Kur në Shqipëri ndalohej të sillje nga jashtë automjete, antena e veshje që “binin në kundërshtim me shijen e popullit”

Gjatë periudhës së regjimit komunist, e sidomos në vitet e izolimit ku burimet ekonomike ishin të pakta e vendi ishte përfshirë në krizë të thellë ekonomike, ata pak shtetas shqiptarë që arrinin të dilnin jashtë vendit për arsye pune apo studimi duhej të respektonin rregullat e përcaktuara për sendet që mund të merrnin apo sillnin me vete.

Këtyre rregullave i nënshtroheshin jo vetëm shtetasit shqiptarë por edhe të huajt të cilët duhej të zbatonin të njëjtat rregulla për hyrje-daljet në Shqipëri.

Në vendimet e viteve ’80 përcaktohej në mënyrë të detajuar lista e produkteve që mund të futej në Shqipëri pa tagër doganor ashtu sikurse ishin të ndaluara disa produkte të tjera si automjetet, motoçikletat, antenat e televizorëve apo veshjet që binin në kundërshtim me “shijet e popullit”

Kreshnik KUÇAJ/SCAN

Vendimi i plotë:

Për sjelljen dhe dërgimin e sendeve si dhe për tagrin doganor, vendim i Këshillit të Ministrave nr.226, datë 11.8.1982, ndryshuar me vendimet nr. 351 datë 23.11.1983 dhe nr.103, datë 9.5.1984

Shtetasit shqiptarë e të huaj me banim ose me qendrim të përkohshëm në vendin tonë që shkojnë jashtë shtetit me shërbim për specializim, për studime ose për mjekim kur kthehen në Republikën Socialiste të Shqipërisë u lejohet të sjellin pa tagër doganor sende të përdorimit vetjak e familjar në masën që vijon:

-Deri në 1 000 lekë për ata që shkojnë jashtë shtetit për mjekim

-Deri në 2 000 lekë për ata që shkojnë jashtë shtetit me shërbim ose për specializim, kur qendrimi zgjat deri në 3 muaj

-Deri në 3 000 lekë për ata që shkojnë jashtë shtetit për specializim kur qendrimi zgjat mbi 3 muaj deri në 1 vit

-Deri në 5 000 lekë në vit për studentët e specialistët pasuniversitarë që dërgohen jashtë shtetit për një kohë mbi një vit. Librat, pajisjet dhe aparaturat që i shërbejnë profesionit të tyre, lejohet t’i sjellin pa tagër doganor, pavarësisht nga vlefta e tyre

-Shoferëve e marinarëve që dërgohen me shërbim jashtë shtetit u lejohet të sjellin me vete sende të ndryshme të përdorimit vetjak e familjar pa tagër doganor, pavarësisht nga vlefta e tyre

-Punonjësve të përfaqësive shqiptare jashtë shtetit u lejohet të sjellin pa tagër doganor sende të ndryshme për nevoja personale e familjare. Nga sendet e parashikuara në listën që bashkëngjitet ata kanë të drejtë të sjellin vetëm një copë gjatë gjithë kohës së shërbimit jashtë shtetit.

Shtetasve shqiptarë që kanë qenë për vizitë jashtë shtetit te të afërmit e tyre ose personave me kombësi shqiptare, kur vijnë për vizitë te të afërmit u lejohet të sjellin me vete pa tagër doganor sende të ndryshme të përdorimit vetjak e familjar në masën:

-Deri në 3 000 lekë për ata që vijnë si individë

-Deri në 6 mijë lekë për ata që vijnë si familje

-Personat me kombësi shqiptare që banojnë jashtë shtetit kur ftohen nga institucionet ose nga organizatat shoqërore të vendit tonë lejohen të sjellin me vete pa tagër doganor sende të ndryshme në masën 3 000 lekë

Shtetasit e huaj që vijnë për vizitë te të afërmit e tyre në në vendin tonë lejohet të sjellin me vete pa tagër doganor sende të ndryshme në masën:

-Deri në 2 000 lekë për ata që vijnë si individë

Deri në 4 000 lekë për ata që vijnë si familje

Nga kjo e drejtë nuk përfitojnë shtetasit e huaj që vijnë në vendin tonë si turistë, afaristë, tregtarë, grupe kulturore e sportive, të ftuar etj.

Të huajt që zhvillojnë marrëdhënie tregtare me vendin tonë mund të sjellin me vete pa tagër doganor mallra për t’i përdorur si mostra ose dhurata për ndërmarrjet e tregtisë së jashtme.

Organet doganore të ushtrojnë kontroll të rregullt dhe të bëjnë evidentimin e saktë të sendeve që sjell çdo person.

Sendet e ndryshme që rrjedhin nga trashëgimia e çelur jashtë shtetit dhe që kanë qenë në përdorim të trashëgimlënësit (me përjashtim të automjeteve dhe triçiklave) lejohet të kalojnë pa tagër doganor kur vërtetohen me dokumente të rregullta të shtetit ku është çelur trashëgimia. Sendet e ndryshme të reja i nënshtrohen tagrit doganor në masën 100 përqind.

Për sendet e sjella mbi vleftat e caktuara në pikat e mësipërme dhe ato që dërgohen me anë të postës, të agjencive ose me anën e personave të tjerë, paguhet me tagër doganor në masën 100 për qind.

Punonjësit e përfaqësive shqiptare jashtë shtetit kur nuk vijnë vetë në Shqipëri gjatë vitit ose nuk marrin në pushimet fëmijët e tyre, kanë të drejtë t’u dërgojnë pa tagër doganor sende të përdorimit vetjak fëmijëve që nuk janë në marrëdhënie pune dhe prindërve të secilit bashkëshort.

Studentët dhe specialistët pasuniversitare, brenda normës së caktuar kanë të drejtë të dërgojnë pa tagër doganor sende të përdorimit vetjak e familjar me anë të postës, të agjencive ose me anën e personave të tjerë.

Për sendet që zhdoganohen sipas peshës tagri doganor merret mbi peshën neto.

Sendet për të cilat brenda 4 muajve nuk paguhet tagri doganor i përcaktuar në këtë vendim, kthehet në origjinë me dëshirën dhe shpenzimet e vetë personit ose i mbeten shtetit pa shpërblim. Për raste të veçanta afati i mësipërm mund të zgjatet nga drejtoria e doganave.

Personave të riatdhesuar ose të huaj që vendosen me banim të përhershëm në Shqipëri u lejohet të sjelin pa tagër doganor sende të ndryshme për nevoja personale e familjare.

Kur konstatohen që sendet e sjella nga persona të ndryshëm janë në sasi të atilla që mund të shërbejnë për qellime tregtie, si në ato raste kur janë brenda normës, ashtu edhe kur paguhet tagër doganor, dogana, pasi të ketë lejuar sendet e sjella, ka për detyrë të njoftojë menjëhere organet shtetërore përkatëse dhe organizatat shoqërore.

Pa tagër doganor bëhet sjellja me anën e udhëtarëve, të postës e të agjencive të ndryshme të medikamenteve, të aparateve dhe të veglave mjekësore për nevoja vetjake të të sëmurit ose të invalidit dhe të pjestarit të sëmurë të familjes kur vërtetohet me raport mjekësor ose me dokumente nga organet e sigurimeve shoqërore.

Përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në vendin tonë përjashtohen nga pagimi i tagrit doganor për shitjen e veturave mbi bazë reciprociteti.

Ndalohet sjellja e armëve e lëndëve plasëse, djegëse dhe e helmeve, narkotikëve, e radio transmetuesve, e veshjeve dhe e sendeve në kundërshtim me shijen e popullit tonë, e liuteraturës me përmbajtje kundërrevolucionare dhe të papërshtatshme, e figurave e pikturave ose e sendeve të tjera pornografike si dhe e automjeteve dhe e triçiklave, me përjashtim të motoçikletave.

U ndalohet shtetasve shqiptarë që hyjnë në Shqipëri që të sjellin me vete ose me anë të postës pajisje dhe aparatura për televizorë që shërbejnë për kapjen e stacioneve të huaja, me përjashtim të rasteve kur këto janë të montuara në televizorë dhe të antenave të vogla të dhomës.

Ndalohet dërgimi ose sjellja e sendeve të përdorura me përjashtim të sendeve që vijnë me trashëgimi si edhe të sendeve që sjellin punonjësit e përfaqësive shqiptare jashtë shtetit, studentët, specialistët dhe të riatdhesuarit.

Automjetet dhe motoçikletat e personave që hyjnë përkohësisht në vendin tonë lejohet të kalojnë në bazë të deklarimit të bërë në doganë dhe të vertetimit të lëshuar prej saj, me kusht që pronarët e tyre t’i marrin me vete kur largohen.

Ndalohet nxjerrja jashtë shteti e arit, argjendit e platinit dhe e metaleve të tjera të çmuara e sendeve antike dhe të artit me vlerë artistike e arkeologjike si dhe e dorëshkrimeve dhe e librave me vlerë.

Nxjerrja e tyre në raste të veçanta bëhet me leje të posaçme.

Ndalohet që të nxjerrin jashtë shtetit miell e nënproduktet e tij, mish dhe nënproduktet e tij si dhe djathi kur vlera e përgjithshme e tyre është mbi 50 lekë për person.

Sendet që për arsye të ndryshme mbeten në doganë dhe i përshtaten shijes së popullit u dorëzohen organeve të tregtisë për shitje me çmimet që janë në fuqi. Kur ato nuk shërbjenë për ndonjë gjë, asgjësohen.

Lista e sendeve që punonjësit e përfaqësive shqiptare jashtë shtetit kanë të drejtë të sjellin pa tagër doganor:

-Televizor

-Frigorifer

-Makinë larëse rrobash

-Magnetofon ose radiomagnetodfon

-Motoçikletë e pjesë ndërrimi

-Biçikletë

-Aparat fotografik

-Fshesë me korrent

-Skaldabanjë

-Fizarmonikë e vegla të tjera muzikore

-Makinë shkrimi

-Makinë për larjen e enëve

-Stufë elektrike ekonomike

-Makinë qepëse

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...

Ata që po rithurin indet e një vendi të vuajtur

Herë pas herë duhet të kthejmë kokën dhe të...