Shqipëria, shkollimi dhe shkallimi

Më poshtë do të të kallëzoj disa gjëra të cilat, të gjithë i dinë, por nuk i kallëzojnë te njëri-tjetri. Mbase s’do të të përmbushë ajo që do të lexosh ose do të të vijë hidhur.

Ose, edhe më keq, nuk do i shkosh deri në fund leximit, për shkak të pafytyrësisë që do shohësh në të. Në fund të fundit, e vërteta është si poezia, thonë. Dhe jo të gjithë e kanë qejf poezinë.

Muaji Shtator njihet si muaji i dasmave, ahengut më të madh në jetën e njeriut. Dita kur dalin në pah paratë që shpenzohen për një gëzim familjar. Se, me thënë të drejtën, nuk është lirë të lësh në krye të tavolinës dy mumje Egjypti e të tërbosh 200 të tjerë.

Dikur, muaji Shtator lidhej me fillimin e shkollës. Në datë 1 ishin të gjithë të larë e të hekurosur në rresht, në oborr të shkollës. Fëmijët e tanishëm, në datë 1 Shtator, janë përsëri në rresht.

Disa janë në rresht për të zbritur kodrinat në të cilat kishin shkuar të mblidhnin krom. Disa të tjerë, në rresht në trafik duke u kthyer nga pushimet. Por, ç’rëndësi ka? Demokracia vjen bashkë me këto.

Demokracia, të keqen dhe të mirën e saj, ka faktin se, të gjithë mund të thonë çfarë të duan; përfshirë ata që janë të paditur. Dhe jo se dija ka një farë shifre apo niveli të cilin, po e arrite, quhesh i ditur.

Historia na përmend një sërë njerëzish të ditur që e përdorën dijen me shumë demagogji për të nënshtuar. Historia, thashë. E kisha fjalën, duke nisur prej shumë kohërave, vazhdojnë ende ta bëjnë.

“Dija s’është si monedha e cila, fizikisht, ngelet ajo edhe kur e fusin nëpër kanaçet më të ndyra: dija ngjan shumë me një rrobë të pashoqe nga bukuria, e cila vjetërohet kur e përdor e kur ua tregon të tjerëve” – ka thënë Umberto Eco. Mos u mërzisni nëse e referoj disa herë, por këtë kam ndër duar këto ditë.

Pra, dija nuk është për demagogji. Është e brendshme, njësoj si besimi fetar, aktiviteti sportiv, si yoga që është kaq në modë këto vite.

Por, a do të kishte kaq sukses keqpërdorimi i dijes nëse të gjithë do të ishim të ditur? Patjetër që jo. Domethënë, me fjalë popullore, or ti miku im lexues i duruar, kanë gjetur shesh e kanë bërë përshesh. Më saktë, e kanë bëre vetë, edhe sheshin edhe përsheshin.

Sistemi ynë arsimor bën të mundur që fëmija im dhe i yti, të mos mësojë për të ditur, por për të kaluar klasën, për të rritur mesataren që të mund të pranohet në universitet ku, po njësoj si më parë,

i duhet mesatare që të hyjë në master e, më pas, të gjitha këto nuk kanë vlejtur sepse, për të gjetur punë në një profesion që ke mbaruar master, duhet mik. Pra, ai fëmijë nuk ka studiuar 17 vjet, por ka marrë nota të mira 17 vjet.

Kur ngriheshim në mësim në lëndën e historisë (dhe me këtë i drejtohem fëmijëve të demokracisë), në gjimnaz, na thoshin “thuaj pjesën e parë”.

Mos u ngutni të më kryqëzoni ju arsimtarët, sepse unë i kam dashur fort ata të mitë. Por, nuk është faji i atyre. Faji është jetim, po themi kësaj here, dhe t’i qëndrojmë thelbit.
Kur na kërkonin të tregonim pjesën e parë të mësimit, ne do e mësonim përmendësh, si poezi të cilën ju s’e keni qejf.

Duke mësuar përmendësh një paragraf historie, ne nuk kemi mësuar historinë. Dhe, ai nxënës, e di se, tani që është ngritur dhe e ka marrë notën, nuk do të pyetet më gjithë muajin, për shkak të numrit të lartë të nxënësve në klasë.

Kështu që, një muaj e bën pushim dhe nuk prek libër me dorë. Ç’prisni nga një fëmijë, nga një adoleshent? Sigurisht që e ka mendjen të bredhë e të flasë me çupa, në vend që të dijetohet. Ata e kanë lirinë, u shpërthen nga çdo pore. Ndaj edukimi është sport i vështirë.

Ata luftojnë thjesht për notën. Dhe, nga momenti që një nxënës ka për qëllim vlerësimin e tij për recitimin, në vend që të ketë për qëllim dijen, e ardhmja që na pret nuk është e ndritur, vëlla.

Mosnxitja e ngulitjes së dijes nëpër shkolla, është vetëm një vegël e nxitjes së injorancës së përgjithshme. Manovër tjetër e shkëlqyer e demokracisë për të na lehtësuar mbingarkesën e trurit me dije, është asgjësimi funksional, dhe në disa raste fizik, i bibliotekave.

Nëse ti që po lexon këtë, nuk e ke për herë të parë që lexon shkrimet e mia, e ke shumë të qartë se, thirrja ime më e madhe, i ka shkuar mungesës së bibliotekave.

Tirana, qyteti më i zhvilluar i Shqipërisë, me nga një pikë bastesh për çdo 700 banorë. Me parkime me pagesë gjithandej, e cila ngre qartë pretendimin se njerëzit kanë lekë.

Me korsi biçikletash të mëdha sa një korsi autobusi, të cilat ngrenë qartë pretendimin se të gjithë në këtë qytet, shëtisin me biçikleta, orar pa orar, duke mos pasur asnjë hall apo punë përse të qarkullojnë me makinë.

Qyteti që mbolli 100.000 pemë në një pyll me miliona pemë. Pikërisht ky qytet, nuk ofron asnjë institucion në të cilin, mund të shkosh të tërheqësh një libër, me të drejtë kthimi, kundrejt asnjë pagese. Pra, një bibiliotekë.

Ka disa dritëshkurtër, or ti lexues i dashur, që do më hidhen në grykë me një farë dhome gjumi të cilës i kanë vënë emrin “Musine Kokalari” dhe e konsiderojnë bibliotekë.

Unë nuk shquhem për sasi të mëdha librash, por është e sigurtë që kam më shumë se ajo dhomë gjumi e cila, në ditën e saj të përurimit, gëzoi një fjalim plot virtyte nga kryetari i

bashkisë i cili, u bëri thirrje qytetarëve që të shpien libra e ta pasurojnë atë dhomë gjumi. Sepse, sipas tij, kështu bëhen bibliotekat. Le të mos harrojmë bibiliotekat e mirëfillta dhe dinjitoze që ka pasur çdo qytet përpara ‘90 për shembull.

Hiri që ai u ka hedhur në sy njerëzve, krijon vegime më të forta se çdo e vërtetë e imja, dhe kurrsesi nuk e konkuroj dot me këto rreshta të varfër.

Por, funksionin e bibliotekës nuk na e bën dot njeri ta harrojmë. Një institucion serioz, ku shkohet dhe tërhiqet libër me afat dy javor; ku ulesh dhe shfleton mes mijëra librave dhe shkrimeve të ndryshme, ku lehtësohet çdo student sepse ka mundësi të mos blejë çdo libër që i duhet.

Gjermanët kanë një shprehje: studentët dhe turistët duhen ndihmuar dhe udhëzuar gjithmonë rrugëve. Studentët sepse janë të varfër, turistët sepse janë të huaj. Shteti ynë bën pikërisht të kundërtën. Për të huajt fola javën e kaluar. Sot do i përmbahem temës.

E keni vënë re sesi kryeministrit po i del lëng nga goja prej kënaqësisë që po korr sukses me fushatën e shpërndarjes së librave “falas”? Por, përgjithësisht, e keni vënë re sesi, në demokracinë tonë, bëjnë diçka gjasme të bukur për të eklipsuar mijëra të zeza

Çmimet e paketave të librave këtë vit janë rritur me 30%. Shkojnë deri në 7.000 lekë të reja për një komplet librash. Sa gjysma e asistencës sociale që ofron ky vend.

Ministria e Keqarsimit thotë se, këtë vit, është përmirësuar cilësia. Pra, në 28 vjet (ku 5 i ka po kjo qeveri), ne paskemi studiuar me paçavuret të cilat, ndryshonin çdo vit. Është pak a shumë si llogjika e ujit të pijshëm, që na përmendi kryebashkiaku: “Do rrisim çmimin e ujit që të përmirësohet cilësia dhe të jetë 24 orë”.

Deri tani që e kemi paguar edhe për të pijshëm, edhe për 24 orë, nuk morëm asnjë prej tyre. Megjithatë, e rriti çmimin, siç rritën ata librat. E kush e ha më këtë kokërr ulliri? Shqiptarët, sigurisht.

Rikthehem edhe një herë të fundit te pika ime e dobët; Biblioteka Kombëtare. U dogj, e shkreta. Në mos e kanë djegur vetë… U mbyt, e shkreta. Në mos e kanë mbytur vetë…

U bë një vit e gjysmë që nuk del më asnjë libër prej saj. Pra, çdo nevojë, studentët e varfër, e kanë plotësuar me fotokopje apo me blerje librash. Të shohim a do ua plotësojë FUSHA këto nevoja.

Mbani mend djalin që rrinte në rresht për të zbritur kodrinën ku mblodhi krom?

E imagjinoni që ai duhet të blejë paketat e reja të shtrenjta të librave dhe librat që s’mund t’i marrë më në bibliotekë? Sigurisht që, edhe unë, po të isha në vendin e atij, nuk do më shkonte ndërmend të arsimohesha.

E për ça? Për të konkuruar me atë përqindje të vogël për të cilën është bërë e përballueshme jetesa dhe shkollimi dhe punësimi në këtë vend? Kromi është i sigurtë. Kromi s’mbaron. Kurse puna dhe jetesa në Tiranë është me shans: ça fati të kesh.

Në mbyllje, kam vetëm dy falenderime:

Të falenderoj ty lexues që do më kundërshtosh duke më përplasur në fytyrë faktet e zhvillimit që ka marrë vendi. Unë gjithsesi të falenderoj që më lexove dhe ndave kohë të vyer me mua.

Falenderoj edhe shtetin që, edhe këtë shtator, i ka kapur normat e veta. Më shumë njerëz do aplikojnë për llotarinë Amerikane.

Në fund, një shprehje nga ai që kam në dorë këto ditë: populli i Zotit ndahet në barinjtë (priftërinjtë), qeni (ushtarët) dhe delet (populli). Se kush është Zoti, s’do shumë mend…

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...