhe personazh. I rrallë. Po, po i rrallë! Dhe qyteti i lindjes e mbante si gurë xhevahiri. Se shumë e shumë shtëpive shkodrane, me humorin e tij brilant ua kishte dritësuar e zbukuruar gëzimet familjare, si fejesat, si dasmat, si ditëlindjet, si…

Ndoshta mund të jetë i vetmi shkodran që me fjalët e shpirtit gazmor shkodranëve ua ka ndrit edhe buzëqeshjet, edhe ëndrrat! Se nuk është e lehtë të bësh humor në Shkodër. Por Pjetri qe në avanguardën e humorit, të një humori fin. E nuk ka derë shkodrane që nuk e njeh trokitjen e tij, zërin e tij, të qeshurën e tij! M’u kujtua shpirti i tij i ëmbël dhe lirik si te tangoja me titull “Kitara e jeme”, ku këndonte me afsh djaloshar:

“Nen nji qiell plot shkelqime

Ndritte Shkodra ime;

Pran’ shtepije nji vashë

Veç at nate e pashë,

Oh! Sa ambël m’shikoi.

Kje nji andërr dashnije

Qi vet’ qielli ‘dhuroi.

Kndova ‘i hymen rinije

E kitarra m’shoqnoi.”

E shkëputa këtë srofë nga libri “Çaste rinije” (kangë të ndryshme), “Stamles” – Durrës, 1938. Ky libër shoqërohet edhe me një parathënie që titullohet “Dy fjalë”, ku autori Pjetër Gjini 27 vjeçar shprehet, se cili ishte qëllimi i tij i botimit të këtij libri: “Por, unë janë nja katër o pesë vjet qi më sa ka ardhë për dore i kam kushtue disa orë kangëvet të reja, dhe, ku me origjinale, ku me adaptime jam mundue me i falë diçka atyne që tue mos pasë kangë detyroheshin me ia thanë o ndër gjuhë të hueja ose vendçe, të cillat (këto të fundit në nji perqindje shum të vogël mund të jenë frymë e thjeshtë e muzës popullore, ndërsa pjesa ma e madhe, tingulli i kangës së shekujvet të robnis.” (Tiranë korrik 1938)

Në këtë librari mik i përhershëm, zakonisht pasditeve, ishte Pjetër Gjini.

Në vetvete Pjetër Gjini më ngjante si një libër i rrallë, antikuar që do ta dëshironte çdo bukinist. Edhe në këtë mjedis libror ishte si një libër i munguar, por edhe prezent me hijeshinë dhe botën e tij.

Bisedonte parreshtur me libraren Dritë. Ajo ishte e vëmendshme dhe e ndiqte herë me sy e herë me bisht të syrit aq herë teksa shkonte e vinte gjatë korridorit të ngushtë të librarisë për të plotësuar kërkesat e klientëve.

Pjetri fliste, qeshte. Qeshte herëpashere.

Nuk e kishte të qeshurën me zë të lartë. Është një e qeshur që mbartte lirika dhëmbjeje, dashurie, kujtimesh, dëshpërimesh, lotësh e ëndrrash të një shpirti të trazuar, që vetëm ai e dinte sa të trazuar dhe të dallgëzuar e kishte…

M’u kujtua soneti “I rrëzuemi”[1]:

“Pa plang, pa sht’pi, pa streh’ ku t’gjej’ qetsimin,

Rrugash kish mbet’ nji burr’ dyzet-vjeçar;

Nata ish err’ e për me ba pushimin

N’fush’ t’gjan’ ish kapun ku ish shtru’ mbi bar.

Gjumi s’e kapte… kish drejtu’ kujtimin

Gjat’ koh’s s’der-djeshme plym n’argjent e ar,

Ma nuk do t’gzoje, rrok’ ish me disprimin

Tu’ andrru jeten qi shijoi ma par’.

……………………………………………………………….

Pjetri, ashtu në mënyrën e tij gazmore tregon ndonjë barcoletë, anekdotë, nxjerr vargje nga thesari i tij “qit e prit”. Pastaj hesht. Pastaj përhumbet. Pastaj tregon tregon edhe ndonjë histori si… “tepër vonë”:

“A m’thu… n’se t’dhimbem un’ qi aq fort t’deshta

Qi posht’ dritores prita ne terrinë?..

E ‘i or’ te nates kangen nuk e heshta

Pse syve t’bukur t’ia paç’ fal’ djelmninë?..

… Por… faj ti s’ke!.. : un’ t’puthun me t’lshu’ dreshta,

Dhe ti u dridh’she, … s’mujshe gjeraçinë!..

Pjetri ishte një njeri që vishej thjeshtë, por me sqimë. I kërpitur, – siç themi ne, nga Shkodra. Gjithherë i kërpitur! E shihja me një kostum doku. E shihja me një këmishë jeshile me kuadrate, me kuadrate e vijëza ngjyrë kafe, por më shpesh me këmishë të bardhë borë të bardhë, ndonëse shpirti i tij asnjëherë nuk ë kishte pranuar dëborën.

Mbante dhe kravatë. S’mund ta kuptoje pa të. I rrinte hijshëm zotni Pjetrit. Pa flokë, vetëm anash. Me mustaqe. Gjithka që rrëfente e bashkëshoqëronte me lëvizjet e duarve. Trupin nuk e përkulte, e mbante drejt. Po drejt e mbante trupin, edhe kur i hipte biçikletës…

M’u kujtua…

“Jeho madhnueshëm permbi male e curra

O gju’ am’tare,

Lësho jehonat tu’ i derdh’ si gurra

Rreth tok’s Shqyptare.

Trego se t’foli Burri,

I famshmi edhe Leka,

Njaj Gjergj qi pran’ tij deka

M’u josh’ guxim nuk pat.

Gzo po gjallimin n’tok’ ku lejn’ veç burra

O gjuh’ am’tare.

Për nen kup’ t’qiellit ti po je ma e kjarta

O gjuh’ am’tare,

Dhe je ma e egra, n’kombet e pa-mvarta

N’huj t’mnis barbare.

Tingllon po ambelcushem

Si e bukra kang’ qiellore,

E shpesh si shgjet’ mizore

Je gjuh’ mbi fush’ e mal.

Naltou galdushëm deri n’qi’llt e larta

O gjuh’ am’tare.

Ti s’e njef deken der’ sa t’shkimbet hana,

O gjuh’ am’tare;

E gjall’ do t’jesish ma se gjuhnat t’tana,

Nan’ mij vjeçare.

Kumbo pra der’ sa bota

Nen ajr jet-dhan’s do t’siellet

E deri sa do t’kthiellet

N’ natyr’ i fundmi agim.

Merr joll madhnushem n’mal e fush’ si zana,

O gjuh’ amtare.”[2]

Libri poetik që kam në bibliotekën time mbart një kushtim, dhe është i qëndisur me shkrimin dhe firmën e Pjetër Gjinit:

“Profesorit të çmueshëm

Zot. Filip Fishta

Si shej nderimi

Dhe me urime për vjetin e tij

1936.

Tiranë 4 – I – 936

Firma e Pjetër Gjinit

Edhe ky libër poetik, si disa të tjerë, autori e bashkëshoqëron me një Parathënie. Kësaj radhe e quan: “Në vend të parathanëjes”, Tiranë, 8. XI. 935.

Autori në tekstin paraprijës e sheh të udhës “… me t’u drejtue ty (Rini Shqyptare! – shënimi im) me këto të pakta rradhë , qi zanë vendin e nji parathanëjes, për dy arësyena:

I.Pse “Frushullime të Reja” don me thanë kanga e gjethve të rij, e gjethi i rij i jetës njerzore ti je, pra kanga e këtij libri asht kanga e yte;

II.Pse letratyra e vorfen Shqyptare tu ti e ka të gjith shpresen; ti je çerdhja kryenaltë në të cillen do të lindin flatrat e ngallnjimit të njij letersis së pasun për Shqypnin e ardhëshme; ti po, o rini e soçme, ti vetëm je ajo të cillen ora e atmes fatlume, e ka da me gisht me e quejt nder shekuj, guri i themelit të letravet Shqyptare.

Nji lutje: Tue qenë se gjinden në libër edhe copa të punueme prej meje për kangë, (sidomos në pjesën e III-të të dashunis) i baj nji thirrje muzikantavet qi kanë dhuratën e madhe (fuqin me kompuzue copa muzikore) e i lus, qi, në qoftë se ndonji nga vjerrshat i pelqehet, t’a marrin mundimin me ia mveshë muziken, qi kështu dal-nga-dalë t’a udhëheqim Shqypnin t’onë, kah nji frymë kangësh moderne.

Rini Shqyptare!

Je motra e eme e fjala e yte për mue asht: “zani i detyrës”.[3]

Duke këqyrur me vëmendje parathëniet a tekstet në vend të parathënieve, ku krahas seriozitetit dhe talentit të Pjetër Gjinit, vërehen edhe tri karakteristika: a) të shprehurit të motivit dhe dallimit të fjalëve kyçe, b) shqetësimi i poetit dhe marrëdhënia me realitetin e kohës, c) shpirti modern, kontributi i vlefshëm dhe mendësia përparimtare e poetit. Në të gjitha këto veti, dallohet modestia e Pjetër Gjinit.

Pjetër Gjini lindi më 18 nëntor 1910 në Shkodër. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Arsimin e mesëm e kreu në Kolegjin Saverian të Jezuitëve.

Në moshë rinie shkoi në Tiranë. Punoi si redaktor në shtypshkronjën “Nikaj”.

Me krijimin e Radio Tiranës, më 28.11. 1938, punoi si redaktor në këtë Institucion, duke i falur atij interesat vetjake që përkonin me kulturën e gjerë në fushën e artit, letërsisë, muzikës dhe shpirtit të tij plot humor prej shkodrani. Pjetri për shumë vite drejtoi emisionin “Ora gazmore” (Emisioni i parë: E diele 17.12.1939, ora 14 – 14.30, Ora Gazmore – përgatitur prej Terrinit), aq të pritur, aq të dashur për dëgjuesit. Gjatë punës në Radio, çdo javë, ditën e dielë, me pseudonimin “Terini” apo “Terini me shokë” e drejtonte, i jepte gaz e jetë asaj ore gazmore të mirëpritur. Këtu u njoh me kolegë të nderuar, si: Gjergj Bubani, Tonin Guraziu, Lola Gjoka, Marije Kraja.

Me vendosjen e regjimit komunist pushohet menjëherë nga puna. Me 19 korrik të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me 12 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Për këtë moment të rëndë dramatik, Rrok Vuji thotë: “…, me shpresën se nga mangësitë e tij fizike do të detyrohej të pranonte ofertën e tyre, të cilën ja përsëritën edhe gjatë vuetjes së dënimit. Përgjigja e tij ishte jo e jo, , ky karakter i fortë e i vendosun i Pjetrit i çudiste dhe i tërbonte komunistët. Por ata harrojshin se në atë trup të brishtë, rrahte nji zemër e madhe shqiptari.

Harrojshin se shqiptari i vërtetë nuk matet me trupin por me shpirtin e punën e vendosmërinë e tij për ta meritue emrin ‘shqiptar’.” Pasi lirohet nga burgu 25 prill 1958, kthehet në Shkodër, në qytetin e tij të lindjes.Nuk i gjendet punë për moshën dhe shëndetin e tij, tashmë të lodhur. Mbahet nga të afërmit, nga motrat dhe miqtë e tij të këngës dhe humorit. Asnjëherë nuk përkulet, nuk shtrin dorën për lëmoshë, nuk bëhet servil. E mban gjallë shpirti i tij gazmor.

Këtë ‘gazmore’ e shoqëruar me një humor të mrekullueshëm, me tërë fuqinë e shpirtit ua jep shkodranëve, teksa e thirrnin në dasma e ngjarje të ndryshme familjare, duke shoqëruar këngët dhe humorin fatlum me kitarën e tij besnike. (Po aq besnike kishte dhe biçikletën). Sipas kujtimeve të fizarmoniçistit Ferdinand Shllaku dhe kitaristit Kel Kaftalli, citojmë: “Pjetër Gjini nuk paguhet me pare”.

Vdiq i nderuar, i respektuar dhe i paharruar, më 30 mars të

vitit 1988.

Shkoder , Janar , 2019

[1]Gjini, Pjetër: Frushullima të reja, poezia: I rrëzuemi, f. 33, Frushullima të reja, Tiranë, Tiranë, Gutenberg, 1935, 155f + IIIf. Vjersha; Frushullime të reja, Botim i 2-të /Tiranë/ Botonjës Luarasi, 1938. 155 f. në 16. Vjersha.

[2] Gjini, Pjetër: Frushullima të reja, poezia: Gjuhës Amëtare, f. 11-12, Frushullima të reja, Tiranë, Tiranë, Gutenberg, 1935, 155f + IIIf. Vjersha.

[3] Gjini, Pjetër: Frushullima të reja, poezia: Në vend të parathanëjes, f. I e II, Frushullima të reja, Tiranë, Tiranë, Gutenberg, 1935, 155f + IIIf. Vjersha.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...