Kam frikë se mund të kem qenë i pari, por radha gjithësesi nuk ka shumë rëndësi. Sepse e kam shkruar përpara dy javësh që protestën e studentëve po kërkonin ta mbysnin me çdo kusht tre partitë mëdha, secila në mënyrën e vet.
Sot druaj se është dita për të thënë se më ka dalë fjala. Është ndoshta profecia që më trishton më shumë se cdo gjë tjetër, për mosrealizimin e së cilës isha gati të jepja gjithçka.
Jam i bindur se sot zjarrikësit e protestës janë shumë të gëzuar, natyrisht që secili në mënyrën e vet.
Në fillim ata që duan të na bindin që, pavarësisht se studentët ikën me pushime, kërkesat e tyre do të plotësohen, sepse për këtë ditë ka tre javë që i vjen vërdallë dialogut strategu i të gjitha fitoreve tona, Edi Rama.
Ata gati po e thonë që studentët mund të pushojnë të qetë e të pashqetësuar, sepse ka kush mendon dhe punon për kauzën e tyre.
Por po aq të lumtur më ngjajnë edhe ata të tjerët që i kanë nxitur ta mbyllin protestën, me argumentin se e gjithë bota është me pushime. Dhe nga kjo festë nuk mund të bëjë përjashtim askush. Sepse edhe ata që janë të revoltuar kanë nevojë të gëzojnë Krishlindjet dhe ta hanë rehat gjelin e Vitit të Ri.
Është fare e qartë. Qeveria ia ka dalë me sukses që t’i japë kohë vetes dhe të zbrapsë një tërmet 8 ballësh, i cili gati ia nxori themelet dhe e zuri poshtë.
Ndërsa opozita zyrtare ndjehet e lehtësuar se ka evituar të paktën përkohësisht një cunam politik, që për pak i rrëmbeu asaj qartazi të gjitha funksionet. Dhe nuk është fare rastësi që protesta shkoi me pushime pikërisht në ditën e fundit të parlamentit për këtë vit.
Është pak a shumë si arm.ëpushimet në mes luft.rave, kur palët i lejojnë vetes ca ditë paqeje për të lëpirë plagët, por, pse jo, edhe për të tentuar ndonjë marrëveshje.
Dhe në ato ditë pa krisma të gjithë kufinjtë bëhen konvencionalë. Dikush shkon në Holandë, një tjetër prenoton tek Hyatt-i i sapohapur, shumica mblidhen me familjet në shtëpi, ndërsa të tjerët kërkojnë lekë boxh, që të paktën mos e kuptojnë fëmijët se për ta nuk ka realisht festë.
Me sa duket, sado e keqe të jetë, edhe qeveria ka nevojë të gëzojë për dy javë. Dhe sado që të jetë lodhur dhe të ketë luftuar gjithë vitin, dhe opozitës i takon të shplodhet e të festojë si qeveria.
Për gati dy javë studentët e zemëruar me të drejtë do të jenë njësoj të gëzuar me ata që i detyruan të ngrihen e të organizojnë një nga protestat më të bukura që kam parë në 28 vjetët e fundit.
Ka njerëz që besojnë se, megjithatë, kjo nuk do ta shuajë zjarrin e tyre, i cili do të rindizet më i fuqishëm me kthimin e studentëve, pas pushimeve në janar.
Mbase, mbase.. Nuk dua të parashikoj më. Tek e fundit “ëndrra janë, nganjëherë dalin”.