Para disa ditësh gazetari i “Le Iene”, Taulant Kopliku rrëfen që ishte në Ministrinë e Brendshme për t’i
kërkuar një intervistë zotit Lleshaj për fenomenin e gjakmarjes dhe fëmijët e ngujuar. Ai u nxori këshilltarin që u ka thënë:
“1- Fenomeni nuk ekziston dhe i përket së kaluarës.
2- Shoqërimi me polici i nxënësve të ngujuar që kanë provime, është një inskenim mediatik. (Pra, mediat përdorin aktorë të veshur si policë).
3- Ka një strategji të vendeve përreth që nuk na duan të mirën. Me këtë strategji të disinformimit, ata duan të pengojnë hyrjen tonë në Europë.
4- Shifrat flasin se që nga 2015 deri sot nuk ka as edhe një të vrarë për gjakmarrje. (“Nja 5 a 6 më vijnë direkt në mendje, pa kërkuar statistika”, dëshmon gazetari).
5- Gjakmarrja është një sajese, nga e cila përfitojnë, kryesisht shoqatat dhe ata qe duan të lënë Shqipërinë me dokumenta te rreme.”
Por, organizata “Global Teacher Prize” ka publikuar 50 arsimtarët finalistë për çmimin e më të mirit në botë për vitin 2019. Për herë të parë në historinë e kësaj organizate, në listë përfshihet mësuesja shqiptare Liljana Luani, e vetmja që ia ka kushtuar jetën arsimimit të fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja.
Liljana Luani ka punuar 37 vjet si mësuese dhe që nga viti 2005, është bërë forca kryesore nxitëse për edukimin e fëmijëve të ngujuar kryesisht në zonën e Dukagjinit. Ajo është nderuar disa herë me çmime dhe ka qënë në fokus të një dokumentari të gjatë të BBC.
Me siguri Liljana Luana është duke punuar që të pengojë integrimin e Shqipërisë në Europë.