Kola i madh i ‘Motrës Tone’/ 79 vjet pa të

Nikolla, “Kolë” Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër dhe vdiq më 12 dhjetor 1939. Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane.

Gjithashtu ishte dhe fillimtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. Ai konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të Shkollës Shkodrane të Arteve Pamore së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rrotën.

Familja e tij, ishte një nga familjet më të njohura të Pargës në Çamëri. I ati i tij, Arsen André Idromeno, kishte ardhur në qytetin verior prej ishullit Hidro (Hithër) ku jetojnë arbëreshët e Greqisë. Ai i përkiste komunitetit ortodoks të qytetit të Shkodrës, ku u martua me Roza Saraçin, nga një familje qytetare shkodrane.

Arsen Idromeno ushtronte profesionin e marangozit, ku e ndihmonte dhe Kola i vogël, sidomos duke i zbukuruar orenditë prej druri me vizatime.

Më vonë djali mori mësime për vizatim pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili pasi dalloi tek nxënësi aftësi të veçanta, e këshilloi të atin ta dërgonte djaloshin për studime jashtë vendit.

Këshilla e fotografit u pranua menjëherë, dhe djaloshi në moshën 15-vjeçare në 1875, filloi studimet për pikturë në Venecia të Italisë ku njihet nga afër me veprat e rilindasve si Civeli, Montegnas, Gentili, etj.

Aty vazhdoi mësimet vetëm për dy vjet. Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, po e tërhiqte edhe fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit.

Në studio në atë kohë punonte si ndihmës një djalosh zadrimor, Mati Kodheli, me të cilin Kola u miqësua shpejt, por për një kohë të shkurtër, sepse më 1881, ai vd.es.

Theksojmë se në këtë periudhë u ngjiz miqësia ndërmjet familjeve Marubi dhe Idromeno që vazhdoi për një kohë të gjatë. Kol Idromeno i firmoste veprat e tij Nikolla Idromeno.

Në 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit, pra kur flasim për Idromenon nuk flitet vetëm në rrafshin e një artisti por edhe një patrioti të madh që aspironte Pavarësinë e Shqipërisë.

Vendin e tij për një farë periudhe e plotësoi Idromenoja i ri që thithte shumë të fshehta të profesionit nga mjeshtri italian që gjithësesi nuk ishte “koprac” në ndihmën ndaj të rinjëve. Duke parë aftësitë e të birit në lëmë të fotografisë, Arsen Idromeno, vendosi të hapi edhe ai bashkë me të birin një atelie fotografike.

Punën në të e drejtonte dhe e përballonte vet Kola i cili shfaqi pasion dhe zell të madh si artist dhe teknolog në proçeset e fotografimit. Gjatë punës si fotograf, Kola, bën lidhje miqësore me shumë njerëz të të gjitha shtresave, duke u bërë kësisoj njeri i njohur në qytet.

Ndërkohë studioja e ngritur në vitin 1884, u quajt me një emër fare shqip “Dritëshkronja e Kolës”, emër që më vonë u huazua edhe nga Marubi që emërtoi atelien e tij “Dritëshkrojetoria Marubi”. Viti 1888 i rezervon një nga dy ngjarjet tra.gjike që do i ndodhin në jetë: i vde.s djali dy vjeçar, i vetmi fëmijë i tij.

Dy vjet më pas, 1890, vdes motra e dashur Tone, 31 vjeçare. Kola tanimë punon kryesisht në dy fusha, pikturë dhe fotografi të cilat duke qënë brendëzuar në artet pamore, drejtëpërdrejt ose tërthoraz, ndihmonin njëra-tjetrën.

Kështu për të pikturuar pikturën e njohur “Motra Tone”, Kola përdori dhe fotoportretin që i kish bërë ai të motrës, ndërsa piktura e mësonte të bënte fotografi artistike sa më ndjesore dhe piktorike. E kishte që i vogël pasion pikturën tek ndihmonte të atin gjatë punës.

Gjatë 1871-1874 i përkushtohet veprave të para në akuarel, “Portreti i mësuesit”, “E vorfna”, “Baresha”,etj. Vepra të tjera të Idromenos ishin “Pusíja”, “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në të parën përfaqëson një episod nga jeta ndër male, e dyta kujton largimin e parardhsëve nga nga Parga drejt Himarës.

Në 2 shkurt 1883 ai realizon portretin e motrës së tij “Motra Tone”, e quajtur edhe “Mona Liza” e Shqipërisë, që është vlerësuar si portreti i parë psikologjik e social i pikturës realiste shqiptare i Rilindjes tonë.

Motra e tij e veshur me veshjen tradicionale shkodrane është ngulitur në atë vepër arti, me gjithë delikatesën, bukurinë dhe dlirësinë shpirtërore të një femre shqiptare.

Në këtë periudhë kemi “Bardhejt” e “Lugu i kaçakeve”. Me këto vepra shpreh dashurinë për natyrën. Vepra tjera janë “Dy rrugët” dhe “Fajda”. Në këto shpreh një nga problemet kryesore të Malësive në të kaluarën: sistemi i fajdes. Kurse me “2 rrugët” përfaqson sipas ideologjisë fetare, dy rrugët kryesore: ferrin dhe parajsën.

I ngarkuar nga kleri i kohës, mendohet se punimet e veprës i zhvilloi ndërmjet 1892 e 1894 (1892, sipas konsullit francez Degrande në “Haute Albanie”), pasi e kreu hasi në polemika ngaqë vepra kishte elemente që klerit s’i pëlqyen. Me një stil të madh në këtë vepër na paraqet jetën reale me difektet dhe veset, shumë të përhapura në shoqërinë e kohës.

Mendohet se për këtë vepër autori është influencuar nga poeti italian Dante Alighieri. Në 1898 merr pjesë në një ekspozitë në Budapest dhe në 1923 në ekspozitën e pikturës në Shkodër. Në 1924 mbaron pikturën “Darsma Shkodrane”, ku tregon me realizëm të veçantë lumturinë e vashës që po martohet.

Në periudhën 1924-1937 “Zezaku i Beldijes”, me këtë vepër autori shpreh simpatinë për njerëzit me ngjyrë. Një vepër tjetër është “Autoportreti”, “Portret i një fshatari”, “Bariu”, “Fytyrë fshatari” e pikërisht me këtë të fundit prezantohet në ekspozitën e Shkodrës.

Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postrribës”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Kolë Idromeno ka një meritë të madhe në prizmin e pikturës.

Risitë që pruri në këtë fushë kanë qenë shumë të rëndësishme, duke ìa nisur me realizmin e nga laicizmi i përfaqësuar si tek “Motra Tone” deri tek “Plaku i Postrribës”.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME